E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një grup investitorësh sllovakë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me një grup investitorësh sllovakë, në përbërje të të cilit ishin Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Sllovake të Tregtisë dhe Investimeve, përfaqësues të Postës Sllovake dhe përfaqësues të një shoqërie konsulence juridike.

Përfaqësuesit e këtyre kompanive shprehën interesin për transferimin e eksperiencës sllovake në Shqipëri në fushën e politikave për tërheqjen e investimeve të huaja, fushë në të cilën Sllovakia njihet si histori suksesi. Posta Sllovake shprehu interesin për të marrë pjesë në zhvillimin e Bank-Postës në bashkëpunim me Postën Shqiptare.

Gjithashtu përfaqësuesit e grupit të investitorëve sllovakë shprehën interes për zhvillimin e parqeve industriale dhe transferimin e aktiviteteve të kompanive të huaja në to.

Kryeministri Berisha vlerësoi eksperiencën sllovake si mjaft të rëndësishme për t`u studiuar nga institucionet shqiptare, në veçanti në fushën e investimeve të huaja.
Kryeministri inkurajoi investitorët sllovakë të përfitojnë nga mundësitë që po krijon ekonomia shqiptare për më shumë investime në të gjithë sektorët e saj në veçanti nëpërmjet zhvillimit të parqeve industriale, për të cilat në Shqipëri ka filluar zbatimi konkret i tyre. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›