E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë z. Ettore Sequi

Kryeministri Berisha prit sot në një takim ambasadorin e ri të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë z. Ettore Sequi.

Pasi i uroi përzemërsish mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë dhe angazhimin e tij personal dhe të qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian dhe përfaqësinë e delegacionit të tij  në Tiranë në shërbim të projektit madhor kombëtar, integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

Duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, ambasadori Sequi i  konfirmoi angazhimin dhe vullnetin e tij, si dhe të Komisionit Evropian, për të mbështetur plotësisht Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha reformat, përpjekjet dhe në të gjitha aspektet e procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Sequi e garantoi Kryeministrin Berisha se personalisht ndihet një mik dhe dashamirës i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe se do të bëj të gjitha përpjekjet për të ndihmuar përshpejtimin e këtij projekti madhor kombëtar. Zoti Ettore Sequi e konsideroi  suksesin e tij në krye të delegacionit Bashkimit Evropian në Tiranë të lidhur drejtpërsëdrejti me suksesin e Shqipërisë në hapat e mëtejshme drejt integrimit në BE. Po ashtu z. Ettore Sequi garantoi Kryeministrin Berisha se delegacioni i Be-së në Tiranë do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë dhe të hapur me qeverinë shqiptare.

Në këtë kontekst, ambasadori Sequi i shprehu vlerësimin dhe përgëzimet më të përzemërta Kryeministrit Berisha për realizimin e ëndrrës së qytetarëve shqiptarë për të lëvizur të, si dhe e cilësoi këtë një arritje të jashtëzakonshme që do të shënohet në memorien e historisë së Shqipërisë dhe të Evropës.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i shprehur ambasadorit z. Ettore Sequi mirënjohjen më të thellë të tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha aspektet e procesit të integrimit, në veçanti për rolin vendimtar të tij në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për të lëvizur pa viza në Evropë.

Duke i bërë më dije rezultatet e reformave në fushat prioritare, Kryeministri Berisha e garantoi ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë se qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit një proces tërësisht të bazuar në preformancë individuale dhe se Progres Raporti i Komisionit Evropian është shndërruar në një program të rëndësishëm pune për qeverinë shqiptare në kuadrin e përmbushjes së reformave.

Ambasadori Sequi e falënderoi Kryeministrin Berisha për angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare, duke vlerësuar se për Shqipërinë është shumë e rëndësishme ruajtja e ritmit dhe ecurisë së deritanishme për të mobilizuar të gjitha energjitë për të ecur përpara në këtë drejtim.


20/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›