Fjala e Kryeministrit Berisha në Konventën e Partisë Demokratike, ku u prezantua programi për Rininë

- Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit më të madh të të rinjve në historinë e vendit
- Shqipërinë e ëndrrës ju do ta ndërtoni katër vitet që vijnë. Ne do ta ndërtojmë atë së bashku
- Së bashku do të shkojmë drejt fitores së shkëlqyer, fitores së 23 qershorit, fitores në të cilën ne do të rikthejmë edhe njëherë uraganin e vitit 1992, fitores që do të shndërrojmë Shqipërinë në vend të zhvilluar, në vend të punësimit masiv të qytetarëve, në vend të mirëqenies, në vend të teknologjisë më të lartë
“Të dashur të reja dhe të rinj të pranishëm në këtë sallë, në shkolla, universitete, në Shqipëri dhe kudo që ndodheni,
I dashur Dariel,
I dashur Antonio, miqtë tanë të shkëlqyer, përshëndetjet më të përzemërta ju, Kancelares Angela Merkel, Partisë Populli i Lirisë dhe udhëheqësit të saj Silvio Beluskoni,
Përshëndetje të përzemërta të rejave dhe të rinjve shqiptarë kudo që janë,
Zonja kryetare e Parlamentit,
Zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës,
Zoti kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike,
Të nderuar të pranishëm,
Unë vij sot në këtë Konventë më i frymëzuar, më mirënjohës se kurrë në jetën time ndaj jush. Ne vijmë sot në këtë Konventë pasi nga 8 dhjetori, Dita e Rinisë, e deri më sot kemi zhvilluar së bashku dialogun më të gjerë në historinë tonë, dialog për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e shqiptarëve, dialog për të ardhmen e Shqipërisë, dialog për shkollimin tuaj, për punësimin tuaj, për jetën tuaj që meritoni, për integrimin e Shqipërisë në Evropë, për Shqipërinë e zhvilluar. Vij sot tek ju për t’ju siguruar se ndonëse në moshë dallohemi ne nga njëri-tjetri, unë nuk kam vitet tuaja, por në shpirt dhe në zemrën time ndjej, përjetoj, perceptoj çdo gëzim tuajin, çdo sukses tuajin, çdo brengë tuajën, çdo arritje tuajën dhe çdo dështim që veçse ju bën juve të qëndroni të vendosur për suksesin e radhës.
Unë sot nuk kam moshën tuaj, por forca e pathyeshme e imja qëndron në zemrat tuaja, besimi im është në energjinë tuaj, përkushtimi im në vizionin tuaj. Ja pse unë ndjehem gjithnjë bashkëmoshatar me ju, ndjehem i frymëzuar nga ju, i udhëhequr nga ju, i vendosur t’ju ndjek ju hap pas hapi, t’ju udhëheq ju deri në shndërrimin e ëndrrave tuaja fisnike në realitet.
Të reja dhe të rinj,
të pranishëm në këtë sallë dhe në mbarë Shqipërinë,
Unë nuk kam moshën tuaj në vite, por jemi bashkëmoshatarë në liri. Mosha jonë e lirisë është e njëjtë. Ajo është mosha që ju me guximin, me trimërinë, me vizionin tuaj ia dhuruat çdo shqiptari, ma dhuruat mua, ia dhuruat shqiptarëve kudo që janë.
Në këtë Konventë dua t’ju rrëfej se në ditët më të zeza të diktaturës, tek rendja i vetmuar rrugëve të Tiranës, isha i bindur dhe besoja si tek Zoti se me forcën tuaj do të përmbysnim diktaturën, do të çelnim për shqiptarët rrugët e lirisë.
Atje në karrigen ngjitur me mua është ulur Joana, një e re nga Korça. Joana më rrëfeu: jam rritur që fëmijë me veprimtari të Forumit, jam rritur me aktivitete politike. Ju jeni vajzat dhe djemtë që u mbrujtët me parimet e lirisë, me parimet e qendrës së djathtë, me besimin e madh te liria e individit, me besimin e madh te forca e lirisë së tij, me besimin e madh tek respekti për lirinë dhe me besimin e madh tek vlerat, tek Evropa.
Unë jam dëshmitar se në 20 vite të gjitha reforma e mëdha të këtij vendi kanë firmën tuaj, kanë djersën, mundin dhe vizonin tuaj të shkëlqyer. Gjatë këtyre muajve së bashku me ju kemi diskutuar dhe ridiskutuar, kemi debatuar dhe ridebatuar më shumë se për çdo gjë tjetër për shkollën, për shkollimin, për shndërrimin e ëndrrës tuaj intelektuale, ëndrrës tuaj universale në realitet. Ne së bashku me ju çelëm këto vite dyert e universiteteve tona. Ne bëmë që në auditorët e universiteteve të çelë çdo ëndërr universitare e të rinjve shqiptarë. Sot, ju keni një ndër ndjekjet më të larta në Evropë dhe në botë të universiteteve. Shqipërinë po e lartësoni çdo ditë në mendjet tuaja.
Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën dhe për t’u zotuar para jush se bashku me ju, së bashku me prindërit tuaj, me mësuesit dhe pedagogët tuaj, më vëllezërit dhe me motrat tuaja, ne do të lartësojmë gjithnjë e më shumë cilësinë e mësimdhënies. Ne do të ngremë gjithnjë e më lartë ndërtesën madhështore të mendimit shqiptar, të mendimit tuaj intelektual.
Ne së bashku do të bëjmë çdo gjë që dija, mësimi, eksperimenti, studimi të jetë plotësisht i përshtatur me tregun, të jetë energjia jua, energji e magjisë së tregut, zhvillimit dhe prosperiteti.
Në takimet që kam zhvilluar këta muaj jam takuar me të rinj të shkollimeve më të larta, kam takuar të rinj që u kthyen nga shkollat më prestigjoze në botë për të punuar në Shqipëri dhe me të tjerë që studiojnë me përkushtim të madh; takova ekselencat e universiteteve; takova maturantët e shkollave profesionale; takova të rinj biznesmenë; takova të rinjtë që bënin projekte; takova edhe të rinjtë e papunë. Unë takova ata të cilët mezi prisnin që ëndrrën e tyre intelektuale, dijet e tyre ti vinin në shërbim të vetes, familjes dhe kombit. Unë jam këtu përpara jush për t’u zotuar me solemnitet se së bashku me ju, së bashku me universitet dhe së bashku me shoqërinë do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Ne do të bëjmë çdo gjë që çdo e re dhe çdo i ri të ketë bekimin e Zotit, të gëzojë punën dhe të shpalosë talentin e tij. Unë kërkoj nga të gjithë ju që të pyesni vëllezërit, motrat, shokët dhe shoqet tuaja që janë të papunë, se cilat janë shifrat e papunësisë në Shqipëri dhe cilat janë shifrat e papunësisë në vendet përreth? Ju do të gjeni se në vendet përreth ato janë dyfishuar. E dashur Joana, në Shqipëri ato shifra janë ulur, sepse Shqipëria ka zbatuar programin që ti u njohe dhe besove që në fëmijërinë tënde; sepse në Shqipëri programi i lirisë së qytetarëve, programi i iniciativës së lirë jo vetëm që nuk lejoi rritjen, por shënoi ulje të papunësisë. Shtrojini atyre edhe pyetjen tjetër - sa dhjetëra e mijëra vende pune u shpëtuan nga shkatërrimi, duke mbrojtur Shqipërinë nga kriza? Parzmore e saj ishte liria dhe vlerat e saj. Duke thënë këto, më lejoni t’ju garantoj ju, të garantoj çdo të re dhe të ri të papunë, se papunësia e tij është brenga jonë shpirtërore, se papunësia e tij është zotimi ynë, është përkushtimi ynë dhe se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit më të madh të të rinjve në historinë e vendit.
Ne së bashku përpunuam programin më të shkëlqyer të punësimit që Shqipëria ka njohur për të rinjtë. Ne së bashku hoqëm çdo lloj detyrimi për tre vitet e para për çdo të ri të punësuar. Ne së bashku po orientojmë shkollat dhe universitetet drejt tregut. Ne së bashku trefishuam studentët dhe të diplomuarit në shkollat tona. Ne së bashku po krijojmë sistemin e mikrokreditimit për çdo të ri, për të mbështetur projektet e tij për punësim. Së bashku do të bëjmë që talenti juaj, gjenia juaj krijuese të shpaloset me forcën më të madhe.
Të dashur të reja dhe të rinj,
Sot nuk kam asnjë këshillë për t’ju dhënë, se ju jeni të mençur. Siç e dini, unë në fushata marr gjithnjë këshilla, mendime dhe opinione. Unë kam një kërkesë për t’ju bërë edhe këtë ua bëj i frymëzuar nga ju: ta doni gjithnjë e më shumë Shqipërinë! Dashuria juaj për Shqipërinë është eliksiri i saj, është vis vitalis që do ta çojë atë në lartësinë e ëndrrave tuaja. Askush tjetër më shumë se ju në historinë e këtij kombi nuk ka dëshmuar dashuri më të madhe, më të pastër, më të sinqertë për Shqipërinë dhe kombin. Kurrë, deri në ditën e fundit të jetës sime do të mbeten të pashlyera në memorie thirrja që ushtoi nga zemrat tuaja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Energjia e dashurisë tuaj për Shqipërinë, për integrimin e saj në Evropë është dhe do të jetë leva e Arkimedit që do të integrojë vendin në Bashkimin Evropian.
Të dashur të reja dhe të rinj,
Shqipëria e vëllezërve dhe motrave tuaja në vitin ’90 ishte vite drite larg Shqipërisë që ju keni ndërtuar dhe keni sot. Ajo ishte Shqipëria e mjerimit më të thellë, e skamjes ekstreme, e braktisjes masive. Ndërsa sot, Shqipëria juaj është Shqipëria e cila në 21 vite ka rritur 11 herë Prodhimin e Brendshëm, është rritur më shumë dhe më shpejtë se çdo vend tjetër mbi tokë. Shqipëria sot është Shqipëria e NATO-s. Shqipëria sot është Shqipëria e qytetarëve që lëvizin të lirë në Evropë. Shqipëria sot është vendi që po ndërton rrjetin rrugor ndër më modernët, po ndërton sistemin e shkëlqyer të hidroenergjisë, po ndërton porte dhe aeroporte, po ndërton universitete. Shqipëria sot është krejt tjetër. Shqipëria sot është Shqipëria e moshës dixhitale, Shqipëria e internetit dhe e teknologjive më të larta. Përsëri, kjo nuk është Shqipëria e ëndrrës tuaj. Shqipëria e ëndrrës tuaj është Shqipëria lider në teknologjinë e lartë, Shqipëria anëtare e Bashkimit Evropian, lider në inovacion, në kërkim shkencor, në Hi-Tech.
Dje, në hotel Tirana, ndoqa përfundimin e një gare, ndër më të bukurat që kisha parë në jetën time. Ekipe studentësh konkurronin me projektet e tyre në fusha të ndryshme. Ndër më të shkëlqyerit morën një çmim nga bashkia e Tiranës.
Më lejoni t’ju them se Shqipëria e porteve dhe autostradave, e nivelit të lartë të jetesës, e industrisë dhe prodhimit, e shkollave dhe universiteteve, përsëri nuk është Shqipëria e ëndrrës tuaj. Shqipërinë e ëndrrës ju do ta ndërtoni katër vitet që vijnë. Ne do ta ndërtojmë atë së bashku. Ju do ta udhëhiqni atë drejt ‘the leader’ në rajon dhe më gjerë në teknologjitë më të larta.
Unë së bashku me ju do të shkojmë drejt fitores së shkëlqyer, fitores së 23 qershorit, fitores në të cilën ne do të rikthejmë edhe njëherë uraganin e vitit 1992, fitores që do të shndërrojmë Shqipërinë në vend të zhvilluar, në vend të punësimit masiv të qytetarëve, në vend të mirëqenies, në vend të teknologjisë më të lartë.
Edhe një herë, përshëndetje vëllazërore!
Urimet më të mëdha!
Fitore!
Ne jemi ndryshimi!
Përpara, përpara, përpara!”
25/04/2013