Kryeministri Berisha pret zv/kryeministrin e Maqedonisë z. Abdylaqim Ademi
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zv/kryeministrin e Maqedonisë, z. Abdylaqim Ademi. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zv/Kryeministri Ademi folën mbi diskutimet që patën mes tyre.
Kryeministri Berisha: Me zv/kryeministrin e Maqedonisë, z. Abdylaqim Ademi patëm një takim shumë të përzemërt. Ne diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për hapësirat e mëdha për shtytjen më përpara të këtyre marrëdhënieve. Theksova edhe një herë qëndrimin dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat me vendin mik, Maqedoninë. Vlerësoj të gjitha arritjet e reformave të rëndësishme dhe të shumta që janë bërë në Maqedoni. Vlerësoj progresin e ndjeshëm që është shënuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje e cila përbën një themel shumë të fortë ligjor për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë.
Sikundër, besoj se zbatimi i plotë i saj është interesi më i mirë jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i mbarë qytetarëve të këtij vendi mik. Dua të theksoj se për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për rajonin, paqja, stabiliteti dhe integriteti i Maqedonisë janë të një rëndësie parësore, janë interesi jetik. Në këtë kontekst, në të gjitha takimet që kam pasur, me zotin Ali Ahmeti, me zotin Menduh Thaçi dhe tani me zotin Ademi kemi një pikëpamje identike të njëjtë. Gjithashtu, vlerësoj dhe konsideroj realisht pozitive hapat e marrë nga të dy vendet fqinje dhe mike për zgjidhjen e problemeve që janë të lidhura me emrin dhe këto vende do të hapin një kapitull të ri në të gjitha marrëdhëniet bilaterale midis tyre, por edhe në integrimin e Maqedonisë në NATO, në Bashkimin Evropian dhe kudo.
Zv/Kryeministri Abdylaqim Ademi: Pata kënaqësinë të takohem me Kryeministrin Berisha, me të cilin bisedova për situatën dhe për tema të përbashkëta për dy vendet tona. Konstatimi i përbashkët është se Shqipëria dhe Maqedonia kanë një perspektivë euroatlantike. E falënderova Kryeministrin Berisha për të gjithë përkrahjen që u ka dhënë deri më tani në veçanti shqiptarëve, por edhe për përkrahjen që i ka dhënë në përgjithësi Maqedonisë, në të gjitha proceset që ne jemi të interesuar. Sigurisht, sa më shpejtë të bëhemi vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian.
E njoftova Kryeministrin Berisha për dy çështje shumë të rëndësishme për Maqedoninë. Së pari, me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo Marrëveshje, ashtu siç theksoi dhe Kryeministri Berisha, vuri bazat e një shteti të përbashkët, të një shteti shumetnik, ku çdo qytetar do të ndjehet i barabartë. Së dyti, e njoftova Kryeministrin Berisha edhe për një tjetër proces shumë të rëndësishëm për Maqedoninë, zgjedhja e kontestit të emrit me Greqinë. Sigurisht, me zgjidhjen e këtij problemi, ne menjëherë do të bëhemi anëtar i NATO-s dhe do të fillonim bisedimet për Bashkimin Evropian.
E falënderova Kryeministrin Berisha edhe për përkrahjen e madhe që i jep Maqedonisë për tu bërë anëtare e NATO-s, sepse Shqipëria, tashmë si anëtare e NATO-s, po jep kontribut për stabilitetin jo vetëm të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, por për stabilitetin e të gjithë rajonit. Bashkërisht konstatuam se stabiliteti i secilit vend në rajon është i rëndësishëm, sepse çdo ngjarje dhe çdo ndodhi që ndodh në vendet tona fqinje mund të ketë reflektime edhe në vende të tjera. Prandaj, konstatimi i përbashkët është që vetëm stabiliteti dhe paqja e rajonit garanton edhe perspektivën euroatlantike të dy vendeve tona. Sigurisht, ne biseduam edhe për lidhjen infrastrukturore të dy vendeve tona, veçanërisht për lidhjen hekurudhore, të autostradave dhe lidhjet.
05/05/2010