E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret oficerin e Policisë së Shtetit, që ngriti nga toka e mbajti lart më 21 janar flamurin kombëtar

Kryeministri Berisha priti sot në zyrën e tij oficerin e Policisë së Shtetit Amaraldo Izeiri, i cili në 21 janar ngriti nga toka dhe mbajti lart flamurin shqiptar, pasi elementë kriminalë e hodhën nën këmbët e tij, duke e përdorur si një mjet goditës ndaj forcave të policisë në mbrojtje të selisë së Këshillit të Ministrave.  Kryeministri i shprehu në prani edhe të medias oficerit Izeiri mirënjohjen për këtë akt:

Kryeministri Berisha: Sot, jam këtu me oficerin e policisë Amaraldo Izeirin, ish anëtar i njësive tona ushtarake që luftuan në Irak, i cili u bë simboli më i shkëlqyer i mbrojtësve të rendit kushtetues, mbrojtësve të institucioneve kushtetuese të vendit. Në një moment të caktuar, një horr, rrugaç e bandit, që flamurin kombëtar e kishte për leckë, ia vërviti tek këmbët. Amaraldo, krahas mburojës, u ul, mori flamurin dhe ju i keni parë të gjithë pamjet jashtëzakonisht emocionuese. Flamuri i kombit nuk mund të ishte kurrë as për Amaraldon dhe për asnjë shqiptar një leckë që të flakej në rrugë. Flamuri i kombit shqiptar është flamuri më i bukur, por është edhe flamuri kombëtar shtetëror më i vjetër në Europë, është flamuri kombëtar, në të cilin prehen martirët e këtij kombi, nga koha e Skënderbeut gjer më sot, është flamuri, në të cilin prehen të gjithë ata që kanë luftuar dhe rënë për liri e dinjitet njerëzor, flamuri ku prehen luftëtarët e lirisë që çliruan Kosovën me Aleancën e Atlantikut të Veriut, është flamuri, që në dallim nga kombe të  tjera, edhe himnin e kombit e ka të qëndisur rreth tij dhe betimin solemn e ka mbi të.

Oficeri Amaraldo Izeiri: Zoti Kryeministër, kam nderin t’ju jap flamurin kombëtar shqiptar. Për këtë flamur jemi betuar. Unë personalisht e kam për nder, sepse e kam përfaqësuar edhe në Irak, në kontingjentin e parë dhe ia di vlerat. Sinqerisht, atë ditë kur e pashë që e hodhën para këmbëve të mia, thashë me këtë e gjetën të gjuanin! Sinqerisht, edhe u preka, por besova se ky flamur do të më japë edhe forcë për ta mbajtur e ruajtur dhe të kuptoja vetvetiu edhe për shokët që duke pasur atë flamur do të na jepte edhe më kurajë, për të qëndruar sa më shumë përballë turmave. Ju faleminderit.

Kryeministri Berisha: Edhe një herë të përgëzoj e të jesh i bindur se sot, çdo shqiptar kudo që ndodhet, në Shqipëri, në Kosovë, jashtë në mbarë botën, do të donin të kishin mundësi të të përqafonin.

Oficeri Amaraldo Izeiri: Ju faleminderit, është një nder.

Kryeministri Berisha: Do të ndahemi duke ju rrëfyer një gjë të vogël. Pas takimit që bëra atë ditë me Drejtorin e Policisë dhe ministrin e Brendshëm, Drejtori u shkoi të gjithëve me radhë dhe ju tha që porosia e Kryeministrit është që të duroni sa më shumë që të jetë e mundur, që të mund t’u jepni për të kuptuar se ju jeni për të mbrojtur dhe garantuar. Unë e përgëzova Drejtorin për transmetimin korrekt të porosisë, por sot është dita e tij, dita e flamurit.


25/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›