Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij,Kryeministri Berisha informoi deputetët për rritjen e pagave dhe pensioneve, nga data 1 korrik, për 820 mijë qytetarë shqiptarë. Kryeministri u shpreh se po përmbushet programi i qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Më tej, Kryeministri foli edhe për rritjen që Bashkia e Tiranës u ka bërë taksave për biznesin.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Së pari ju përshëndes dhe kam kënaqësinë t’ju informoj se programi i qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve brenda 3 javëve që vijnë bëhet realitet. Ky program zbatohet pikë për pikë, sikundër dhe ishte parashikuar në buxhetin që ju votuat në Parlament.
Kjo është e mundur, para së gjithash dhe mbi të gjitha, nga performanca ekonomike. është rezultante e suksesit të padiskutueshëm të reformave. Ata që menduan apo që u thanë qytetarëve vjet se rritja e pagave dhe pensioneve po bëhet për qëllime elektorale do të dëshpërohen sivjet me rritjen e re të pagave dhe pensioneve, e cila është më e madhe se vjetshmja.
Unë gjykoj se investimi në kapitalin njerëzor dhe ndjeshmëria ndaj kontributit të të moshuarve janë detyrime madhore të kësaj qeverie. Ndaj ne bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh, siç theksova dhe në mbledhjen e qeverisë, realisht duke qenë vendi i vetëm që merr një vendim të tillë. Por ne kemi arsye për ta bërë këtë, sepse jemi vendi i vetëm me treguesit e performancës ekonomike më të mirë dhe është plotësisht e mundshme.
Kështu që me datën 1 korrik 820 mijë qytetarë, 820 mijë familje do të kenë në kontot e tyre, në portofolat e tyre, një shtesë të rëndësishme që tejkalon 2 deri në 7 herë inflacionin, i cili fatmirësisht po ulet. Muajin e kaluar inflacioni u ul me 1.2 përqind. Kjo rritje e rrogave dhe pensioneve i bën qytetarët shqiptarë të ndihen më evropianë. Kjo rritje e rrogave dhe pensioneve këtë vit e bën pagën mesatare në Shqipëri 500 dollarë, e cila 18 vjet më parë ishte 6 dollarë. Nuk ka një vend tjetër që në 20 vite të ketë pasur një rritje të tillë, 80 herë dhe më shumë të pagës mesatare të punonjësve.
Natyrisht, duhet të theksojmë se kjo rritje ka një specifikë tjetër. Ne e gjetëm 230 dollarë në vitin 2005 dhe e bëjmë rreth 500 dollarë në vitin 2010. Pra ndjehemi të lehtësuar, sepse u kemi faktuar qytetarëve shqiptarë respektin për mundin, djersën, punën dhe përkushtimin e tyre; sepse kemi faktuar në mënyrën më të ndershëm se për këtë qeveri i pari është qytetari; sepse kemi faktuar se me këtë politikë kemi bërë rritjen minimale të rrogave më të larta dhe rritjen maksimale të rrogave më të ulëta. Kështu janë vendet demokratike. Ne trashëguam një hapësirë me diferencë 1 me 11 dhe e kemi sjellë tani në 1 me 5 apo 1 me 6. Janë tipike raportet e vendeve të qytetëruara perëndimore. Brezhnjevi dhe Enveri i kishin ato raporte. Punëtori merrte 4 mijë, Spiro Koleka merrte 36 mijë. Kjo është e vërteta, dhe vazhdoi gjatë viteve të mëparshme të qeverisjes socialiste. Atë ndërtesë që ndërtuam duke pasur parasysh parimet e barazisë shoqërore, natyrisht jo identike, e lamë 1 me 5 raportin, e bënë 1 me 11, tani e kemi 1 me 6 dhe do ta çojmë në 1 me 5 raportin e rrogës së lartë me rrogën mesatare.
Sikundër, edhe kësaj here vazhdojmë rritjen më të madhe për rrogat e ulëta. Në qoftë se të lartat thjesht do të indeksohen, rrogat e ulëta do të njohin rritje të ndjeshme. Kjo është, mendoj unë, politikë sociale, politikë e zemrës së dhimbsur. Ne nuk heqim dorë nga ato parime.
Ekonomia ka një start të admirueshëm. Shumë shpejt ju do të njiheni me vlerësimet e një raporti ndërkombëtar më të fundit për Shqipërinë, i institucionit për serioz në Evropë, i cili e bën ekonominë shqiptare dhe Shqipërinë si referencë për suksesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Kjo është meritë e reformave që janë ndërmarrë nga qeveria, që janë votuar në Parlament dhe janë mbështetur nga Parlamenti.
është e dhimbshme kur shoh opozitën që nga mëngjesi deri në darkë flet për borxhin me të njëjtën urrejtje siç flitej dikur për kapitalizmin dhe borxhin e tij. Me këtë logjikë Enver Hoxha pati ndaluar me Kushtetutë OHoHHhhHh
marrjen e borxhit, pavarësisht se e zhyti vendin në mënyrën më anti-kushtetuese dhe në mënyrën më të tmerrshme në borxhe. Ai e shkruaji në Kushtetutë dhe këta kanë nostalgji. Absolutisht, të vetmet parime dhe koncepte që njohin janë ato të etërve të tyre që trashëgojnë. Flasin, mërmërisin, hungërijnë nga mëngjesi deri në darkë për borxhin.
Unë dua tu them qytetarëve shqiptarë se kjo qeveri e ka gjetur borxhin 72 përqind të Prodhimit të Brendshëm, ndërsa sot është 59 përqind. Në strukturën e tij është një nga borxhet më të mira që mund të ekzistojnë. Pjesa dërrmuese e tij, 60 përqind, është në lekë. Edhe pjesa tjetër është në kredi të buta ose mjaft të favorshme nga institucionet ndërkombëtare. Ndaj, i them zotit Rama të lexojë pak më shumë, të thellohet pak te borxhi dhe struktura e tij.
Se problem madhor ekonomik është e vërtetë që ekziston në qytetin e Tiranës ku kapitalistëve të vegjël, mikroborgjezëve, Edi Rama u ka rezervuar barrën më të rëndë fiskale bashkiake. Zoti Rama ka trefishuar taksën e mjedisit; ka pesëfishuar taksën e tabelës; ka shpikur një sistem fiskal sikur Tirana të ishte Pheniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s.
Zoti ministër i Financave,
Parlamenti ka votuar një ligj në të cilin përcakton nivelet e taksave 1 euro për tabelën; përcakton diapazonin që i lejon kryetarit të Bashkisë të shkojë vetëm 10 përqind mbi nivelin e përcaktuar në ligj. Do të bllokohen të gjitha të ardhurat në thesar dhe do të studiohen rrugët që tepricat tu kthehet atyre që ky ua ka marrë mbi ligjin.
Se të dalësh e të shëtisësh nëpër Shqipëri e të flasësh nga mëngjesi në darkë për krizë dhe nga ana tjetër të trefishosh taksën. Një biznesmen njoftonte se nuk është e vërtetë se është 25 mijë taksa e mjedisit, më thoshte se është 34 mijë. E imagjinoni ju zotërinj se çfarë bën ky? Ky u lëshon urrejtje bizneseve. Ky thotë vër tabelën me 300 mijë. Po pse duhet të vësh tabelën me 300 mijë? Për emrin do ta vëri? Dikush mund t’i vendosë dyqanit vendosë emrin e tij. çfarë do t’i thonë, paguaj për emrin tënd? Kanë të drejtë të zgjedhin çdo emër. Pse u dashka të paguajnë emrin e dyqanit? Në vend t’i detyrosh që të kenë emrin e dyqanit si pikë orientimi dhe transparence, i gjobit për emrin, për tabelën. E kuptoni ju? Ajo është vetëm 1 euro, por e garantoj zotin Rama se po vazhdoi kështu s’do mund të marrë as edhe 1 euro, sepse do ta heqim fare me ligj. Taksa e emrit nuk ekziston kund në botë, përveç se tek bashkia e Tiranës. Ja i vuri dikush emrin e djalit, bashkim emrash apo të vendlindjes së tij, do të gjobitet me 300 mijë lekë? Ku i gjen ky këto koncepte dhe na flet gjithë ditën për krizë, na derdh lot krokodili për krizë. Sidoqoftë kjo çështje do një shqyrtim shumë të rëndësishëm. Thesari duhet të zbatojë ligjin.
Zoti ministër i Financave,
Nuk mund tu merret qytetarëve as edhe në qindarkë më shumë nga ç’përcakton ligji. Që të gjitha do tu kthehen, çfarë do të jetë në kundërshtim me ligjin.
Ky është paradoks. Këtej flet për papunësi dhe nga ana tjetër ngarkon me taksa biznesin e vogël. Po kush punëson mor zotëri? Në Shqipëri 99 përqind të vendeve të punës i krijon biznesi i vogël dhe i mesëm. Ky është studimi. Në vend që t’ua lësh ato para që të krijojnë një vend të ri pune, ti ua merr dhe i shndërron në tabela për mitingje; i shndërron në kamionë me ujë dhe ushqime për marrëzira; i shndërron në çadra; i shndërron në pagesa për ata që të vijnë në mitingje. Ku janë këto para, se rrugë nuk shtrohen. Keni parë ju rrugë të shtruara kund? Edhe Koçua i ka hequr tabelat tani, nuk vë më tabela, s’ka më. Imagjinoni ju.
Sidoqoftë këto janë probleme të cilat duhet t’i trajtojë me seriozitetin më të madh Këshilli Bashkiak dhe ministria e Financave duhet të bëjë një kontroll të hollësishëm të të gjithë të ardhurave, sipas zërave , dhe çdo gjë që do të jetë e marrë mbi ligjin duhet tu kthehet atyre që kanë paguar.
Por, në gjithë këtë çështje del në plan të parë rritja më e madhe në historinë e këtij vendi e rrogave dhe pensioneve që bëhet këtë vit. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë. Të gjithë ju, me vjen mirë se ua kishit premtuar zgjedhësve tuaj, tani shkoni të qetë ti takoni.
Siç unë ju garantoj se programet e qeverisë po ecin në të gjitha drejtimet. I pari program që realizohet është që të gjitha rrugët që zbresin drejt detit brenda 2010 do të jenë të asfaltuara 100 përqind. Dhe kjo po ndodh, të nderuar deputetë. Shumë shpejt do të fillojmë autostradën Tiranë – Elbasan, e cila ka vlera kolosale. Përfundoi edhe projekti i tunelit të Qafë Murrizit, sepse u shty pasi në atë kohë që ishte bërë projekti struktura ishte krejtësisht e papranueshme për tunel. Ata kaluan në një kuotë tjetër dhe me sa duket kjo kuotë është shumë e përshtatshme për tunel.
Kështu që qeveria i vazhdon projektet e saj me Boshtin e Jugut, me rrugën e Arbrit, rrugën Qafë Plloçe – Librazhd, e me radhë.
Ne të bëjmë punë, ai le të këndojë bashkë me kupolën e tij këngën e krizës, këngën e zisë. Zoti e ndihmoftë!”
14/06/2010