E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pret Lordin Alan Watson, personalitet i lartë i poltikës britanike dhe zv/kancelar e përjetshëm i Universitetit Kambridge.

Një prej personaliteteve më të spikatura të politikës dhe akademikëve britanikë, Lordi Alan Watson u prit sot në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Lordi Alan Watson, anëtar i Komisionit të Dhomës së Lordëve mbi çështje të Bashkimit Evropian, konformoi mbështetjen e gjithanshme të qeverisë dhe parlamentit të sapozgjedhur britanik, në aspiratën europiane të Shqipërisë. Forcimi i bashkëpunimit jo vetëm politik, parlamentar, por edhe në ekonomi e veçanërisht në arsim ishin fokusi i bisedës me Kryetares së Kuvendit dhe Lordit Uatson. Britania është një vend mik i yni dhe për ne është shumë e rëndësishme mbështetja dhe partneriteti me këtë vend të fuqishëm në sferën europiane e globale, tha Kryetarja e Kuvendit, duke falënderuar Lordin Uatson për mbështetjen konkrete ndër vite të Britanisë; Mbretëreshës, qeverisë dhe parlamentit britanik. Duke folur mbi vlerat shqiptare, Kryetarja e Kuvendit tha se ndihet shumë krenare, që së afërmi do të hapet edhe në Londër një ekspozitë për nobelisten shqiptare, simbolin universal të dashurisë, Nënën Terezën. Lordi Watson shprehu kënaqësinë e tij për këtë eveniment, duke vlerësuar origjinën shqiptare të Nënë Terezës, si një vlerë unike. Lordi Watson është Kryetar i Unionit të anglofonisë dhe i zgjedhur këtë vit në detyrën shumë të privilegjuar në hierarkinë akademike britanike dhe botërore, si zëvendëskancelar i përjetshëm i Universitetit Kambridge. Në këtë kuadër, Kryetarja e Kuvendit dhe Lordi Watson, i cili mori një ditë më parë titullin Honoris Causa, nga Universiteti i Tiranës diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin në fushë e arsimit, dhënies së bursave për studentët shqiptarë dhe shkëmbimit të përvojës mes universiteteve të dy vendeve.



Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›