E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Konsolidimi i disiplinës fiskale rol madhor përcaktues, në rritjen e të ardhurave të mbledhura

- Kryeministri theksoi se inflacioni vjetor shënon shifrën e 2.5 %, një ndër më të ultit në Evropë

Kryeministri tha sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD- se inflacioni  i gushtit shënon 2.5 %  një ndër më të ulëtit në Evropë dhe kjo për shkak të prodhimit të bollshëm që ka njohur vendi si dhe të një sërë faktorësh të tjerë.

“Zhurmë e madhe u bë nga opozita dhe mediat e kontrolluara prej saj. E vërteta është se inflacioni vjetor i gushtit është 2.5 përqind, është një ndër më të ulëtit në Evropë. Ky është inflacioni, ndonëse ne u zotuam dhe zotohemi se do ti përgjigjemi çdo rritje, por inflacioni ra gjatë muajve të verës, pati rënien më të ndjeshme se ndonjëherë për shkak të prodhimit të madh, të bollshëm që kemi patur dhe faktorë të tjerë.”

Sidoqoftë, vijoi Kryeministri, ne qëndrojmë për kontrollin e tij pasi ai godet më shumë se të gjithë të tjerët njerëzit me rroga të ulëta, pensionistët, ata të cilët kanë më pak.

Kryeministri theksoi se konsolidimi i disiplinës fiskale ka patur një rol madhor përcaktues, për të ardhurat e mbledhura, të cilat së bashku me ato të vitit të ardhshëm do të tejkalojnë të ardhurat e tetë viteve të marra së bashku të qeverisë së mëparshme.

Më pas, Kryeministri vijoi :“Por disiplina fiskale ka patur efekte të pallogaritshme pozitive në garantimin dhe konsolidimin e lirisë së tregut. Pa një disiplinë fiskale nuk ka liri tregu, ka klientelë, ka kontrabandë, monopole, kjo është ana më e rëndësishme e kësaj disipline fiskale që është instaluar. Unë e pata deklaruar vjet kur ne kapëm mbi 4 miliard dollarë buxhetin: Shqipëria tani e tutje mund të ndërmarrë çdo projekt të madh në interes të qytetarëve të saj. Kështu që duhet të përgëzoj me këtë rast të gjithë ata të cilët kanë bërë të mundur këtë arritje, kanë zbatuar me vendosmëri një politikë fiskale e cila pavarësish nga ulja më e madhe  e taksave në Evropë, ka rritur të ardhurat sa në asnjë vend tjetër të këtij kontinenti me 22 përqind dhe ju garantoj që ka qenë një faktor ky, shumë i rëndësishëm në përmirësimin e klimës së biznesit, e cila ka një ndryshim shumë të madh. Dua të falënderoj të gjithë ata të cilët treguan mirëkuptim për buxhetin e vitit 2009 që të vazhdojë përqendrimi në këto fusha kryesore.

Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që pavarësisht se viti i ardhshëm është një vit zgjedhor, të mos ndikohet nga procesi zgjedhor dhe të mos pësoj lëkundje performanca financiare,si dhe ajo buxhetore.

“Nuk ekziston sot një kryetar komune që ti thotë sot kryeministrit të tij apo ministrit që për arsye partiake më keni bërë këtë padrejtësi. Sot ka kryetar komune që më shkruajnë dhe më thonë se nuk kemi marrë fondet që kemi patur nevojë dhe kemi marrë pak, dhe kanë të drejtë, por këta nuk janë me ngjyra partiake dhe nuk do të jenë me ngjyra partiake. Jo, ne kemi vendosur këtë kulturë dhe do ti përmbahemi kësaj kulture. Partitë janë parti, qytetarët janë qytetarë. Nevojat e tyre janë nevoja jetike. Kam sirena ankimesh nga demokratë, socialistë dhe përpiqemi ti zgjidhim, por asnjëherë të një karakteri partiak.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›