Kryeministri Berisha pret kryetarin e BDI-së, zotin Ali Ahmeti

Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti.
Kryetari i BDI-së zoti Ali Ahmeti e uroi Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe i transmetoi atij urimet edhe të Grupit Parlamentar dhe ministrave të BDI-së. Nga ana e tij Kryeministri Berisha falënderoi zotin Ahmeti për urimet dhe i kërkoi t’u përcjellë përshëndetjet e tij të gjithë bashkëpunëtorëve.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të situatës ekonomike në vend duke theksuar se në 3-mujorin e parë të këtij viti rritja ka qenë 6 për qind dhe se në dy 3-mujoret pasues ajo do të jetë dukshëm më lartë. Po ashtu zoti Berisha theksoi se në 4 vitet e ardhshme do të zbatohen projekte të mëdha në fushën e infrastrukturës rrugore dhe asaj dixhitale. Kryeministri Berisha informoi zotin Ahmeti se këtë vit se numri i turistëve ka patur një rritje prej 36% nga viti i kaluar dhe se një efekt të veçantë në këtë drejtim ka patur rruga e re Durrës-Kukës. Investimet publike të cilat kapin vlerën e 10% të prodhimit të brendshëm bruto, u shpreh Kryeministri, do të bëjnë të mundur që infrastruktura rrugore të jetë jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare, ku një rëndësi të veçantë do të ketë përfundimi brenda dy vjetësh i rrugës së Arbrit.
Më tej biseda u përqendrua në marrëdhëniet shume te mira midis dy vendeve, ku u vlerësua në mënyrë të veçantë fryma e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e zotit Ali Ahmeti dhe të BDI-së në zhvillimet e brendshme në Maqedoni.
19/08/2009