E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri të Hungarisë në Tiranë z. János Huszár

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Hungarisë në Shqipëri, zotin János Huszár.

Kryeministri Berisha i uroi ambasadorit Huszár mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re. Kryeministri i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë, duke nënvizuar vizitën e Kryeministrit Orban si një pikë kulmore të këtyre marrëdhënieve.

Kryeministri Berisha theksoi, gjithashtu, se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen edhe me tej, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e investimeve, në kulturë, turizëm, etj. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e siguroi ambasadorin Huszár se investitorët hungarezë do të gjejnë në Shqipëri një klimë miqësore biznesi dhe do të gëzojnë mbështetje të plotë të qeverisë dhe agjencive shtetërore.

Nga ana e tij, ambasadori i Hungarisë z. János Huszár e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e siguroi atë për angazhimin maksimal për të punuar në ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në nivele më të larta, në interes reciprok. Ai ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se zhvillimi me përparësi i marrëdhënieve ekonomike dhe kulturore mes të dy vendeve e popujve, ashtu si dhe në fusha të tjera me interes reciprok, janë instrumentet më të mirë në përmbushjen e këtij objektivi.

Ambasadori Huszár konstatoi me kënaqësi progresin e madh të Shqipërisë dhe theksoi nevojën që ky zhvillim dhe mundësitë që ofron Shqipëria, ashtu si dhe Hungaria, të bëhen më shumë të njohura për investitorët hungarezë dhe publikun e të dy vendeve. Ambasadori u shpreh se për këtë qëllim duhen organizuar aktivitete me fokus njohjen reciproke të këtyre mundësive. Më tej, ambasadori János Huszár nënvizoi që raportet e shkëlqyera historike të shoqërohen me marrëdhënie po aq të mira mes të dy vendeve, të cilët ndajnë të njëjtat vlera demokratike.

Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se dy projektet më të mëdha të qeverisë shqiptare janë: integrimi në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria vend i zhvilluar. Kryeministri i cilësoi reformat për integrimin evropian si motor i pazëvendësueshëm për modernizimin dhe zhvillimin e vendit e shoqërisë.

Nga ana e tij, ambasadori Huszár shprehu mbështetjen e palëkundur të Hungarisë për integrimin evropian të Shqipërisë. Ai theksoi se Hungaria, si një vend fqinj, është e interesuar që rajoni i Ballkanit Perëndimor të përparojë sa më shpejt në këtë drejtim.

Në takim u ra dakord që të identifikohen projekte dhe fusha në të cilat të fokusohet bashkëpunimi dhe investimet, të cilat mund të shërbejnë si histori suksesi në funksion të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.


27/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›