E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një grup qytetarësh që hynë në ambasada në 2 korrik ‘90

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë e të përzemërt një grup të qytetarëve të cilët ishin nga të parët që hynë në ambasadat e huaja në 2 korrik të vitit 1990.

Në mes tyre ishin zoti Edgar çani, i cili hyri në ambasadën italiane së bashku me djalin 11 muajsh dhe prestarë të tjerë të familjes, zoti Avni Delvina, piktor në profesion, i cili hyri në ambasadën italiane bashkë me gruan shtatzënë, zoti Armand Xhuli me bashkëshorten Vjollca, zoti Arian Bejko i cili hyri në ambasadën gjermane si dhe zoti Agim Seitaj me bashkëshorten e tij zonjën Manjola Tufina.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për aktin e guximshëm të tyre, akt i cili, siç theksoi Kryeministri Berisha, i çeli rrugën hapjes së një kapitulli të ri në historinë e Shqipërisë, kapitullin e demokracisë.

Kryeministri Berisha nënvizoi se ky grup të rinjsh shqiptarë të atyre viteve kishin në gjirin e tyre njerëzit më të guximshëm, të cilët me sakrificën dhe idealet e tyre, i hapën rrugën ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëvonshme të udhëhequra nga rinia e mrekullueshme shqiptare, që sollën mposhtjen e diktaturës dhe erën e demokracisë në Shqipëri.

Gjatë takimit u diskutua me emocion dhe në mes të shumë kujtimeve për ngjarjet e atyre ditëve, vështirësitë por edhe për vendosmërinë e të rinjve të korrikut ‘90 për të rezistuar ndaj presionit të diktaturës dhe për të çuar deri në fund idealet e tyre të lirisë.

Përfaqësuesit e pjesëmarrësve të ngjarjeve të 2 korrikut ’90 i shprehën mirënjohjen Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare për përkujtimin me kaq dinjitet dhe respekt të kësaj ngjarjeje historike, si dhe për punën, përkushtimin e Kryeministrit Berisha për t’i ndryshuar faqen Shqipërisë dhe për të bërë realitet ëndrrat dhe idealet e tyre.

Në fund të takimit ata i dhuruan Kryeministrit Berisha, në shenjë simbolike, fotografinë dhe dokumentin e Edgar Junior çanit, djalit i cili festoi 1 vjetorin brenda mureve të ambasadës italiane dhe që sot në vitet e demokracisë dhe lirisë është një futbollist i talentuar në Itali.


02/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›