E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në Kukës, kandidatët për deputetët të këtij qarku

Sot pasdite, kryeministri Berisha prezantoi në Kukës gjate nje tubimi elektoral, kandidatët për deputetë të këtij qarku.

Banorë të rrethit të Kukësit,

 Vëllezër e motra,

Zonja dhe zotërinj,

Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, ju, grave dhe burrave vajzave dhe djemve fisnikë të rrethit Kukësit për këtë pritje madhështore, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë dhe i jepni PD.

Po vij sot këtu nga Tropoja, Hasi, ku në të 4 anët e qarkut, në sytë,në zemrat, në mendjen e banorëve të tij lexohet fitorja, fitorja, fitorja e plotë dhe totale e 23 qershorit.

Sot, nga sheshet e Bajram Currit, Krumës e Kukësit përcillet anembanë Shqipërisë, anembanë kombit mesazhi i fitores, fitores më të thellë që Kukësi i jep Shqipërisë më 23 qershor.

Me këtë rast, dua tu garantoj ju banorëve të Kukësit, të Hasit, të Tropojës se çdo votë e juaja është krenari e madhe për ne, është detyrim madhor për ne, për të vazhduar së bashku projektet për Kukësin e zhvilluar, Shqipërinë zhvilluar.

Le të vazhdojmë ne, të gjithë banorët e Kukësit, demokratë, socialistë dhe të çdo bindje tjetër politike, të ecim së bashku drejt fitores sepse ne këto vite së bashku kemi shndërruar në realitet disa nga ëndrrat më të bukura tonat, të etërve tanë, të gjeneratave të tëra. Në pak vite le të ecim ne përpara drejt fitores sepse në pak vite në Shqipërinë e cila ishte larg e larg NATO-s e bëmë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës që çliroi Kosovën, aleancës së lirisë. Bëmë të vërtetë një ëndërr të madhe.

Le të bashkohemi  ne drejt fitores demokratë socialistë, dhe qytetarë të çdo bindje politike sepse ne në pak vite se bashku çamë malet, çamë Kalimashin, ndërtuam rrugën e kombit, rrugën që bashkon shqiptarët, rrugën që i dha Kukësit gjallërinë më të jashtëzakonshme. Le të bashkohemi ne demokratë, socialistë dhe të të gjitha bindjeve të tjera politike të ecim drejt fitores së 23 qershorit sepse në pak vite në këtë qark ne ndërtuam qindra e qindra kilometra rrugë të reja, nga Lekbibaj, nga Valbona, në Kalimash në qafë të malit, në kala të Dodës, në të katër anët e qarkut.

Nga ky shesh, ftoj të gjithë banorët e qarkut të Kukësit, demokratë, socialistë, të pa parti, të bashkohemi në një fitoren madhështore më 23 qershorit për të krijuar në Kukës, dhjetëra, mijëra vende pune, për të rritur rrogat e pensionet, për të bërë të vërtetë ëndrrën tonë evropiane, statusin e vendit kandidat, për të bërë të vërtetë integrimin tonë në BE.

Në këto pak vite, ne së bashku ia dolëm të lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Së bashku, do të marrim statusin, së bashku do të hapim negociatat për vend anëtar të BE.

Qytetarë dhe qytetare të qarkut të Kukësit,

Jam sot këtu, për tu zotuar para jush se me deputet e qarkut të Kukësit do të bëjmë gjithçka për të bërë realitet çdo projekt, për Kukësin e zhvilluar, do të ndërtojmë çdo rrugë dhe ky është zhvillim, do të ndërtojmë çdo shkollë dhe ky është zhvillim, do të trefishojmë ndihmat për fermerwt e Kukësit dhe ky është zhvillim. Kemi ndërtuar dhjetëra hec me 104 megavat, do të ndërtojmë çdo Hec , do të punësojmë mijëra qytetarë dhe ky ëhstë zhvillim.

Vëllezër e motra,

Kjo është alternativa jonë, alternativa që bazohet në djersën tuaj, gra dhe burra fisnikë, vendosmërinë tuaj për tu përkushtuar, për të sakrifikuar për një jetë më të mirë, për mirëqenie më të madhe për veten familjen tuaj, alternativa që bazohet në besimin e madh tek njëri tjetri, që bazohet në besimin se Kukësi do të bëhet një qark i zhvilluar, besimin e madh tek Shqipëria se do të jetë një vend i zhvilluar, i integruar në BE.

Socialistë dhe të paparti të rrethit të Kukësit, të qarkut të Kukësit dhe të mbarë Shqipërisë, cila është alternativa tjetër, alternativa tjetër është alternativa për të mbjellë zi, pesimizëm dhe poshtërim kudo. Sipas kësaj alternative, ju gratw dhe burrat fisnikë të Kukësit dhe qarkut të Kukësit, jeni robër dhe skllevër. Të lirë, sipas kësaj alternative, ishit vetëm në republikën e etërve të shokut të autobuzit. Për alternativën tjetër rrugët tuaja  nuk janë reale, shtëpitë që keni ndërtuar ju, janë të kasolle të pavlera. Shkollat që ndjekin fëmijët tuaj janë piramida. Sipas kësaj alternative, lëvizja e lirë nuk është e vërtetë, anëtarësimi në NATO është një natë për ju, Bashkimi Europian nuk ka vlerë, sepse nuk është as bukë, as ujë. Kjo është alternativa që mbjell vrer, që përpiqet të mbjellë zhgënjim dhe dëshpërim në çdo rrugë, çdo rrugicë, çdo vatër e zemër shqiptare. Le ta lëmë kalorësin e disfatave, kalorësin e çdo humbjeje që është ndryrë në autobusin mavi dhe të bashkohemi. Socialistë dhe të paparti ejani me ne! Sëbashku do punojmë më shumë, do të asfaltojmë çdo rrugë, do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne, do të punësojmë shqiptarët, do rrisim rrogat, do ecin drejt Europës.

Demokrate e demokratë, socialistë e të paparti, sot, në çdo rrugë, në çdo sokak, në çdo shesh, në çdo vatër përballen dy modele. Modeli juaj, modeli i djersës, i guximit, i suksesit, i besimit tek vetja, njëri-tjetri, tek Kukësi dhe e ardhmja. Ky është modeli i Sali Berishës që sëbashku me ju djersin gjithë ditën, për të ecur përpara.

Modeli tjetër është modeli i njeriut që 270 ditë nuk ka shkelur në zyrën e tij të punës, që merret gjithë ditën me shpifje, mashtrime, trillime, modeli i atij që kur ne ndërtonim rrugën e kombit, vërsuli deputetët e tij si të çartur, për të ngritur çadrat në tunelin e Kalimashit dhe nisën grevën e urisë. Ky është modeli i njeriut që, kur ne sëbashku bënim gjithçka për të ecur drejt Europës, mbajti peng me tre ligje, përdori pushtetin e zgjedhësve të ndershëm socialistë, votën e tyre, për të bllokuar fëmijët e tyre, për të bllokuar Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugën e tyre të integrimit.

Më 23 qershor përballen dy modele. Modeli juaj, grave e burrave të Kukësit  e të Shqipërisë, të parët e të cilëve kanë vaditur me gjakun  e tyre  çdo pëllëmbë të këtij vendi, që Shqipëria të bëhet dhe modeli i Edvin Kristaq Ramës, i cili në librat e shkrimet e tij nuk ka lënë fjalë të ndryrë pa përdorur për vendin e  tij, nuk ka lënë fjalë të ndryrë pa përdorur për socialistët që udhëheq sot, për shqiptarët kudo ku janë.

Më 23 qershor përballen dy modele. Modeli juaj i dashurisë për kombin, i sakrificës për kombin, i luftës së pamposhtur që kombi të ngadhënjejë e të mbetet i lirë dhe modeli i Edvin Kristaq Ramës që i vë në gjok Çelësin e Artë të kryeqytetit, këngëtarit të xhelatëve të shqiptarë e të Kosovës Goran Bregoviçit, për meritën e madhe se u këndoi himne barbarëve që dogjën të gjallë shqiptarët në Kosovë. 

Socialistë të Kukësit, demokratë e të paparti, më 23 qershor përballen dy modele. Modeli i njeriut që beson tek familja, modeli i njeriut të vendosur për të derdhur djersën nga mëngjesi deri në darkë për fëmijët e tij, për familjen e tij dhe ky është modeli juaj, modeli im, modeli i shqiptarëve, pavarësisht nga partitë. Modeli i Edi Ramës, i cili martohet në çdo prag zgjedhjesh për të shtuar votat. Dhe pastaj përsëri përgatitet për aventura të tjera. Jo shoku Edvin, shqiptarët nuk janë aventurierë. Ata janë gra e burra të familjes, të vlerave të saj, me ty nuk i bashkon asgjë.

Më 23 qershor përballen dy modele. Modeli i grave dhe burrave fisnikë që dëgjojnë njëri-tjetrin, pavarësisht nga bindjet partiake, që i dinë rendin  fjalës dhe mendimit dhe modeli yt unik, që vërsulesh me brutalitet, godet edhe fizikisht ata që të kundërshtojnë ty, shan, turfullon në çdo takim. Model që i etiketon mësuesit si injorantë, fëmijët tanë si dele që hyjnë në shkollë, policët si banditë. Me këtë model, shqiptarët nuk kanë punë. Prandaj, vëllezër e motra, le të bashkohemi jo vetëm në aspiratat për një jetë më të mirë, për një infrastrukturë moderne, për një Kukës të zhvilluar, për rroga më të larta, pensione më të larta, për shkolla më të mira, për integrimin në Europë, por edhe për modelin e vlerave që besojmë, vlerave të barazisë para ligjit. Ju dhe Sali Berisha jetoni në një apartament. Pas 20 vitesh në politikë, unë në një apartament 120 metër katrorë. Shoku i autobusit ecën nëpër Shqipëri me një vilë 57 metra të gjatë dhe një pallat pesëkatësh, për të cilët nuk ka deklaruar origjinën e parave, qoftë edhe një qindarkë, sepse atë ia ndërton Koçoja, Fideli, me paratë e bashkisë që ai ka ndarë me ta. Modeli ynë janë këta deputetë, që nga mëngjesi deri në darkë do të punojnë për ju. Modeli i tij është Çolja, një njeri pa dinjitet, pa personalitet, një njeri që mbush një çantë me para dhe i thotë Edvin Kristaq Ramës do të shkoj të blej votat e malokëve. Përçmojeni të dërguarin e tij, se nuk na shet e nuk na blen kush, se nuk jemi shitur e blerë, jemi sot të lirë, se nuk jemi shitur e blerë, ecim sot drejt fitores. Rrofshi ju! Rroftë Kukësi! Rroftë fitorja!Fitore! Fitore! Fitore!


15/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›