Kryeministri Berisha pret ministrin e Drejtësisë së Estonisë, z. Rein Lang
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Drejtësisë së Estonisë, zotin Rein Lang. Ministri i Drejtësisë z. Lang e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe e informoi për takimin e frytshëm që ai zhvilloi me Ministrin e Drejtësisë z. Nishani, dhe bashkëpunimin që kanë vendosur këto dy institucione.
Zoti Lang theksoi se ministria që ai drejton është e gatshme të kontribuojë në dixhitalizimin e sistemeve të regjistrave të pasurive të paluajtshme dhe rrjeteve të nevojshme të cilat lehtësojnë aksesin e publikut. Për këtë qëllim është rënë dakord krijimi i një Taskë Force të përbashkët për marrjen e përvojës nga Estonia në këtë fushë.
Kryeministri Berisha duke falënderuar për vizitën dhe mbështetjen që Estonia angazhohet të japë në ndihmë të Shqipërisë në fushën e dixhitalizimit të regjistrave të pasurive të paluajtshme vlerësoi si shumë të rëndësishme eksperiencën e tyre në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe e konsiderojë një kontribut të vlefshëm për Shqipërinë.
Gjithashtu, Kryeministri e informoi zotin Lang për progresin që po bën Shqipëria në zgjerimin e shërbimeve on-line dhe angazhimeve që qeveria ka marrë për rritjen e buxhetit dhe investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit. Duke e konsideruar dixhitalizimin e regjistrave pronësor një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, Kryeministri Berisha theksoi se ka angazhuar të gjitha burimet për përfundimin e këtij procesi në një kohë sa më të shkurtër.
Kryeministri Berisha duke e informuar Ministrin Lang, se shumë shpejt Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Estoni, i kërkojë Z. Lang të përcjellë në qeverinë e tij dhe biznesin estonez, klimën favorizuese dhe garancitë që ofron Shqipëria për biznesin. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha në fushën e turizmit dhe energjisë dhe ofron një situatë të favorshme në tregun e punës. Ashtu si vitin e kaluar Shqipëria, është një ndër të paktat vende në Europë e cila vazhdon të ketë rritje ekonomike.
Z. Lang duke shprehur vlerësimet për arritjet që ka bërë Shqipëria sidomos në sektorin ekonomik e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, dhe u angazhua në forcimin e bashkëpunimit misi dy vendeve.
11/03/2010