Kryeministri Berisha pret anëtarin e Dhomës së Lartë të Parlamentit Indian, Dr. Radhakant Nayak
Kryeministri Berisha priti sot anëtarin e Dhomës së Lartë të Parlamentit Indian, Dr. Radhakant Nayak.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Kryeministri Berisha pohoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të çuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për dy vendet dhe popujt.
Zoti Nayak, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, rikonfirmoi vullnetin e vendit të tij për të forcuar marrëdhëniet shumë të mira e miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë si sektori i energjisë, minierave, turizmit etj.. Duke vlerësuar reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare, në veçanti për krijimin e klimës më të favorshme për biznesin dhe investimet, zoti Nayak shprehu vendosmërinë e vendit të tij, për të çuar në një shkallë më të lartë bashkëpunimin me Shqipërinë. Një sinjal i rëndësishëm në këtë drejtim, tha ai, do të ishte shkëmbimi i vizitave i niveleve të larta politike, duke filluar me vizitat midis delegacioneve parlamentare të dy vendeve e më tej.
Në takim u diskutua mbi 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës dhe faktin që kjo figurë e spikatur e humanistes dhe bamirëses së madhe, me origjinë shqiptare, është një faktor i rëndësishëm, i cili lidh ngushtë dhe kontribuon në forcimin e miqësisë mes të dy popujve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare që me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe në kuadër të aktiviteteve festive që qeveria shqiptare ka vendosur të organizojë, të dy vendet të shohin mundësinë e organizimit edhe të një evenimenti të përbashkët, si shprehje e vlerësimit të jashtëzakonshëm të misionit, kontributit dhe personalitetit të Nënë Terezës.
14/06/2010