Kryeministri Berisha prezanton në Cakran, kandidatët për deputetë të qarkut të Fierit

“Të dashur banorë të Cakranit.
Mallakastriotë dhe mallakastriote kudo që jeni sonte;
Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta, nderimin tim më të madh, si për këtë pritje vëllazërore, por edhe për mbështetjen, që ju keni dhënë projekteve të përbashkëta me qeverinë shqiptare. Projekte këto që kanë ndryshuar jetën tonë, jetën e kombit tonë. Projekte këto që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, projekte që bënë të mundur heqjen e vizave, lëvizjen tonë të lirë në mbarë Europën. Projekte këto që bënë të mundur rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe që brenda këtij viti do të kemi edhe statusin dhe më pas do të hapim edhe negociatat për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian për të realizuar ëndrrën tonë Europiane.
Ju përshëndes juve, sepse këto vite me lumenj djerse, me një punë vetëmohuese, ju ia keni dalë të bëni gjithçka, që nga fermat tuaja të merrni sa më shumë, për të rritur mirëqenien tuaj, për të ndërtuar një jetë sa më të mirë. Unë jam sot këtu për tu siguruar ju se qeveria do të bëjë çdo gjë, që ju njerëzit punëtorë të Cakranit, Mallakastrës dhe mbarë Shqipërisë, që djersa juaj e ballit të shpërblehet më mirë, që ju të nxirrni nga balta e tokës suaj të ardhura gjithnjë e më të mëdha. Këto vite ne kemi dëshmuar fshatrave, komunave dhe zonave rurale të vendit përkushtimin tonë të plotë dhe total. Mbi 60 përqind e taksave tuaja, taksat e shqiptarëve, janë përdoruar për të shtruar rrugët ujësjellësat, kanalizimet në Cakran, në Mallakastër, në Fier në mbarë Shqipërinë. Ne i qëndrojmë kësaj alternative, sepse ne jemi të bindur se ju pavarësisht se ku jetoni, jeni qytetar të barabartë para ligjit, ju meritoni dhe duhet të keni infrastrukturë moderne njëlloj si në lagjet e qyteteve.
Ndaj dhe ne rindërtuam rrugën Koshovicë –Cakran, rindërtuam pothuaj çdo shkollë të kësaj komune, kemi ndërtuar ujësjellësa dhe Cakrani furnizohet mirë më ujë. Ndihemi krenarë më ju, me punën tuaj, kemi financuar 42 mijë projekte fermerësh, nga të cilat qindra e qindra në Mallakastër dhe ato janë shndërruar në ullishte, në vreshta, në sera, në biznese moderne. Por prapë, kemi punë për të bërë, prapë kemi rrugë për të ndërtuar në Mallakastër, në Cakran dhe në gjithë Shqipërinë. Kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometra, por rrugët e Shqipërisë janë 18 mijë e 300 kilometra, kemi gjetur të asfaltuara gjithsej 2430 kilometra rrugë. Ne do ti asfaltojmë rrugët kudo ku jetojnë shqiptarët.
Katër vitet që vijnë, ne do të ndërtojmë në Shqipëri sistemin më modern të vaditjes dhe për këtë ju jap fjalën se do të jetë projekti ynë më madhor. Ne po i afrohemi finalizimit të rrugëve dhe ne do të shkojmë drejt një sistemi vaditës ndër më të mirin. Katër vitet që vijnë, ne do të trefishojmë grantet për ju. Kemi dhënë 56 milion do të japim 165 milion dhe unë kam bindje se ju me këto grante, me kursimet tuaja, nuk do të lini pëllëmbë toke pa nxjerr prej saj, më të mirën që mund të nxirret. Unë e di se këtë vit ju keni pasur vështirësi në shitjen e vajit të ullirit. Unë ju ftoj juve që kjo të mos jua zbehë aspak pasionin për mbretin e të gjitha pemëve ullirin. Ju garantoj, se ju jeni njerëz të mençur, ju e dini se prodhimi i vajit të ullirit nuk mund të plotësojë kurrë kërkesat e mëdha rajonale, europiane dhe botërore për të. Atëherë kemi një problem me tregtimin. Do të ulemi sëbashku me ju, do të vendosim sistemin më të sigurtë të çertifikimit. Do të bëjmë gjithçka që të inkurajojmë partnerët që të blejnë vaj ulliri. Nga të katër anët e botës, vaj të cilësisë më të mirë, por lutja ime për prodhuesit e vajit është gjithashtu të bashkëpunojnë më afër për ta reklamuar atë më mirë në Shqipëri, më mirë në Kosovë më mirë në Maqedoni.
Zonja dhe zotërinj.
Kjo është alternativa jonë, ajo bazohet në mundin tuaj, ajo bazohet në djersën tuaj, besimi ynë tek ju, se ju nëse ndihmoheni dhe lehtësoheni jeni të zotë dhe të aftë për të ndërtuar një të ardhme gjithnjë e më të mirë. Cila është alternativa tjetër? Ndiqeni vete çdo ditë. Çdo ditë shtron pyetjen pse qeveria si ka bërë këto vite dhe thotë se do ti bëjë tani. Naiv. Qeveria këto vite ka ndërtuar dhe rindërtuar 10 mijë kilometra rrugë, me të cilat po ecën me autobuzin mavi, por xhamat nuk e lejojnë ti shohë. Qeveria këto vite ka financuar 1300 projekte në shkolla dhe në këtë komunë pothuaj çdo shkollë është rindërtuar, dhe po kështu në vende të tjera. Qeveria këto vite ka ndërtuar mbi 360 ujësjellësa, ka ndërtuar mbi 420 sisteme kanalizimesh. Qeveria po vazhdon ndërtimet në të katër anët. Po ku i ke projektet, çfarë rrugësh premton se do të ndërtosh, çfarë ju premton qytetarëve përveçse jelekut të Sali Berishës!?
Shoku i autobuzit që nuk ka absolutisht asnjë alternative, e dëgjoja dje në Kutalli, u thoshte fermerëve , ju betohem se atë që kam bërë për Tiranën do të bëj për ju. Mashtrime të tilla fermerët nuk kanë nevojë. Fermerët kanë nevojë t’ju sigurosh se do t’jua mbrosh prodhimin dhe jo do tu lëshosh invadim të tmerrshëm nga Bota dhe Europa. Fermerët kanë nevojë t’ju ndërtosh vaditjen, kanë nevojë t’ju ndërtosh rrugën. Pa djersën e derdhin ata lumë më shumë sesa unë dhe ti. Dëgjojeni, ka dy premtime konkrete, njëra është të rrisë një taksë, tjetra është të heqë një taksë. Biznesmen të Fierit? Sa ishin taksat kur erdhëm ne në pushtet sa paguanit tatim fitim? Paguanit 25 përqind. Sa paguanit mbi të ardhurat personale? Paguanit 23 përqind. Sa paguani pasi erdhëm ne? Paguani 1/10 e asaj që merrni. Pra me këtë taksë ai kërkon me çdo kusht të shkatërrojë vende pune, të largojë biznese nga Shqipëria, të largojë investitorët e huaj nga Shqipëria, sepse taksa progresive e tij është e damkosur si taksa, e cila rrënon vendet e punës. Çfarë premton tjetër? Nga një anë shkon dhe qan hallin se nuk është shitur vaji u ullirit dhe normal që duhet tua qajë hallin, nga ana tjetër thotë se unë do të heq TVSH për vajin. Por nëse heqim TVSH për vajin? Atëherë Italia, e cila ka nja 600 milion rrënjë ullinj, Greqia, e cila ka nja 400 milion rrënjë ulliri, Spanja, e cila ka nja 800 milion ullinj, do të sjellin vajrat e tyre dhe do na mbeten neve ullinjtë pa vjellë, sepse s’ka leverdi më. Do të heq TVSH për qumështin. Janë dhjetëra, mijëra fermer, të cilët kanë blerë lopë race ose kanë blerë dhi race dhe me qumështin e tyre begatojnë familjet. Por nëse gjemitë me qumësht nga vende, të cilat paguajnë 3.5 euro në ditë, për lopën do të vijë në Shqipëri dhe qumështi ka kosto më të ulët dhe qumështi i lopëve shqiptare do të jetë i pa vlerë, kështu që humbet çdo mundësi fitimi për ju. Do të heq thotë TVSH për grurin. Ku mund të maten parcelat tona një hektarëshe me grurin që prodhohet në parcela mijëra hektarëshe ne Ukrainë, në Rusi, në Kanada, në Argjentinë, në SHBA, atëherë i bie që ne të mos mbjellim dot një kalli gruri, sepse natyrisht do të jetë më i lirë gruri që vjen me gjemi. Këto janë premtime, të tjera konkrete shoku i autobuzit nuk ka. Mori këtë taksën e heqjes së TVSH për makineritë e biznesit. Ka memorie të shkurtër. Jetonte në Paris kur ne, në ’95 e kishim hequr atë. Ne s’po bëjmë gjë tjetër, por po kthejmë taksat më të ulta, sepse ne i besojmë një sistemi taksash të ulta, ku ju me lirinë tuaj ekonomike begatoni veten dhe fitoni më shumë. Këto janë dy alternativa, njëra pra, e cila ju premton juve mbështetje të gjithanshme rrugë, shkolla, ujësjellësa, kanalizime, ju premton rritje të rrogave dhe pensioneve në mënyrë të vazhdueshme, pasi ne kemi dyfishuar rrogat, kemi dyfishuar pensionet në fshat. Unë jam këtu për tu dhënë fjalën juve se me njeriun që ju do, njëlloj si do veten e tij, njeriun që trupin e ka në Tiranë, por shpirtin në Mallakastër, me Bedri Mihën dhe Sokol Olldashin do të bëjmë realitet çdo projekt tuajin zoti kryetar i komunës, do të investojmë në Cakran, në Mallakastër dhe do të bëjmë gjithçka që ju me djersën e ballit të fitoni gjithnjë e më shumë.
Përpara për zhvillimin e Cakranit.
Votoni numrin 44.
Votoni për fitoren.
Votoni për Cakranin në Europë, për Fierin në Europë.
Rroftë Cakrani.
Rroftë Mallakastra.
Rroftë Shqipëria.”
08/06/2013