Kryeministri Berisha priti ambasadoren e re të Australisë, zonjën Jenny Polyxeni Bloomfield, rezidente në Athinë
Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadoren re të Australisë, zonjën Jenny Polyxeni Bloomfield, rezidente në Athinë.
Duke i uruar ambasadores mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Australisë. Gjithashtu, Kryeministri e siguroi ambasadoren se qeveria shqiptare është dhe mbetet e angazhuar për të forcuar me tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, veçanërisht bashkëpunimin në fushën ekonomike. Kryeministri Berisha u shpreh se është shumë i rëndësishëm inkurajimi i bizneseve australiane për të investuar në Shqipëri, një vend me klimë miqësore biznesi dhe potenciale të mëdha.
Ambasadorja Bloomfield e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e siguroi atë për vullnetin e qeverisë australiane dhe angazhimin e saj maksimal për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Gjithashtu, ajo vlerësoi punën dhe reformat e qeverisë për transformimin dhe modernizimin e vendit, si dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në luftën kundër terrorizmit.
Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, zonja Bloomfield shprehu bindjen se edhe investitorët australianë do të jenë së shpejti prezent në Shqipëri. Ajo vlerësoi lart edhe rolin dhe angazhimin e komunitetit shqiptar në Australi. Gjithashtu ambasadorja theksoi se do të ishin me interes në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe shkëmbime vizitash për të ndarë eksperiencat në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Ambasadorja Bloomfield shprehu qëllimin për hapjen e zyrës së përfaqësimit në vendin tonë, e cila u mirëprit nga Kryeministri.
28/09/2011