Këshilli i Ministrave shqyrton disa vendime të rëndësishme
Këshilli i Ministrave mori sot në shqyrtim disa vendime të rëndësishme, ndër të cilat vendimi “Për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara dhe për përcaktimin e shpërblimit, të personave të tretë, në administrimin e pasurisë", i propozuar nga ministri i Financave.
“Ligji i ri ka filluar të veprojë. Në përputhje me këtë ligj, prokuroria ka vendosur një rishqyrtim të dosjeve dhe po bëhet një punë shumë e mirë, sëbashku me Policinë Kriminale. Lufta kundër mafias, pa ia shkatërruar pasurinë asaj, është iluzion, se ata e drejtojnë, menaxhojnë dhe e zgjerojnë rrjetin. Ndaj edhe ky është një zhvillim shumë pozitiv”, u shpreh Kryeministri.
Një tjetër vendim i rëndësishëm, i miratuar sot, është dokumenti i politikave për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë. Lidhur me të, Kryeministri Berisha tha se në mënyrë të vazhdueshme, po ecet me akte ligjore dhe nënligjore drejt ‘Shqipërisë dixhitale’. “Të gjitha agjencitë, qeveritare dhe shtetërore, që kanë për mision realizimin e Shqipërisë tjetër, asaj dixhitale, - theksoi Kryeministri - po punojnë me përkushtim dhe zhvillimet janë të pandërprera”.
Një projektligj i rëndësishëm në rendin e ditës ishte ai “Për faljen”. Kryeministri Berisha, duke e përcaktuar një detyrim kushtetues, tha se ky projektligj ligj përforcon të drejtën kushtetuese të Presidentit të Republikës për faljen. “Kushtetuta, - tha Kryeministri - i njeh Presidentit të drejtën e faljes dhe parlamentit të amnistisë. Por në çdo vend ka një procedurë ligjore për procesin e faljes dhe ky projektligj, i hartuar dy-tre vjet më parë, përcakton kushtet dhe kriteret ligjore që duhen aplikuar në procesin e faljes, e cila është një dhunti, sepse shteti dënon, por edhe fal. Pavarësisht se ndonjëherë ngjall sentimente shqetësuese për raste të caktuara, sërish shteti nuk tërhiqet kurrë nga ky virtyt që është falja. Dhe këtë, në tërësi Kushtetutat ia atribuojnë kryetarit të shtetit”.
05/05/2010