E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës

Kryeministri Berisha priti sot në mesditë, delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
 
Duke i uruar mireseardhjen, Kryeministri Berisha i garantoi vëzhguesit  për  mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në përmbushjen me sukses të misionit të tyre të rëndësishëm. Kryeministri i risiguroi anëtarët e delegacionit për angazhimin e plotë të qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse, për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente, bazuar në të gjitha standardet e kërkuara, duke theksuar se të gjithë komisionerët e mazhorancës do të zbatojnë dhe do të veprojnë në përputhje me ligjin.

Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me ecurinë  e fushatës, e cila sot shënon ditën  e fundit, duke theksuar se kjo ka qenë fushata më e mirë dhe më pozitive e zhvilluar në të gjithë vendin, por veçanërisht në Tiranë. Kryeministri u shpreh se fushata e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, ndryshe nga ajo e opozitës, e cila bazohet në retorikën politike me karakter jo pozitiv, vendosi në fokus interesat  e qytetarit dhe të komunitetit. Kryeministri theksoi se këto janë zgjedhje lokale të përqendruara tek qytetarët dhe jo zgjedhje të përgjithshme ashtu siç i konsideron lideri i opozitës.

Kryeministri  theksoi  angazhimin  e tij të vazhdueshëm  si kryeministër, por edhe si lider i mazhorancës, nëpërmjet thirrjeve për një fushatë të qetë dhe pa tensione, gjë e cila nuk është bërë nga opozita. Kryeministri u shpreh për delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë, se fushata ka shënuar një numër incidentesh, të cilat fatmirësisht nuk kanë patur pasoja për jetën e qytetarëve.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha, iu përgjigj interesit të vëzhguesve lidhur me problematika të ndryshme të aspektit zgjedhor. Kryeministri theksoi se këto zgjedhje po zhvillohen me infrastrukturën më të mirë, me lista të votuesve plotësisht të dixhitalizuara e transparente dhe të një saktësie shumë të lartë, ku mbi 2,7 milion zgjedhës disponojnë karta identiteti, si dhe pjesa tjetër disponojnë dokumente të  ligjshëm identifikimi.

Duke theksuar se qeveria do të vërë në dispozicion të gjitha kapacitet, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e transparencës që sigurojnë vëzhguesit, ndërkohë që shprehu mbështetjen  e plotë për sistemin e numërimit të votave, si një sistem që pavarësisht kohës që merr në dispozicion siguron një numërim transparent dhe siguri të lartë. Kryeministri u shpreh ndër të tjera që kuadri ligjor siguron trajtimin e drejte dhe te plote te ankimimit të garuesve në  këto zgjedhje.

Duke vlerësuar aspektin mediatik të fushatës, kryeministri Berisha shprehu keqardhjen që lideri i opozitës shmangu debatin  e platformave  mes kandidatëve, si mënyra më  e mirë për ti njohur qytetarët me programet  e zhvillimit dhe për ti  ballafaquar këto programe.

Kryeministri i siguroi vëzhguesit se mazhoranca e sheh rëndësinë  e zgjedhjeve të 8 majit, të lidhur ngushtësisht me integrimin evropian të vendit, gjë e cila do të mbetet prioritet kryesor  edhe në të ardhmen.

Nga ana e tyre, vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, falënderuan kryeministrin Berisha për bashkëpunimin dhe shprehën besimin se 8 maji, dita  e zgjedhjeve do të jetë një ditë e qetë  dhe se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standardet. Ata theksuan gatishmërinë e Këshillit të Evropës për të kontribuar sa më tepër në drejtim të transparencës së zgjedhjeve dhe forcimit të demokracisë në Shqipëri.

Kryeministri Berisha premtoi për vazhdimësinë dhe forcimin e procesit e decentralizmit në bashkëpunim me Kongresin  e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

.


06/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›