E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhja e grupit e parlamentar të Partisë Demokratike

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha kërkoi që kreu i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama tu kërkojë falje publike atyre qindra e qindra intelektualëve që i ka etiketuar me epitete të padenja. Këta intelektualë, - u shpreh Kryeministri, - me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe intelektuale, mbështesin dhe kontribuojnë në mënyrë thelbësore në projektin evropian të Shqipërisë.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:

“Të nderuar deputetë,

Zonja deputete,

Sot, këtu para jush, dua tu shpreh mirënjohjen time më të thellë, falënderimin tim më të përzemërt, atyre qindra e qindra intelektualëve shqiptarë të të gjitha fushave, të cilët me përgjegjësinë më të lartë qytetare dhe intelektuale mbështetën e mbështesin procesin e integrimit të vendit; si dhe kontribuojnë në mënyrë thelbësore në projektin evropian të Shqipërisë.

Sikundër, në mënyrë të veçantë, dua t’i drejtohem sot kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama që të kërkojë ndjesë publike ndaj elitës së kombit për vlerësimet dhe etiketimet e tij, ndoshta në momente dëshpërimi dhe uroj që të kenë qenë në momente dëshpërimi, ndaj intelektualëve më të shquar të vendit duke i cilësuar ata me epitete jashtëzakonisht të padenja, duke i cilësuar ahengxhinj, sazexhinj, çingie. Pra duke përdorur fjalë kazani, siç thotë Faik Konica. Këto fjalë janë të palejueshme në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, për asnjë qytetar shqiptar ndaj elitave të kombit.

Së pari, unë apo zoti Rama nuk e bëjmë dhe as nuk e zhbëjmë dot elitën. Ajo është pasuria më kryesore kombëtare. Ajo mbart të gjitha visaret më të çmuara të kombit. Elita e kulturës dhe artit ka privilegjin dhe avantazhin e madh të jetë kujdestarja, arkitektja, gardiania, por edhe ndërtuesja e më kryesores që ka një popull, identitetit të tij. Kombi nuk ka asgjë më jetike për të qenë i tillë saç ka identitetin. Identitetin e kombit nuk e ndërtojnë politikanët, nuk e bëjnë dot as ndërtuesit, nuk e ndërtojnë dot as biznesmenët, as kompanitë multinacionale, identitetin e kombit e ndërtojnë, e kurojnë dhe e zhvillojnë njerëzit e kulturës dhe të artit. Kjo është e vërteta! Të shpallësh çingie apo sazexhinj gjenitë e letrave shqiptare që kanë pushtuar hapësirat e botës, të muzikës, të pikturës, të skulpturës, të këngës, vetëm e vetëm se morën guximin të të drejtohen njëherë në dizaprovim të plotë të asaj që ti bën, jo vetëm lëndon çdo qytetar të këtij vendi, por ti në një mënyrë apo në një tjetër ngrihesh absolutisht kundër qenies së kësaj shoqërie dhe këtij kombi. Edhe ne politikanët kemi elitën tonë, misionin tonë, por nuk duhet të harrojmë se elita tjetër apo elita të tjera në tërësinë e tyre, shumë herë më tepër se politikanët, janë të ndërtuara mbi bazën e shkëlqimit dhe ekselencës. Në art, në kulturë, në shkencë, në performancën, në talentin, në gjeninë e tyre krijuese dhe kudo është suksesi i tyre që i bën të ngjisin shkallët e elitarizmit.

Nuk janë media ata apo deklarata të përditshme siç kanë politikanët. Ata nuk i kanë këto lehtësira. Unë kam vlerësim për politikanët, por duhet të jemi të ndershëm dhe realist se elitarizmi i tyre aq sa në të gjithë spektrin e tij ka më shumë boshllëqe se ai kulturës, artit, shkencës. Ti i përçmon.

Po marr elitën e mjekëve. Zoti Rama, kur ti shkon në spitalin infektiv, kush mendon se e drejton atë spital? Kush e udhëheq atë spital. Edhe ai mjeku që të pret ty zoti Rama është një djalë i ri që është kthyer nga Kanadaja dhe i kanë hapur vendin ata që kanë firmosur. Ai bën mirë që të pret, bëjnë mirë që të presin dhe të presin me respekt, por edhe ti bën mirë që ti respektosh dhe jo ti fyesh siç bën. I pavdekshmi Fulbright thotë: Kur elita ngre çështjen, qeveria nuk mund të refuzojë! Një kauzë e elitës është kauzë e parefuzueshme, na pëlqen apo nuk na pëlqen ne. Mbi ç’bazë i lejon vetes ti fyesh? Unë shpresoj të jetë dëshpërimi, sepse ka edhe mekanizma të tjerë. Elita sulmohet në të gjitha ato raste kur tjetri mendon se injoranca e tij vlen më shumë se vlerat dhe dija e tyre. Kjo është fatale. Kur sulmohet elita? Elita sulmohet vetëm mbi baza klasore totalitare, mbi bazat e proletkultasit që ta fshijmë këtë dhe të krijojmë kulturën e proletariatit. Ishte doktrinë e dështuar. Kur sulmohet elita? Kur ti verbërisht beson se me populizëm mund të mposhtësh vlerat që ajo mbart. Nuk po kërkoj idealizimin, por ti nuk mund të thuash me përçmim ahengxhinj për ata të cilët po rrezatojnë shpirtin dhe identitetin e kombit në mbarë botën. Nuk mund të thuash sazexhinj për ata që debutojnë në skenat më serioze të Evropës dhe botës. Nuk mund të sulmosh ata që përfaqësojnë sot elitën e letrave, e arteve pamore dhe shkencave. Kjo është akoma më fatale kur ti vetë ke një background artistik. Ai background artistik duhet të të kishe mbrujtur ty me respektin më të thellë për elitën, por druaj se të ka shërbyer për të kundërtën. Druaj se dështimet e tua personale në këtë fushë të kanë bërë ty të urresh sukseset në këto fusha. Nga ana tjetër, druaj se një motiv mund të jetë edhe background-i i abortarizmit tënd artistik. Por se cili është e gjen vet ti.

Ndaj elitës asnjë politikan i nivelit të tillë nuk mund të sillet, nuk mund ti lejojë vetes kurrë të përdorë valët e radios dhe televizionit për të ofenduar në mënyrë të tillë. Ata kanë të drejtë të jenë të ashpër me ne, por ne nuk kemi të drejtë të jemi të ashpër me ta sepse ne me veprimet tona mund të lëndojmë qenien e tyre, mundë të lëndojmë ëndrrën e tyre, mund tw lëndojmë projektin e tyre. Ndërsa ne, absolutisht, nuk kemi të drejtë. Në definicion, çfarë është artisti në raport me ne? Ai është një krijues i përjetshëm me pushtetin. Në këtë funksion ai është promotor i shtytjes përpara, i zhvillimit. Zoti Rama, ti e quan veten pa pushtet? Po e përsëris diçka të njohur, pas Kryeministrit njeriu më i pushtetshëm është kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Zoti Rama, kam dhe diçka tjetër. Kjo elitë ka një specifikë dhe ki shumë kujdes. Këta nuk janë njerëz që kërkojnë leje ndërtimi, këta nuk kërkojnë troje, këta nuk drejtojnë sipërmarrje të mëdha apo kompani ndërtimi. Këta kanë fletën e letrës dhe mjetet për të shkruajtur mbi të; kanë penelin për të derdhur gjeninë krijuese në kanavacë, në beze apo në letër. Ata kanë pëlhurat, instrumentet, partiturat, librat, stetoskopin, mjetet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Këta dhe mund të na qortojnë ne, por ne nuk kemi të drejtë ti lëndojmë ata, nuk kemi të drejtë ti ofendojmë ata. Nuk duhet ta harrosh këtë asnjëherë, sepse ata kanë një specifikë tjetër. Rreth tyre kombi është më në unison se rreth ndokujt tjetër. Cili është ai që nuk admiron futbollistin e shkëlqyer? Cili është ai që e pengojnë bindjet politike për të adhuruar këngëtarin virtuoz, instrumentistin e madh apo për të shijuar krijesat e mrekullueshme të Alush Shimës, Ali Osekut, Ibrahim Kodrës apo të tjerë me radhë. Ke bërë gabim më të rëndë se kurrë. Këtë e them si intelektual, e them me bindje, por të ftoj që po nga ajo platformë tu kërkosh falje.

Mos harro se pala tjetër, që jemi ne, nuk ka lëshuar fjalën më të vogël ndaj Luiza Xhuvanit dhe nuk do të lëshojmë, sepse edhe ajo i përket elitës artistike të kombit. Ajo ka të drejtën, në një kohë kur ju po e shpallni si Jan Husin artisten e madhe Rajmonda Bulkun. Këtë e bëtë vetëm se ajo bëri një thirrje si artiste, me ndjenjat, dhembshurinë dhe preokupimin e saj. Unë dëshiroj që të kërkosh ndjesë zotëri. Nuk ka arsye të mos reagojë elita. Elita reagon sepse ajo qëmton të vërtetat shqiptare në art, në skenë, në letra. Ti kërkon ti bindësh ata se u vodhën votat? Votat, zotëri, nuk janë paratë e atij UFO-s sindikale që ndan aty. Votat janë sekreti i shqiptarëve, janë sekreti i tyre, janë vullneti i tyre, janë firma që ata vendosin mbi to. Më trego një fakt të vetëm, se si mund të besojë elita të pabesueshmen? Si mund të të besojë elita se këtë betejë nuk e ke për pushtetin tënd personal? Si mund të të besojë elita, si mund të të pranojë elita të krijosh në bulevardin më kryesor të kombit një kamp të vërtetë përqendrimi, burgimi? Zotëri, ti do t’i ngujoje këta njerëz, por ti ngujoje në kushtet e duhura dhe jo në kushte të tilla barbarie. Cili nga elita mund ta pranojë një gjë të tillë? Cili mund të pranojë që ti përplasësh qenie njerëzore në mes të bulevardit, në temperaturë 2° dhe 15°? Cila është elita? Askush nuk mbart më shumë se ata dhe më të pa prekura se ata ndjenjat e atdhetarisë dhe patriotizmit. Ata janë patriotë. Si mund të pranojnë ata nj gjë të tillë? Ndaj do të ishte në nderin tënd të kërkojë falje.

Atë kampingun mbaje sa të duash. Unë e kam bërë zgjedhjen time: respekt të plotë! Unë, edhe një herë do t’ua them shqiptarëve, në qoftë se do të kisha dashur brenda 15 minutave, për arsye sigurie, largohej nga aty ku është. Por meqenëse kishte diçka personale, meqenëse ishin para derës së ndërtesës ku unë punoja, unë preferova të qëndroja strikt për arsye personale. I jap përparësi të drejtës së protestës para çështjes së sigurisë. Këtë nuk do ta bëj në asnjë rast tjetër për qytetarët e tjerë. Në mënyrë absolute e para do të jetë çështja e sigurisë. Por në këtë rast doja t’ju jap një shembull, pavarësisht se jam Kryeministër, pavarësisht se 3 metra larg ke vendosur çadrat, fletët e të cilave si ngre hap kurrë. E keni parë ju që nuk ngrehet fleta. Maksimumi që penetrojnë janë gazetarët e grevës. Ju që jeni këtu nuk keni fletëhyrje për aty, sepse po erdhët tek unë shiheni me dyshim.

Për ta mbyllur këtë takim me një mesazh, zoti Patozi më informoi se sot ka një ngjarje në jetën artistike. Artistja e shquar Edi Luarasi ka datëlindjen dhe t’a urojmë të bëhet 120 vjeç! Kryeministri i ka dërguar një buqetë me lule, ndonëse Parlamenti është më i shpejtë, sigurisht!

Dëshiroj të uroj dhe të përshëndes të gjithë artistët, studiuesit, shkencëtarët, për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, për qëndrimin e tyre dhe zoti Rama të mos harrojë se ishin këto elita të artit, shkencës, letrave, në vitin ’90 dhe jo elita politike, se ajo ishte në kampin tjetër, që u sollën lirinë shqiptarëve. Zoti Rama të mos harrojë se një pjesë e madhe e atyre që kanë firmosur kanë qëndruar krah për krah me studentët dhe qytetarët e Tiranës deri në përmbysjen e diktaturës. Zoti Rama të mos harrojë se janë ata qindra intelektualë, artistë, shkrimtarë, mjek, inxhinierë, artistë dhe absolutisht një numër i konsiderueshëm i tyre besojnë si alternative socialdemokracinë evropiane. Po, sepse atë sistem mendimi e quajnë ata, por nuk mund të pranojnë kurrë absurdin, mashtrimin, përçudnimin, barbarizmin e një kampi të ngritur mbi pllakat e bulevardit. Ata nuk mund të pranojnë kurrë lëndimin e një kryeqyteti vetëm e vetëm se pse ti je kryetar Bashkie dhe mendon se mund të bësh çdo gjë me trafikun e qytetarëve të tu. Stadi është shumë i hershëm. Kjo që ndodh është jashtëzakonisht absurde.

Pra, elitën nuk e kemi militantizon dot. Hiqe nga mendja. Ajo është gjakftohtë. Ajo edhe qeverinë e qorton. Në natyrën e saj nuk është kurrë të qortojë opozitën. Në këtë mënyrë është ngritur vetëm në vitin 1991 për të pasur rolin e saj përcaktues në fatin e vendit. Uroj dhe dëshiroj me gjakftohtësi, jashtë të gjitha komplekseve, trashëgimive të papërshtatshme e gjëra të tjera, të gjesh forcë për t’u kërkuar të falur elitave të kombit, të cilat i ke lënduar më shumë. E vërteta është se publikisht, edhe ata që i burgosën dhe i ekzekutuan, nuk guxuan kurrë të përdornin gjuhë të tillë. Ata i ekzekutuan pa gjyqe, por nuk u shprehën dot në mënyrë publike siç u shprehe ti zoti Rama në maj të vitit 2010 për elitën shqiptare.

Faleminderit!”


17/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›