Kryeministri Berisha: Shqiptarët e presin 8 majin të bindur në fitoren e virtyteve, të vlerave shpirtërore, të bindur në ngadhënjimin e projekteve të tyre për Shqipërinë evropiane

Në vijim të takimeve përmbyllëse për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Elbasanit. Në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të Elbasanit, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
Vëllezër e motra,
Zonja e zotërinj,
I nderuar zoti nënkryetar i Parlamentit, zoti ministër, zotërinj qeveritarë vendorë,
I dashur zoti Durim Hushi, kryetar i ardhshëm i bashkisë së Elbasanit,
Të dashur qytetare e qytetarë të bashkive dhe komunave të qarkut të Elbasanit,
Përshëndetjet më vëllazërore dhe urimet më të përzemërta. Vij tek ju për të sjellë frymën, mesazhin, dritën e fitores nga Gjirokastra në Tropojë, nga Kukësi në Sarandë.
Shqiptarët kudo e presin 8 majin të bindur në ngadhënjimin, në fitoren e virtyteve, të vlerave të tyre shpirtërore, të bindur në ngadhënjimin e projekteve të tyre për qytetet, fshatrat, Shqipërinë evropiane.
Qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
8 maji është vota juaj për Elbasanin, qytetin me infrastrukturën më moderne evropiane, qytetin nyjën kryesore e Korridorit 8 dhe Boshtit të Jugut, është vota për Elbasanin i cili në pranverën e vitit 2013 do të bashkohet me Tiranën. Në pranverën e vitit 2013 me qytetarin e parë të Tiranës, Lulzim Bashën dhe qytetarin e parë të Elbasanit, Durim Hushin, do të presim shiritin e shndërrimit në realitet të një ëndrre fisnike, shekullore, të qytetarëve të mrekullueshëm të Elbasanit, tunelin e Krrabës dhe autostradën që shkurton në më pak se 20 minuta distancën midis këtyre dy qyteteve të mëdha, të bekuara, të mrekullueshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Më 8 maj ju votoni për qytetin tuaj, për qarkun tuaj, për infrastrukturën më moderne dhe evropiane që meritoni. Në 4 vite ne kemi investuar dhe ndërtuar rreth 400 kilometra rrugë. Ju garantoj ju se katër vitet që vijnë qyteti, rrethi, qarku do të jetë epiqendra e investimeve më të mëdha në Shqipëri. Do të ndërtojmë bypass-in dhe unazën e qytetit, do të ndërtojmë segmentin e korridorit të jugut Elbasan – Berat, Librazhd – Qafë Stude , do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti dhe qyteteve të tjera të qarkut, në rrugët e fshatrave e komunave të mbarë rrethit dhe qarkut të Elbasanit. Më 8 maj ju votoni për Elbasanin e potencialeve të mëdha turistike. Jam sot këtu për tu zotuar para jush se autostrada moderne, rrugë, furnizim me ujë dhe çdo gjë tjetër do të ndërtojmë në të katër anët e këtij qarku, në të gjitha zonat turistike, nga Qafë Stude deri në kufi me Skraparin në rrethin e Gramshit.
Me 8 maj ju votoni për Elbasanin djepin e dijes, kulturës dhe qytetërimit të kombit shqiptar, për Elbasanin me kamput modern universitar, për Elbasanin e parqeve të mëdha kombëtare. Zoti Hushi, parku i Krastës do të jetë një nga parqet më të bukura të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Me 8 maj ju votoni për shndërrimin e Elbasanit në një gjenerator të madh të punësimit për qytetarët e tij të mrekullueshëm e të punëdashës. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për zhvillimin dhe ridimensionimin e parkut tuaj industrial.
Kryetari juaj i ardhshëm i bashkisë, bazuar në modelin më të mirë, do t’i ulë taksat biznesit të Elbasanit, do t’i japë mundësi krijimit të mijëra e mijëra vendeve të reja pune, do të shndërrojë Elbasanin në një qytet të bashkuar me Tiranën, të bashkuar me tregun më të madh të rajonit, në një zonë të fuqishme punësimi dhe prodhimi.
Qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
Në katër vite ne kemi subvencionuar 4 mijë hektarë me dru frutorë dhe sera. Ju jap fjalën e nderit se katër vitet që do të vijnë do të subvencionojmë 16 mijë hektarë të tjera. Qarku i Elbasanit do të shndërrohet në kopshtin më të bukur. Shqipëria kopshti më i bukur i Evropës.
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur qytetare dhe qytetarë,
Më 8 maj ju ftoj drejt kutive të votimit për të vlerësuar bindjet tuaja politike. 8 maji është dita e ngadhënjimit të idealeve të lirisë në Evropë, është dita e Evropës, është dita e besimit tuaj tek Evropa, është dita e shpirtit tuaj evropian. Ndaj të votojmë të gjithë si qytetarë të lirë. Në alternativën tonë nuk ka armiq, armiqtë le të ecin në rrugën e vetme apo të vetmisë. Në shtëpitë tonë mirësetëvijë cilido qytetar i Elbasanit, cilido qytetar i Shqipërisë.
8 maji është dita e fitores së madhe. Zoti Hushi, nuk janë poll-et, ata që flasin për fitore, janë zemra, shpirti, sytë e mbarë shqiptareve që kanë të shkruar në ballë fitoren, fitoren, fitoren.
Për ne të parët jeni ju, janë fëmijët tuaja, janë familjet tuaja, komunitetet tuaja, i pari është Elbasani, e para është Shqipëria.
Rrofshi ju!
Rroftë Elbasani!
Rroftë Shqipëria!”
05/05/2011