E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Bashkim Hoxhën me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”

30 qershor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” gazetarin dhe shkrimtarin e njohur Bashkim Hoxha me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e shtypit të ri demokratik në vend, si zëdhënës dhe mbrojtës i interesave të qytetarëve dhe mbështetës i proceseve progresive.”

Me këtë rast, në ambientet e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit u zhvillua ceremonia e dekorimit në të cilën merrnin pjesë Prefekti i Durrësit, zoti Genci Alizoti, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, zoti Vangjush Dako, zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zonja Suzana Turku, deputetë, autoritetet dhe personalitete të tjera të njohura të këtij qyteti, analistë, gazetarë, e studiues në lëmin e shkencave të komunikimit, etj.

Para fillimit të ceremonisë së dekorimit, Presidenti Topi u shpreh: ’’Mirëmbrëma! Të nderuar zotërinj deputetë! Të nderuara autoritete vendore! Të nderuar qytetarë të Durrësit! Zonja dhe zotërinj!

Natyrisht është kënaqësi e veçantë, por edhe emocion që të jem këtu midis jush për të ndjekur jo vetëm një eveniment të jetës artistike sikurse është ky sonte në qytetin e Durrësit, por kam rastin që duke shfrytëzuar këtë moment, të bëj prezent para jush atë vendim që unë kam marrë, sigurisht edhe mbi bazën e një propozimi, për të dekoruar zotin Bashkim Hoxha me titullin ‘Mjeshtër i Madh’.

Gjithmonë në të tilla raste sigurisht ka një motivacion. Përgjithësisht dekorimet bëhen në Institucionin e Presidentit, por unë kam ardhur sonte këtu jo vetëm për të nderuar figurën e Bashkim Hoxhës, por në radhë të parë për të nderuar qytetin e Durrësit dhe pa diskutim historinë e lashtë të këtij qyteti dhe historinë e tij të re. Një artist, një shkrimtar, një dramaturg, një politikan, patjetër që është i vendosur në hapësirë dhe në kohë. Është i vendosur në vendin e caktuar dhe besoj që çdo figurë që të marrë vlerat e veta, duhet të ketë patjetër mjedisin që e ushqen, opinionin shoqëror që e mbështet, atë mjedis të cilin çdonjëri prej nesh është i detyruar që ta respektojë, por besoj që në këtë lidhje të qenësishme të marrëdhënieve qytetare është edhe mjedisi shoqëror që respekton që duhet, atë që i shërben qytetit, por përtej qytetit, edhe figura që i shërbejnë edhe kombit tonë. Dhe një nga këto figura pa diskutim është edhe ajo e Bashkim Hoxhës, një figurë e cila vërtet na ka bërë që ta nderojmë në formimin e tij shumëdimensional. Atë ne e nderojmë sot si shkrimtar, si dramaturg, dhe mbi të gjitha, në vlerësimin tim si një njeri, i cili për shumë vite ka ditur të ndërtojë shumë mirë artin e komunikimit qytetar. Besoj se jeni të gjithë dakord që atë që Bashkim Hoxha e ka bërë prej vitesh do të lakmohej nga çdo administrator, nga çdo politikan, sepse ai ka shpenzuar minimalisht gjashtëdhjetë minuta të njëzet e katër orëshit që ka dita në funksion të qytetarit duke u hapur qytetarëve atë dritare që ndoshta jo gjithmonë e kanë patur, duke e vendosur këtë lloj komunikimi pa asnjë lloj censure, pa asnjë lloj skenari, pa asnjë lloj parapërgatitjeje, por duke e vendosur drejtpërdrejtë, duke komunikuar me qytetarin më të thjeshtë, dhe besoj në të gjithë dimensionin që ka shoqëria jonë: nga qytetari më i thjeshtë e deri tek më intelektuali. Prandaj ne e falenderojmë Bashkimin!

Duke lexuar kurrikulumin e tij, më bëri përshtypje përveç të tjerave, nuk e kisha në kujtesën time që të them të drejtën, që Bashkimi kishte qenë edhe skenaristi i filmit ‘Në çdo stinë’. Dhe ne Bashkimin kështu e vlerësojmë, kështu e mendojmë, kështu e kujtojmë në gjithë këto vite. Ai në çdo stinë, në çdo ditë të verës, në çdo ditë të vjeshtës, të dimrit, të pranverës, ka qenë personi që na ka bërë të zgjohemi, të marrim informacionin, të prekim realitetin pavarësisht nga pozicioni ku kemi qenë.

Unë edhe njëherë, pa u zgjatur shumë, sepse kemi ardhur për të parë një prodhim intelektual dhe artistik të Bashkimit, komedinë, të cilën kemi dëshirë ta ndjekim të gjithë së bashku, dhe më lejoni të përfundoj misionin tim, atë që ka të bëjë me dekorimin! Edhe një herë ju falenderoj shumë!’’

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Urdhrin e lartë zotit Bashkim Hoxha, i cili ndër të tjera theksoi: “Sigurisht që është një moment i veçantë dhe momentet e veçanta shprehen me pak fjalë. Ju falemnderit zoti President! Unë këtë e quaj një vëmendje jo vetëm karshi kontributeve të mia modeste, por e quaj një vlerësim për të gjithë kontributet e gazetarëve, e qytetarëve, e shkrimtarëve, e të gjithë njerëzve që i janë përkushtuar kësaj kohe dhe kanë vendosur ta jetojnë këtë kohë si thatë ju: në çdo stinë për të qenë vetvetja. Ju falemnderit!”

Pas përfundimit të ceremonisë së dekorimit në Teatrin ‘’Aleksandër Moisiu’’, Presidenti i Republikës së bashku me të pranishmit e ftuar dhe spektatorët e artdashësit e shumtë ndoqën me ëndje krijimin më të fundit artistik të Bashkim Hoxhës: komedinë ‘’Udhëtim pa vizë i një alieni’’.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›