E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ministren e Drejtësisë së Kosovës znj. Nekibe Kelmendi

Kryeministri Sali Berisha priti të hënën në një takim, ministren e Drejtësisë së Kosovës, znj, Nekibe Kelmendi. 

Pas urimit për anëtarësimin në NATO, si dhe për aplikimin për anëtarësim ne Bashkimin Evropian, Ministrja Kelmendi e njohu Kryeministrin me qëllimin e vizitës, që sipas saj konsistonte në marrjen e eksperiencës së mëtejshme nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë dhe strukturat e tjera në varësi të saj.  Ajo shtoi, se Kosova është një shtet i ri dhe si i tillë, institucionet e saj, duke përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë kishin nevojë për asistencën dhe ekspertizën e institucioneve shqiptare, veçanërisht në fushën e Mjekësisë Ligjore, sistemit të Burgjeve, Noterisë, etj.  Znj. Kelmendi e njohu me tej Kryeministrin për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke vënë theksin në marrëdhëniet institucionale midis qeverisë së Kosovës dhe Eulex, si dhe trajtoi çështjen e zbatimit të ligjit në Mitrovicën e Veriut, si dhe angazhimin dhe punësimin e minoriteteve në strukturat shtetërore kosovare.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vuri në dukje arritjet e mëdha që ka bërë Kosova pas pavarësisë së saj dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë situatën e qetë që ka mbizotëruar në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Kryeministri theksoi se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës po ecën mire, dhe shprehu besimin se në të ardhmen ky proces pritet të intensifikohet pasi priten dhe njohje të reja.  Kryeministri i vlerësoi si mjaft të rëndësishme njohjen në ana e Arabisë Saudite.  Me tej, Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia ishte një proces tashmë i pakthyeshëm dhe se sfida kryesore për Kosovën dhe qytetarët e saj mbetej ekonomia dhe zhvillimi i shtetit të ri.


28/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›