Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të 5 Majit
- Ne nderojmë sot të rënët e kombit, nderojmë lirinë, si një vend më i lirë se kurrë në historinë e tij, si një vend i cili po ndërton idealin demokratik dhe idealin e lirisë, në një rrugë të sigurt
- Fakti që protestohet para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para, vlerat e lirisë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Pasi vendosi një kurorë me lule në përkujtim të veprës së atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, kryeministri Berisha u shpreh se sot është një ditë meditimi për lirinë dhe se shqiptarët po nderojnë sot të rënët e kombit, po nderojnë lirinë, si një vend më i lirë se kurrë në historinë e tij, si një vend i cili po ndërton idealin demokratik dhe idealin e lirisë, në një rrugë të sigurt.
Kryeministri Berisha në nderim të kësaj dite, zhvilloi vizita edhe në familjen e martirit të demokracisë, Azem Hajdari, si dhe dëshmorit Riza Cerova. Duke u përshëndetur me të afërmit e të ndjerit Hajdari, gjatë vizitës në këtë familje, kryeministri Berisha u shpreh: Nderim për çdo kënd që ka dhënë kontributin për liri. Për Azemin më shumë se për këdo tjetër. Gjithnjë është nderuar dhe do të nderohet. Arritjet e Shqipërisë janë ngushëllimi më i madh për Azemin dhe për të gjithë ata që u flijuan për liri dhe dinjitetin e kombit. Sot ne i nderojmë më mirë se kurrë” theksoi kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha duke përkujtuar heroizmin e Dëshmorëve të Atdheut, u shpreh para familjarëve të dëshmorit Riza Cerova se: “Në emrin tim dhe të qeverisë përulem me nderimin më të madh para veprës burrërore, heroizmit të tij, kontributit në historinë e këtij vendi, si dhe për të gjithë të rënët, sakrifica e të cilëve ka bërë që Shqipëria të mbijetojë dhe shqiptarët të kenë një perspektivë të sigurt në ndërtimin e së ardhmes”.
Më gjerësisht, duke iu përgjigjur edhe interesimit të mediave, kryeministri Berisha u shpreh:
Sot çdo shqiptar, mbarë kombi përulet me nderimin më të madh, respektin më të thellë para sakrificës sublime, flijimit të bijve dhe bijave të tij më të mirë për çështjen e lirisë, dinjitetit kombëtar. Sot shqiptarët nderojnë të rënët e të gjitha kohërave, çmimin e madh, ndoshta më të madh se çdo komb tjetër, që ata kanë paguar për liri dhe dinjitet. Nderimi i madh sot është për familjet e tyre, njerëzit më të dashur të të cilëve ranë për t’u bërë të pavdekshëm, ranë që ne të jemi të lirë.
Por sot është një ditë meditimi për lirinë dhe për të gjithë ata për të cilët liria është një pasion i madh, kanë arsye që të vlerësojnë kontributin e vet, kanë arsye të ndjehen të lehtësuar për sakrificën e jashtëzakonshme që është bërë për të qenë të lirë. Ne nderojmë sot të rënët e kombit, nderojmë lirinë, si një vend më i lirë se kurrë në historinë e tij, si një vend i cili po ndërton idealin demokratik dhe idealin e lirisë, në një rrugë të sigurt. Ky vit na gjen ne pakrahasimisht më afër ndërtimit të këtyre idealeve. Këtë vit ne zhvilluam zgjedhjet më të lira në historinë e vendit, zgjedhje të lira dhe të ndershme; këtë vit ne si komb duhet të ndjehemi krenar sepse 27 qeveritë e vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian vendosën për Shqipërinë dhe shqiptarët të hapin dyert për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian; këtë vit Komisionin Evropian i dorëzoi Shqipërisë pyetësorin me 2284 pyetje. Autoritete shqiptare dorëzuan tri javë më parë në Bruksel përgjigjet apo librin më të madh të shkruar ndonjëherë në historinë e këtij vendi për të vërtetat, politike ekonomike, shoqërore të shoqërisë shqiptare. Por liria është ajo që bëri apo standardet e saj, bënë gjithashtu që ekonomia jo e madhe e një vendi që 20 vjet më parë ishte në kolaps të plotë ekonomik, i rrokullisur në radhët më të fundit të zhvillimit ekonomik në planet, të qëndrojë më mirë se çdo ekonomi tjetër përballë cunamit të madh ekonomik dhe financiar botëror. Sot kemi shumë arsye për të nderuar me krenari, jetën dhe veprën e atyre që u flijuan, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, por që dhe me sakrificën e tyre ndërtuan themelet e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur.
Pyetje: Megjithatë zoti Berisha, opozita vazhdon të jetë në grevë urie, në kërkim të votës së lirë?
Përgjigje: është e vërtetë dhe unë për grevën e urisë kam vetëm një koment: në një anë fakti që protestohet para ndërtesës së Kryeministrisë u bën nder të gjithë atyre që kanë si të para, vlerat e lirisë. Dhe unë dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se do të mund të ushtrojë në liri të plotë të drejtat e tij kushtetuese. Së dyti natyrisht shpreh ndjeshmërinë time për vuajtjen e deputetëve dhe qytetarëve në grevë, vendim të cilin unë nuk do t’ia kisha këshilluar kurrë, por nuk kam alternativë tjetër përveç respektimit të tij. Sikundër më duhet të them edhe një herë se Sali Berisha është Kryeministri i vendit, nuk është as gjykatësi, as prokurori i këtij vendi. Dhe unë nuk mund të marr, nuk mund të imagjinoj të trajtoj vendime gjykatash, apo të marr përsipër funksione prokurorësh.
Pyetje: Ka pasur reagime edhe nga faktori ndërkombëtar zoti Berisha?
Përgjigje: Reagimi im është ky që shpreha. Përshëndetje.
05/05/2010