E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku

25 mars 2011

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Gjatë takimit dhe bisedës të zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, Presidenti Topi vlerësoi faktin se klasa politike dhe qytetarët kosovarë, edhe pas zgjedhjeve të fundit dhe konstituimit të institucioneve legjitime, vazhdojnë të dëshmojnë maturi, përgjegjshmëri të lartë dhe ndërgjegjësim për sfidat thelbësore për konsolidimin e shtetit multietnik dhe të institucioneve demokratike, jo vetëm në aspektin politik e ekonomik, por dhe në atë të sigurisë, duke ruajtur integritetin territorial të shtetit më të ri në Ballkan.

Kryetari i Shtetit, duke vlerësuar punën e të gjitha segmenteve të forcave të sigurisë së Kosovës, theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së maturisë politike dhe të respektimit të të drejtave të të gjithave pakicave, duke besuar në këtë mënyrë në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës.

Në vijim, Presidenti Topi dhe Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, u ndalën në trajtimin e disa çështje të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, konkretizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe projekteve të përbashkëta në fushën e sigurisë. ‘Ne e vlerësojmë përvojën tuaj, sepse ju vini nga lufta, dhe lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë një sprovë e motivimit, e forcës, e karakterit dhe profesionalizmit tuaj” – theksoi Presidenti Topi.

Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, edhe në funksion të integrimit në strukturat euro-atlantike, sepse “busulla e Kosovës është padyshim Brukseli”.

Ministri Çeku vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të partneritetit të shkëlqyer dhe bashkëpunimit të frytshëm mes Shqipërisë e Kosovës për integrimin në NATO e në BE, me dëshirën që edhe shteti i Kosovës të shndërrohet përfundimisht nga konsumues i sigurisë, në prodhues të sigurisë.

Presidenti Topi dhe Ministri kosovar i Forcave të Sigurisë, Çeku diskutuan edhe për situatën në rajon, duke u pajtuar në të njëjtin mendim se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të shtetit të ri demokratik e shumëetnik, paqja, siguria dhe qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor janë rritur e forcuar ndjeshëm duke bërë që vendet e rajonit të projektohen drejt zhvillimit e integrimit në familjen e madhe evropiane e strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›