E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerë të komunës Gosë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë një vizitë në komunën Gosë, Kavajë, ku fillimisht zhvilloi një vizitë në pemëtoren e zotit Mersin Lika dhe më pas zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë të kësaj zone si edhe me eksportues nga Kosova dhe Mali i Zi. .

Pemëtorja shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh dhe në të janë mbjellë ftonj, shegë, mollë, etj. Gjithashtu, ky fermer kultivon edhe perime fushe në një sipërfaqe prej 30 hektarë. Prodhimet e fermës së zotit Lika tregtohen dhe eksportohen nga kooperativa e grumbullim eksportit të perimeve dhe frutave "LIKA”, në Gosë, Kavajë, e cila vitin e kaluar ka eksportuar 7 000 tonë perime, me një përfitim prej rreth 3 milionë euro.

Në komunën Gosë kanë përfituar nga grantet e qeverise plot 250 fermerë, me një shumë prej 500 milion lekë, të orientuara kryesisht në ujitje dhe blloqet me ullinj e pemë të ndryshme frutore.

Në fjalën e tij, në fillim të bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari ju falënderoj shumë përzemërsisht që jeni sot këtu për të biseduar së bashku. Ju siguroj se kam vlerësimin më të madh për ju dhe vetëdijen e plotë se në çdo skaj të vendit, aty ku shoh diçka të bukur, jam i vetëdijshëm se është djersa dhe mundi juaj, puna juaj fisnike. Frymëzuese është një kthesë e vërtetë që unë konstatoj kudo që shkoj, një përpjekje e madhe për të nxjerrë sa më shumë fitime me djersën tuaj nga toka juaj. Në këto vite kemi investuar për infrastrukturën e fshatit mbi 60 përqind të buxhetit çdo vit. Ne do të vazhdojmë të investojmë, sepse besojmë se shqiptarët kudo që të jetojnë, në qytet apo në fshat, duhet të kenë rrugë të asfaltuara, ujësjellës, kanalizime, shkolla moderne për fëmijët, qendra shëndetësore dhe sistem vaditje, për ata që jetojnë në fshat. Natyrisht, ky është një projekt gjigand dhe janë investuar miliarda, por përsëri do të vazhdojmë. Në rast se 5-6 vjet më parë fshati shqiptar ishte 99.9 përqind tërësisht në baltë për sa u përket rrugëve, sot ju garantoj që të paktën ¾ është asfaltuar dhe ka mbetur ¼ , por edhe atë do ta asfaltojmë.

Unë jam i vëmendshëm ndaj çdo kërkese. Shpesh ndodh që bashkëpunëtorët e mi të më thonë – epo këta tani kërkojnë t’ua asfaltojmë rrugën edhe midis arave. Edhe ato do t’ua rregullojmë, sepse edhe ato kanë vështirësi. Pra ne do të bëjmë gjithçka që ju të mëkëmbeni gjithnjë e më shumë. Ky është një qëllim. E tërë shoqëria duhet ta dijë se lumenjtë e djersës që ju derdhi nuk shkojnë vetëm për familjet tuaja, por shkojnë edhe për shoqërinë, sepse eksportet e kompanisë, të mallrave tuaja, kanë një efekt jashtëzakonisht pozitiv në bilancin tregtar të vendit. Kjo, sepse prodhimet tuaja kanë një efekt shumë të rëndësishëm në çmimet brenda vendit, në mbajtjen e tyre brenda arsyes. Pra ky investim bëhet së pari për një barazi të qytetarëve para ligjit. Ju jeni qytetarë shqiptarë dhe kudo që jetoni duhet të keni infrastrukturë të njëjtë. Së dyti është interesi juaj edhe i gjithë shoqërisë shqiptare.

Dua të theksoj se jam shumë i frymëzuar nga ju, sepse kudo që shkoj unë shoh punën e jashtëzakonshme që ju keni bërë. Nëse hedh sytë dhe sheh, kudo gjen djersën tuaj, diku në plantacione me ullinj, me vreshta dhe me forma të tjera. Absolutisht, Shqipëria po ndryshon siç nuk ka ndryshuar ndonjëherë në këto vite.

Për në këtë ne kemi dhënë 56 milionë dollarë, por këto nuk janë as 1/5 e asaj që ju keni bërë me paratë tuaja. Por këto para që ne kemi dhënë kanë shërbyer, sepse 10 përqind e fermerëve kanë përfituar nga këto grante. Ne do t’i financojmë 3 herë më shumë fermerët dhe nga 56 milionë dollarë që është aktualisht, ajo do ta bëhet 165 milionë dollarë. Kjo është fjala ime e prerë dhe unë i qëndroj fjalës së dhënë. Unë besoj se kjo politikë është një interes kombëtar dhe e mbaj me forcën më të madhe.

Ne para 2-3 muajsh menduam të heqim TVSH-në për materialet edhe plehrat kimike, si dhe të heqim akcizën për naftën, por fermerët më thanë që ato para nuk vijnë te ne, por i merr tregtari. Edhe kishin të drejtë. Ne e kthyem atë vendim dhe do t’u japim fermerëve paratë në dorë për akcizën e naftës, TVSH- për traktorin që blini, për veglat e punës, për plehun kimik dhe çdo gjë që duhet për prodhim. Ne do të vendosim një raport që kurrë nuk ka ekzistuar, por jam i bindur se kjo është në interesin më të mirë të vendit dhe të kombit në tërësi. Ky raport do të bëhet real ashtu siç e bëmë reale edhe dhënien e granteve, për të cilat fillimisht kishte skepticizëm. Por ja që paratë u dhanë edhe janë financuar 42 mijë projekte. Edhe këto para do t’u jepen juve qindarkë për qindarkë për të gjitha shpenzimet. Kjo është mbështetja që ne premtojmë.

Unë sot jam këtu për të marrë mendime nga ju, të dëgjoj propozime, sugjerime, si të ecim më shpejtë, si të ecim më mirë, ç’të bëjmë që ju të fitoni më shumë.

Ju falënderoj shumë!

-Zoti Kryeministër, të urojmë mirëseardhjen në fermën “LIKA”

Kryeministri Berisha: Zoti President i firmës “LIKA” të përshëndes përzemërsisht për punën e shkëlqyer që bën dhe suksesin që ke arritur. Sot ju eksportoni 7 000 ton prodhime bujqësore në mbarë Evropën. Kjo është në arritje shumë e madhe. Unë ju falënderoj shumë edhe për organizimin e kësaj bisede, me të cilën ne synojmë si ta përmirësojmë më shumë punën tonë.

-Jam pensionist dhe gruaja ime, Makbule Xhani, ka dalë në pension prej 7 vitesh, por nuk marrim paratë. Kam çuar në gjykatë të gjitha dokumentet, kam çuar dëshmitarë, por gjykata nuk i merr parasysh. Edhe kryetari i komunës ka dërguar vërtetim, por as atij nuk ia marrin parasysh.

Kryeministri Berisha: Unë do të ngarkojë specialistët më të mirë të ligjit të pensioneve dhe besoj se e ke të qartë se shteti nuk mund të ketë asnjë tendencë pengese pensioni për qytetarët. Madje tendenca jonë është që në fshat i kemi dyfishuar pensionet. Për këtë nuk ka askush asnjë paragjykim.

-Në rastin konkret specialistët më të mirë të ligjit të pensioneve do të merren për të parë se çfarë argumentesh shtesë mund të ketë në mënyrë që çështja të rigjykohet. Derisa ju i jeni drejtuar gjykatës, pushteti ekzekutiv është i pafuqishëm të ndryshojë vendimin e gjykatave, në Shqipëri dhe kudo. Ajo që mund të bëjë pushteti ekzekutiv është që të ngarkojë specialistë, të cilët rishqyrtojnë edhe një herë ligjin dhe ju me avokatin tuaj të jepni argumente të tjera në procesin gjyqësor. Rihapet procesi gjyqësor. Të garantoj se nuk ka kurrë tendencë ti mohohet pensioni asnjë njeriu. Ai jepet sipas ligjit.

Jam një eksportues nga Mali i Zi. Përshëndetje zoti Kryeministër dhe të nderuar prodhues. Ju falënderoj për mikpritjen dhe urime për mallrat cilësore që keni

Kryeministri Berisha: Edhe unë dua t’ju falënderoj ju, të dy kompanitë më të cilat bashkëpunoni. Kompania “LIKA”, ju uroj gjithnjë suksese, juve në Kosovë dhe juve në Mal të Zi.

-Ju përshëndes zoti Kryeministër! Gjej rastin t’ju falënderoj për punën e madhe dhe për përkushtimin që keni bërë ju së bashku me të gjithë qeverinë tuaj. Kush ka sy e shikon, kush ka arsye dhe mendon, ato janë një realitet i prekshëm në të gjithë shoqërinë shqiptare. Vij nga një shoqëri e përpunimit të bulmetit dhe kam dy pyetje. E para lidhet me rimbursimin e TVSH për prodhimet e fermerëve. Rimbursimi sipas ligjit është me 6 përqind. E dyta lidhet me informalizimit për tregtinë dhe konkurrencën jo shumë të ndershme në fushën ku operoj. Së fundmi, në mandatin e tuaj te tretë një vëmendje e madhe  duhet të jetë për personelin e administratës, sepse kemi edhe penalitete që kanë qenë shqetësuese.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për problemet që ngritët këtu dhe ju siguroj që skemën e rimbursimit do të bëjmë gjithçka për ta vendosur. Ky është interesi më i mirë i çdo fermeri, i cili merr diçka duke e deklaruar, por do të bëjmë gjithçka që shlyerja e detyrimit të bëhet në çdo kohë dhe në kohën më të parë. Shqetësimi juaj qëndron.

Së dyti,  po marr korrupsionin. Lufta jonë kundër korrupsionit ju garantoj se është me zero tolerancë. Të gjitha procedurat dixhitale që ne i bëjmë, në radhë të parë i bëjmë kundër korrupsionit. Në qoftë se bëmë prokurimin elektronik, ne e bëmë atë që të mos të përjashtonte tjetri ty. Para vendosjes së prokurimit elektronik merrnin pjesë 8 mijë kompani në tenderë, pas vendosjes së prokurimit elektronik marrin pjesë 56 mijë kompani në tenderët e përgjithshme të shtetit. Për korrupsionin nuk ka gjë më jetike sesa denoncimi i tij. Reformat kanë rëndësi shumë të madhe, pa to nuk luftohet korrupsioni, por korrupsioni pa denoncim edhe pa ndëshkim nuk luftohet si duhet. Dua t’ju rrëfej se 90 përqind e rasteve të dënuara për korrupsion, edhe janë me qindra, janë meritë e atyre që i kanë denoncuar. Nuk janë të pakta mesazhet që më vijnë mua direkt, ku më thonë që ‘filani’ më kërkoi para. Por unë një kërkesë besoj se mund t’ua bëj, u kërkoj të na ndihmojnë që ta verifikojmë. Ky është interesi më i mirë i të gjithëve ne. Në këtë mënyrë ne luftojmë një sëmundje shumë të keqe.

Ne kemi rritur rrogat në mënyrën më të fuqishme dhe do vazhdojmë t’i rrisim ato. Pra ne përpiqemi që të krijojmë një mjedis që të mos ketë korrupsion. Vetëm se lufta kundër tij kërkon një bashkëpunim edhe me qytetarët.

Për informalitetin jam plotësisht dakord me ty. Ne do të bëjmë gjithçka. I kemi forcuar shumë rregullat për informalitetin në krahë pune, etj. Edhe në këtë luftë ne jemi të inkurajuar nga vetë ndihma që na japin bizneset. Ai dërgon mesazh dhe thotë – këtu jam unë që paguaj taksat dhe tre të tjerë janë të paregjistruar. Natyrisht, kjo është gjysma e punës. Pjesa tjetër i takon atij që ka përgjegjësi. Ne do të bëjmë gjithçka që ta konsolidojmë luftën kundër korrupsionit. A ekziston një luftë kundër tij? Besoj se ekziston dhe të jeni të sigurt se të gjithë treguesit faktojnë se ekziston, por ajo duhet të thellohet më tej.

Lidhur me administratën ka të bëjë shumë përgatitja, kualifikimi, specializimi i tyre, por ka të bëjë edhe shumë praktika. Ne po përpiqemi që ankesa e çdo qytetari, nga çdo skaj i vendit, të jetë e afishuar në internet edhe të gjurmohet e gjithë rruga, ku filloi, ku ngeci edhe cila është përgjigja. Mendoj se e ky është një sistem i shkëlqyer. Ky sistem do të bëjë që punonjësi i administratës do të jetë shumë më vetëdijshëm për t’i dalë zot vendit të punës. Ky sistem do ta nxjerrë atë në dritën e diellit, para eprorit të tij, por edhe para qytetarit, për mënyrën se si ai i trajton çështjet e arritura.

Ne do të hapim edhe një universitet, për të cilin po marrim një model shumë të avancuar, modelin francez. Ai do të fillojë shumë shpejtë nga puna, me ndihmën e qeverisë franceze. Pra përpiqemi shumë për një administratë më eficiente sesa kjo që është sot. Qeverisja e mirë është një qëllim më madhor yni.

Lidhur me prodhimin, ideja e heqjes së TVSH-së për mallrat e importit, për vajin, për qumështin, për miellin, për bukën është shkatërrimtare për prodhimin vendas. Pasi ti ke një fabrikë qumështi dhe mbledh qumështin e fermerëve, të cilët në çdo lloj situate nuk mund ta prodhojnë kurrë me koston e ulët që e prodhon fermeri francez, gjerman, belg, i cili merr në ditë nga Komision Evropian 3.5 euro subvencion për çdo lopë. Atij sigurisht i del që ta shesë qumështin shumë më lirë. A duhet ne të marrim më lirë atë dhe të shkatërrojmë prodhimin vendas? Kjo do të ishte shkatërrimtare. Kur të vijë kohë që ne tu japim fermerëve tanë 3.5 euro në ditë për lopë, atëherë dhe ne themi të mos ketë taksa. Por deri sa ne nuk i japim dot 3.5 euro, atëherë do të mbajmë TVSH-në për të gjitha këto prodhime. Në fabrika bluarje, fabrika miellin, është investuar një sasi shumë e madhe dhe janë mbi 5 mijë punonjës në to. Po të hiqet TVSH-ja, asnjë fabrikë nuk ka pse bluan më në Shqipëri, sepse mielli del me kosto më të lartë nëse e bluan këtu.

-Zoti kryeministër, në radhë të parë dua të të bëj një kompliment dhe Zoti të dhëntë shëndet, se je i palodhshëm.  Kemi problem lumin Shkumbin, i cili ka devijuar shumë dhe shumë bujqve ju ka marrë tokën. Ne mbështesim qeverinë për punën që ka bërë, për rrugët që na ka bërë pasi tani i çojmë produktet tona më shpejt në Kosovë dhe në Mal të Zi?

Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj shumë për mbështetjen dhe të siguroj, se çështja e derdhjes së Shkumbinit është në trajtim nga qeveria, është një çështje që do ti japim zgjidhje, do të ndërhyjmë në mënyrë të padiskutueshme. Mi garanto fermeret e Vil Bashtovës, se ne do ti mbrojmë tokat e tyre nga gërryerja që ju bën gërryerja e lumit Shkumbin. Do ti kërkoj bordit të kullimit dhe Ministrit të Bujqësisë të marrë masa menjëherë për pastrimin e tij.

-Zoti Kryeministër të urojmë mirëseardhjen. Ne do të të japim votën edhe njëherë ty, me qëllim që të mbash premtimet që na ke dhënë. Dua tu them të gjithë banorëve të Gosës, se po e mori Edi Rama do të mësojmë më keq se kutitë dhe nuk do të bëjë asgjë për katër vite. Ju keni dhënë subvencione për ullinj dhe për arra. Rama nuk e di që vaj i ullirit është një ushqim shumë i çmuar, por ai se ka mendjen tek ullinjtë e ka mendjen ti bjerë dajres. Kam një kërkesë, unë kërkoj që ti jepet vëmendje kanalit Peqin-Kavajë dhe  problemi i dytë është hipotekimi i tokave. Unë votoj për PD dhe të jap fjalën se po bëj përpjekje edhe për ata që kam jashtë shtetit të vijnë në Shqipëri, sepse ju keni rritur rrogat, keni rritur pensionet?

Kryeministri Berisha:  Unë të falenderoj me shumë respekt për të gjitha problemet që ngrite. Ideja jote për ti kthyer nga emigracioni dhe për të ndërtuar këtu jetën, është ide, e cila bazohet gjithçka në besimin që ke ti në atë që ke krijuar vete ti këtu dhe shpresën e madhe se ferma, se biznesi në këtë vend ecin dhe do të ecin. Ju siguroj se do të bëj gjithçka për këtë. Të gjitha çështjet që shtrove i besoj plotësisht si të vërteta. Edhe njëherë duhet të bëjmë gjithçka që bashkërisht tu japim përgjigje disa fenomeneve. Deri dje gjykatësit kanë qenë të mbrojtur me imunitet, sot në Shqipëri nga kryeministri, nga kryegjykatësi, asnjëri nuk ka më imunitet. Natyrisht kur kjo ishte një mburoje për ta edhe prokurori edhe hetuesi  thoshin mos merreni me ta, sepse nuk e shpoj dot mburojën ligjore që ata kanë. E hoqëm dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Sot akoma ka prokuror që nuk kanë vullnet të zbatojnë ligjin, nuk kanë vullnet të ndjekin zyrtarin, por të jeni të bindur se këto ditë janë të shkurtra, sepse shumë shpejt do të ketë prokurorë, që do të thonë, ligjet na u bënë dhe ne mund ta trajtojmë zyrtarin si qytetar të thjeshtë, që ne mund ta ndjekim gjyqtarin, ministrin, kryeministrin,   cilindo nëse ai abuzon me ligjin për pushtetin. Natyrisht frutat nuk janë të tanishme, por hapi është shumë i rëndësishme. Së dyti, po përpiqemi që të vendosim disa standarde shumë më të mira në drejtësi. Ligjet po ndryshojnë dhe po vendosen disa standarde më të mira në funksionimin e tyre, po bëhet një transparencë e madhe në procedura sesi zgjidhen rastet.  Hapa po ndërmerren edhe në drejtimin që ju thatë. Ndaj dhe ne qëndrojmë të vendosur të ecim, pasi një gjë theksuat edhe ju. Për këtë qeveri dhe për mua problemi i zhvillimit të fshatit është vendimtarë për zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria nuk mund të zhvillohet me gradaçela, Shqipëria zhvillohet atëherë kur qytetarët e saj të prekin zhvillimin aty ku jetojnë, kjo është Shqipëria  e zhvilluar. Kur ata aty ku jetojnë të kenë tregun, ujë, drita , infrastrukturë njëlloj si vendet  e zhvilluara dhe ne po ecim në këtë drejtim edhe unë ju falenderoj shumë për mbështetjen.

-Përshëndetje zoti Kryeministër. Të falenderoj për vizitën që na bërë sot duke na respektuar me ardhjen tënde këtu. Fitoren me 23 qershor r ke te sigurtë. Populli ka kërkesa por në katër vjeçarin e ardhshëm do ti realizosh të gjitha premtimet e bëra. Para katër isha në Kosovë dhe tani shkon e vjen më shpejt, po kështu në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi, kudo rrugët janë të asfaltuara. Në katër vjeçarin e ardhshëm vëmendjen do e ktheni nga fshati, sepse e gjithë shtëpia për një ditë nuk bëhet.

Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falenderoj shumë dhe ju garantoj se ne do të vazhdojmë në mënyrën më të vendosur përfundimin e kësaj infrastrukture. Do t’ju tregoj një histori të shkurtër. Dy ditë më parë isha në Gramsh. Mbarova mitingun dhe dola në një lokal dhe po pija një kafe. Shikoj kodrat karshi, ishin kodrat e Sulovës, mbjellë me ullinj, qershi kishin krijuar kopshte të mrekullueshme, por ata të cilat në vijë ajrore nga lokali ku pija kafen nuk ishte absolutisht më larg se 500 metra, ata silleshin dy orë vërdallë për të ardhur aty ku isha unë, për shkak të rrugës miqtë e mi. Kalova në anën tjetër në Sulovën e poshtme në mos gaboj, atje çdo gjë ishte krejt tjetër  ishin rrugët e bëra. E thash këtë, sepse aty ku nuk ka rrugë, ato ka  mund të madh shumë. Ai i Sulovës së Epërme për të nxjerrë prodhimet në Gramsh i duheshin dy orë, ndaj dhe ne do ti ndërtojmë rrugët kudo, sepse ky është një dhe i bekuar, kjo tokë prodhon kudo që të mbjellësh.

-Përshëndetje zoti kryeministër. Ne frymëzohemi nga puna juaj. Jam përfaqësues i fabrikës së qumështit Mireli, dhe ne marrim qumështin nga fshatra e Kavajës dhe Lushnjës.  Jemi në kushte jo të mira të tregut, pasi ka ngarkesë të madhe prodhimi. Kërkoj nga ju që prodhimet e qumështit të jenë më të konsoliduar. Një pjesë e madhe e fabrikave tona janë të mbushura tej mase. Duam përkujdesje nga qeveria për sigurimin e tregut. Një tjetër shqetësim janë denoncimet. Gjobat që ne na vendosen shumë herë janë të pa drejta. Gjobat na kanë ndëshkuar më shumë sesa tatimet?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj për shqetësimet që ngrit. Ne do të bëjmë çdo gjë për t’ju mbrojtur juve. Ne e kemi të hapur politikën e mbrojtjes. Politika jonë  e mbrojtjes bazohet në disnivelin e madh të subvencioneve që marrin fermerët shqiptarë me fermerët e tjerë. Për shkak të këtij disniveli në i marrim në mbrojtje prodhimet dhe do ti mbrojmë, ndaj do ti shohim të gjitha referencat e qumështit. Ato janë gjigantë nuk jua dalim dot ne atyre me kosto. Por imagjino tani ti politiken tjetër, e cila thotë se do të heq TVSH për qumështin, ajo është falimentimi i të gjithë sektorit të qumështit në Shqipëri, e cila siç e thatë edhe vetë është rritur në mënyrë të ndjeshme. Por ne do tu mbrojmë. Më kanë kërkuar biznesmenët të hiqen referencat me vendet anëtare të Bashkimit Evropiane? Po do të hiqen, por jo për prodhimet bujqësore. Prodhimet bujqësore do ti kenë referencat se ndryshe ne nuk ju mbrojmë dot. Së dyti. In formaliteti  është një problem serioz për qumështin. Edhe propaganda që u bë për alfatoksinën ishte një propagandë shumë e pandershme dhe e gabuar. Nuk kanë amerikanët standard që kërcënojnë qytetarin. Amerikanët kanë standardin më të sigurtë. Lëvizja me standardet për luftë tregtare neve nuk na intereson, neve na intereson që qumështi ynë të jetë i shëndetshëm dhe standardi amerikan na garanton qumësht të shëndetshëm. Kur të anëtarësohemi në Bashkimin Europian, atëherë do ta bëjmë standardin. Tani ecim gradualisht, ecim me standardin që nxit, kështu që do ta shohim çështjen e informalitetit. Isha në Bajzë të Vlorës, ne po ndërtojmë rrugën, por atyre nëse nuk jua merr qumështin në baxho ata nuk e sjellin dot në Vlorë. Ne jemi për baxhot por duhet të jenë të regjistruara.

-Përshëndetje. Puna jonë si fermer është në zhvillimin e perimeve. Kemi rreth 30 hektarë perime, domate e shalqi.   Në duam kullimin e fushës së Gosës, dhe kjo fushë me një shi në pranverë përmbytet. Duhet ti jepet një zgjidhje. Kanali Peqin-Kavajë, po nuk erdhi që në prill ne nuk mbjellim dot perime, s’ka ujë. Të subvencionohet edhe sektori i perimeve?

Kryeministri Berisha:  Të falenderoj për çështjet që ngrite. Lidhur me kullimin. Ky është një shqetësim shumë i drejtë dhe këtë shqetësim ma kanë ngritur disa zona, ma kanë ngritur fermerët e Goriçanit në Berat dhe ma kanë ngritur edhe fermerët e tjerë dhe ju garantoj se do të bëjë gjithçka për sistemimin më të mirë të sistemeve të kullimit , të cilat ekzistojnë  dhe nëse është e nevojshme hapim edhe të reja, por bordet e kullimit duhet detyrimisht të riorganizojnë punën e tyre. Fondet ekzistojnë dhe ne do ti shtojmë, por do të bëjmë gjithçka që prodhimi të mos  e pësojë për shkak të sistemeve kulluese. Në Goriçan u dëmtoheshin serat. Për kanalin. Një nga  përparësitë për vaditje kemi pasur kanalin Peqin-Kavajë, sepse në dijeninë time ku vadit rreth 250 hektarë, kështu më është raportuar. Unë do ta verifikoj pse nuk punon, paratë janë dhënë për kanalin dhe ky kanal ka qenë një përparësi e prerë e jona. Kërkesa është e drejtë, se subvencionojmë serta dhe kërkesa për të përfshirë perimet është e drejtë madje edhe me përparësi, sepse nëpërmjet perimeve nxirren të ardhura më shumë. Ne do ti përfshijmë ato.

-Përshëndetje z. Kryeministër. Dua t’ju falenderoj për mbështetjen tuaj ndaj nesh. Vërejtje ka, por pjesa më e madhe ka marrë zgjidhje dhe ne e dimë këtë. Ne kemi bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira me biznese nga Kosova, Mali i Zi etj. Pasi ky oborr ku jemi sot mbushet çdo darkë me prodhimet tona që i shpërndajmë më pas. Kërkojmë nga banorët të prodhojnë sa më shumë, sepse ne jemi të hapur për transportin e  tyre.

Kryeministri Berisha: Unë edhe njëherë shfrytëzoj rastin t’ju falenderoj me shumë mirënjohje, ju dhe presidentin Lika dhe të gjithë fermerët. Do të shfrytëzoj një fjalë tënde, theksove fermeret e jugut, në të vërtetë ke thënë një gjë shumë të madhe. Mund tu them një gjë kryetari i Komunës së Kurjanit, më tha se në komunën time nuk ka më asnjë vend ku të mbjellësh ullinj, pasi çdo kodër është mbjellë me ullinj. Isha në komunën Mollas në Dumre, pashë plantacione të pafundme drurë frutorë dhe pashë një shpat mali, i tëri i qëndisur me ullinj dhe drurë frutorë. Kryetari i komunës më tha se, tokë komunale 1 mijë hektarë jua ka dhënë 500 familjeve që kanë mbjellë 450 hektarë dru frutorë. Ne kemi potencialë për drurë frutorë kudo. Aty ku është një shkurre aty ku është një drizë mund të mbillet një arrë, një ulli, një qershi, dhe kjo po ndodh.   Njerëzit po i shndërrojnë kodrat në pronat më të bukura të tyre, ndaj duhet të frymëzohemi nga ata që po i prijnë këtij procesi. Kam parë sera të mrekullueshme të teknologjive më të larta. Këto janë frymëzuese, duhet ti marrim për shembull dhe të ecim, ambicia duhet të jetë dhjetë herë më e madhe.

-Ju uroj mirëseardhjen z. Kryeministër. Kam një sipërfaqe tokë rrush e kajsi. Kemi një fat të keq me kryetarin e komunës. Asnjëherë fushat tona nuk kanë qenë përmbyt, tani përmbyten. Me bërjen e autostradës na përmbyten tokat. Kryetari i komunës thotë se unë dua, por nuk me le kryeministri se jam socialist. Shqetësimi tjetër është për ish shkollën e mesme bujqësore të Golemit, është shkatërruar fare?

Kryeministri Berisha: Të falenderoj shumë për çështjet që ngrite. Të garantoj se kur vjen puna për të bashkëpunuar në interes të fermerëve, të qytetarëve nuk bëj në mënyrë kategorike asnjë dallim, sepse unë i qëndroj asaj që ne jemi në funksion, shërbëtor të qytetarëve. Kam unë ku i bëj dallimet e mia dhe jo aty ky janë fondet e qeverisë, sepse fondet janë të qytetarëve pa dallim partiak dhe ato ju kthehen qytetarëve pa dallim partiak. Kur isha në Kala të Dodës, inauguruam një rrugë. E ndërtuam, sepse 40 mijë banorë jetojnë  në luginën e Drinit, por atyre ose tu ndërtohej rruga, ose të iknin dhe kryetari i komunës ishte socialist. Fondet shpërndahen me ndershmërinë më të madhe. Kryetari i Golemit e ka derën të hapur, por unë do të dërgoj njerëz për verifikim. Ju siguroj se tapitë brenda këtij viti do të dorëzohen. Jua kemi dhënë të gjithë kompetencën komunave dhe do të çojmë zyrën e hipotekave brenda komunës në mënyrë që ju të mos endeni poshtë e lart, por te jetë pranë kryetarit të komunës, ku do të merrni çdo dokument. Unë do ta shqyrtoj çështjen e  shkollës. Sot kemi 10 shkolla të mesme e bujqësore do të bëjmë gjithçka për ti shtuar dhe fuqizuar ato.

-Jam nga fshati Zhabjakë, komuna Kryevidh. Ju falënderoj për investimet që keni kryer në komunën tonë, si në infrastrukturë dhe në bujqësi. Vetëm ai që nuk ka dashur të mbjellë, nuk ka mbjellë. Zoti Kryeministër komuna jonë tani është e majtë. Ne para dy vjetësh kemi lënë një projekt rrugësh Ura e Copanit- Ura e Curumit  me investime të ish komunës së djathtë, mbi 10 përqind të fondit të rrugës. Tani meqenëse komuna është socialiste, asnjë përgjigje nuk ka dhe rruga ka mbetur pa u ndërtuar. Komuna vetë në 2 vjet ka bërë vetëm 500 metër rrugë. Të urojmë suksese dhe fitore të mandatit të 3-të në 23 qershor.

Kryeministri Berisha: Edhe unë të falënderoj shumë për mbështetjen dhe dua të sigurosh të gjithë banorët e Zhabjakës se 10 përqindësh që ata kanë dhënë do të kthehet në ndërtimin e plotë të rrugës. Ne do të ndërtojmë rrugën, padiskutim.

-Zoti Kryeministër, të uroj shëndet dhe suksese në zgjedhjet e 23 qershorit. Komuna Gosë është komunë demokrate. Ju Vil Bashtovën e kthyer nga një fshat internimi në një fshat turistik. Sot ajo është me drita, me ujë dhe infrastrukturë të rregullt. Jemi shumë të kënaqur nga Partia Demokratike dhe ju personalisht. Ne na ka mbetur 800 metër rrugë për të dalë në det. Kryetari i komunës e ka çuar projektin.

Kryeministri Berisha: Këtë shqetësim ma kanë ngritur dhe ne do ta ndërtojmë rrugën. Ne që kemi ndërtuar aq shumë kilometra, do ta ndërtojmë edhe atë 800 metër.

-Ne si fshat kemi marrë tapitë e tokës dhe krahas saj kemi marrë edhe pak tokë në breg të detit. A mund ta shesim ne atë tokë, ta blejmë ose të ndërtojmë atje?

Kryeministri Berisha: Ke plotësisht të drejtë ta shesësh. Ndryshimi i destinacionit të tokës bujqësore bëhet me vendim të veçantë, ndërsa për shitje dhe blerje më të njëjtin destinacion nuk ke asnjë pengesë. Për t’jua lehtësuar këtë proces ne hoqëm taksën që ishte. Fermerët më thanë që ajo taksë na pengon për të shitur edhe blerë tokë dhe ne e hoqëm. Por e hoqëm vetëm për fshatin. Fermerët më thanë që nuk zgjeronin dot fermat dhe ne e hoqëm taksën.

-Zoti Kryeministër, mirëserdhe në fshatin Gosë. Unë jam nga fshati Luz i Madh, komuna Lekaj, jam familje e persekutuar nga regjimi komunist. Në fshatin tonë është bërë vetëm një rrugë dhe një shkollë, për 22 vjet kemi votuar Partinë Demokratike. Kërkojmë një specialist që të vijë dhe ta shohë gjendjen. 

Kryeministri Berisha: Rruga është ndërtuar. Po në ujësjellës a është investuar?

-Shumë pak është investuar.

Kryeministri Berisha: Unë të garantoj se do të sjell një specialist tek ti. Të ulet dhe të bisedojë një për një. Por disa investime janë bërë në Luz.

-Janë bërë më shumë në fshatra të tjerë.

Kryeministri Berisha: Mundet, mund të kesh të drejtë.

-Zoti Kryeministër të uroj mirëseardhjen. Unë operoj në fushën e blegtorisë në komunën Gos dhe Helmas. Në komunën Gosë operoj me gjedh, ndërsa në Helmas me bagëti të imta. Zotëroj 170 hektarë tokë. Dua t’ju falënderoj për mbështetjen që na keni dhënë në subvencionimin për blerjen e lopëve. Unë kam një shqetësim, të mbrohen prodhimet tona. Nuk flas vetëm për veten, por them për të gjithë Shqipërinë. Këtë e kërkojmë nga ju zoti Kryeministër dhe nga qeveria juaj e ardhshme.

Kryeministri Berisha: Unë ju siguroj juve se ne do të vazhdojmë mbështetjen me grante, si për gjedhë ashtu edhe për të imtat. Në qoftë se zona juaj nuk është përfshirë në subvencionet për bagëtitë e imta, ne do ta përfshijmë. Në të imta i kemi dhënë më shumë përparësi jugut, për shkak të traditës më të madhe që ka zona jugore për to, por do ta shtrijmë edhe në zona të tjera. Unë ju ftoj të bëni gjithçka për raca më të mira të deleve, dhive, sepse midis dhisë sonë edhe dhive të racës ka një dallim shumë të madh në prodhimin e qumështit. Ne kemi mësuar gjerësisht se si të bëjmë djathin më të mirë me qumështin e dhisë. Nuk është si dikur që qumështi i saj nuk kishte një vlerësim të madh. Sot ka shumë vlerësim dhe duhet të bëjmë çdo gjë për t’i mbarështuar. Ne jemi vend që duhet të kemi shumë të imta. Sa më ambicioz të jemi aq më mirë është.

Për sa i përket mbrojtjes së prodhimeve ne do t’i mbrojmë ato. Ne do të ndërhyjmë edhe me referenca. Përveç TVSH-së do të vendosim edhe referenca në mënyrë që ju të arrini në nivel me të tjerët. Se po të jetë puna për djersë, ju derdhni dy herë më shumë se kolegët tuaj në vende të tjera, sepse keni kushte më të vështira. Ne do t’ju mbrojmë edhe ky është zotimi im për të gjithë fermerët shqiptarë. Tani që ju nisët të merrni veten, nuk mund të luhet me ju. Kjo nuk mund të ndodhë. Përkundrazi, detyra jonë është si t’ju asistojmë të prodhoni më shumë.

-Të dashur qytetarë të komunës Gosë, e falënderojmë Kryeministrin për kohën që gjeti dhe bashkëbisedoi me ne për të gjithë problemet tona. Më 23 qershor të votojmë njeriun që i ka dhënë shpirtin punëve të këtij vendi, Prof. Dr, Sali Berishën.

Në përfundim, Kryeministri Berisha u shpreh: Edhe unë ju falënderoj shumë. Zoti Lika, zoti kryetar dhe të dashur miq, shumë faleminderit për këtë bisedë. Para se të largohem do t’ju rrëfej një sekret të jetës time. Gjithmonë kam admiruar ata që bënin ato që nuk bëja dot vetë. Kur shoh punën tuaj të mrekullueshme në fermat tuaja, unë në çdo rast kam vetëm admirimin më të madh për ato punë të mrekullueshme që ju bëni. Ju me djersën e ballit luftoni për ta bërë jetën më të mirë. Faleminderit shumë dhe shumë suksese!”


08/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›