Kryeministri Berisha përshëndet raportin e BB-së “Të bësh biznes”
- “Në analizën që Banka Botërore i bën reformave ekonomike të periudhës pranverë 2007-pranverë 2008, e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në botë në përmbushjen e reformave që ka ndërmarrë.”
Kryeministri Berisha përshëndeti, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, rezultatet për Shqipërinë të raportit të Bankës Botërore “Të bësh biznes”, duke e konsideruar si vlerësim të procesit të reformave dhe klimës së biznesit në vend.
“Sot, është një ditë shumë e veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në analizën që institucioni më serioz i planetit, Banka Botërore i bën reformave ekonomike të periudhës pranverë 2007-pranverë 2008 e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në botë në përmbushjen e reformave që ka ndërmarrë. Në klasifikimin e përgjithshëm Shqipëria lë mbrapa në tërësi rreth 50 vende. Ky rezultat ishte për reformat e një viti, ndërkohë që reformat në vazhdim të këtij viti kanë bërë që Shqipëria të spostohet në pozicionin e saj nga vendi i 136 në vendin e 86, ndërsa në disa tregues Shqipëria po ecën drejt çatisë së botës. Dua t’ju njoftoj se në vlerësim nuk janë përfshirë një seri reformash që nënkuptojnë dhjetëra e qindra vendime, amendime dhe ligje, të cilat janë marrë pas periudhës së mbylljes së datës së raportit,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se raporti do të analizohet hollësisht nga të gjitha ministritë dhe agjencitë për të përcaktuar të gjitha detyrimet që dalin, për të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim dhe për të vazhduar reformat.
Të dhënat e raportit “Të bësh biznes” për Shqipërinë u publikuan sot, në Tiranë, nga përfaqësues të Bankës Botërore.