E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën e mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës”, në Udënisht, Pogradec

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e përfundimit të punimeve dhe pajisjes se shkollës së mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës” në Udënisht, në Pogradec.

Shkolla, me vlerë investimi 26 milion leke të reja, ka 567 nxënës, nga të cilët 110 në arsimin parashkollor. E ndërtuar sipas parametrave më të larta bashkëkohore, kjo shkollë ka 21 klasa, laboratorë modern informatike, bibliotekë, si dhe mjedise komode për nxënësit.

Gjatë qeverisjes demokratike në rrethin e Pogradecit janë investuar 50 herë me shumë se në qeverisjet e mëparshme socialiste. Në infrastrukturë janë investuar 70 milion lekë për ndërtimin e rrugëve nacionale. Janë ndërtuar gjithashtu 23 rrugë rurale e të qytetit, 11 ujësjellës, 16 shkolla dhe 17 ambulanca. është investuar në ujësjellësin e kanalizimet e qytetit dhe impiantin e përpunimit biologjik të ujërave të ndotura.

Qeverisja aktuale ka investuar dhe subvencionuar në bujqësi e peshkim 7 herë më shumë, se qeverisjet e mëparshme socialiste. Kështu, në Udënisht është investuar 20 herë më shumë, se në qeverisjet e mëparshme, duke ndërtuar 3 rrug٥, ujësjellësin dhe shkollën.

Pas vizitës në mjediset e reja të shkollës, Kryeministri Berisha u takua me nxënës, mësues e qytetarë të tjerë të pranishëm në këtë inaugurim.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes ju dhe të gjithë qytetarët e Pogradecit, kudo që janë sot, ju uroj gëzuar inaugurimin e shkollës se re, moderne, me të gjitha pajisjet, një shkollë e vërtetë e standardeve europiane. Sikundër, dua të garantoj sot, fëmijët e Pogradeci se në të katër anët e këtij rrethi dhe në mbarë Shqipërinë, shkollat do të bëhen si kjo që inaugurojmë sot. Në tre vjet, ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat e këtij vendi, që fëmijët shqiptarë të ulen në klasa moderne, njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë Europën.

Qytetarë dhe qytetare të Udënishtit,

Pesë vitet e fundit ishin vitet e ndryshimeve të mëdha të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë.

Sot, liqeni i Ohrit, ky monument madhështor i natyrës në mbarë planetin, është në brigjet shqiptare, një nga liqenet më të pastër në Europë.

Jam këtu për t’u zotuar se kolektori do të shtrihet, ashtu siç ka qenë premtimi i parë, nga Lini në Tushemisht, sikundër, dua t’ju garantoj se do ecet me shpejtësi drejt shndërrimit në bulevard të vërtetë, me trotuare dhe ndriçim, e të gjithë rrugës, nga Lini në Tushemisht.

Me gjolin, natyra ju ka dhuruar një nga bukuritë më mahnitëse të tokës. Ne do të ndërtojmë këtu infrastrukturën më moderne, për të bërë që ju të njihni me shpejtësi bumin e madh turistik që meritoni. Qeveria ka ndërtuar në këtë rreth, me dhjetëra e dhjetëra rrugë të reja, por gjatë këtij mandati, në këtë rreth nuk do të ketë qoftë edhe një rrugë të vetme të paasfaltuar.

Qytetarë dhe qytetare të Pogradecit,

Në 5 vite, ne së bashku kemi përjetuar ngjarjet ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare. Një vit më parë u bëmë anëtarë të NATO-s. Shqipëria është sot më e sigurt se kurrë, në tërë historinë e saj.

Më 28 qershor, qytetarët e Pogradecit dhe të mbarë Shqipërisë votuan në dinjitet të plotë, njësoj si qytetarët europianë, votuan me teknologjinë më moderne, votuan duke respektuar plotësisht votën e njeri-tjetrit, vullnetin e njeri-tjetrit. Ishin këto zgjedhje, mbi bazën e të cilave, për ju, për ne, për fëmijët tanë u morën vendimet më historike nga Bashkimi Europian, siç ishte hapja e negociatave për statusin e kandidatit, dorëzimi i pyetësorit për statusin e kandidatit, pranimi i përgjigjeve për statusin e kandidatit dhe më së fundi, vendimi i Këshillit të Komisionerëve europianë për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Por gjithashtu, këto vite Shqipëria provoi para Evropës, një shembull të vërtetë me ekonominë e saj, një ekonomi e bazuar tërësisht në iniciativën e lirë, në vlerat e tregut të lirë dhe rezistoi ndaj cunamit botëror financiar, më mirë se çdo ekonomi tjetër.

Sot, ne jemi të sigurt në të gjitha projektet e buxhetit tonë, nga të cilat unë do të veçoj rritjen e rrogave dhe pensioneve në qytet dhe në fshat, për 820 mijë punonjës dhe pensionistë të vendit, më të madhe në historinë e Shqipërisë.

Qytetarë dhe qytetarë të Pogradecit,

Krahas këtyre arritjeve historike, në vend qarkon një hije. Qëkur Partinë Socialiste, kupolën e saj e pushtuan pinjollët e bllokut, nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen t’ju nxjerrin juve për të ardhmen, të shkuarën e tuaj të hidhur. Me propagandën e tyre nihiliste, ara përpiqen të zerojnë çdo gjë. Pasi dështuan njëri pas tjetri në të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e integrimit, mos harroni kurrë se vetëm natën që Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, përfaqësuesit e tyre do t’u deklaronin shqiptarëve se ftesa nuk do t’i jepej Shqipërisë. Për të penguar procesin e integrimit, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkuan t’i fusin qytetarët shqiptarë në kuti. Bënë çdo gjë për të nxirë të vërtetën që shndrit dhe do të shndrisë gjithmonë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam. Bojkotuan parlamentin vetëm e vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit. Dhe tani së fundi, si karnavalë të vërtetë ngritën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, e keqja fëmijëve shqiptarë është e mira e bllokmenëve të rinj.

Ndaj ju bëj thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve, le të bashkohemi së bashku në projektin e Shqipërisë europiane, integrimin europian. Le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, ase po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt drejt Europës, me mundin dhe djersën tonë, me reforma. Le të ndërtojmë idealet tona europiane, të ndërtojmë Pogradecin europian, të ndërtojmë Shqipërinë europiane. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”


12/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›