E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret përfaqësues të Caritas-it Evropian

- Shqipëria tashmë është një vend i stabilizuar dhe i kushton vëmendje solidaritetit qytetar, si dhe bashkëpunimit midis shoqërisë civile, komunitetit me qeverinë qendrore e vendore. Këto relacione tashmë janë të garantuara e institucionalizuara me fonde dhe ligj të veçantë

Sot paradite Kryeministri Berisha ka pritur në një takim miqësor përfaqësues të Caritas-it Evropa, të cilët janë në Shqipëri në kuadër të krijimit të rrjetit të Caritas-eve të Evropës Juglindore për përpalljen e emergjencave në këtë rajon.

Në takimin me Kryeministrin merrnin pjesë donatorë dhe përfaqësues të Caritasi-t evropian, me përfaqësues gjermanë, rumunë, bullgarë, kosovarë, belgë dhe turq. Duke e falënderuar Kryeministrin për pritjen ata shprehën vlerësimin për kontributin e qeverisë shqiptare në krijimin e një klime mbështetjeje e bashkëpunimi me Caritas-in shqiptar. Më pas përfaqësuesit e Caritas-it Evropian njoftuan kryeministrin Berisha për organizimin e rrjetit të tyre në rajonin e Ballkanit dhe për objektivat e kësaj organizate në favor të përballimit të rreziqeve dhe shtresave në nevojë.

“20 vjet të aktivitetit të Caritasi-t në Shqipëri përbëjnë një ndihmë të çmuar për popullin shqiptar, - u shpreh Kryeministri Berisha. Organizata juaj ka qenë përkrah qytetarëve shqiptarë, grupeve shoqërore në nevojë në të gjitha situatat si dhe në momente fatkeqësish natyrore, sikurse ishte rasti i përmbytjeve në rrethin e Shkodrës. Për këtë ju jemi mirënjohës.”

“Qeveria shqiptare, - vijoi Kryeministri, - e vlerëson si hap të rëndësishëm krijimin e rrjetit evropian për rajonin tonë dhe këndvështrimin, që ajo synon në menaxhimin e rreziqeve. Kjo iniciativë do të ketë mbështetjen dhe mirëkuptimin e qeverisë shqiptare. Shqipëria tashmë është një vend i stabilizuar dhe i kushton vëmendje solidaritetit qytetar, si dhe bashkëpunimit midis shoqërisë civile, komunitetit me qeverinë qendrore e vendore. Këto relacione tashmë janë të garantuara e institucionalizuara me fonde dhe ligj të veçantë. Në programin dhe veprimin e qeverisë shqiptare do të gjeni përherë një partner të gatshëm për bashkëpunim”, përfundoi z. Berisha


18/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›