E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligje dhe vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjet dhe vendimet e mëposhtme:

 

V E N D I M

 

PËR  

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR”

 

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e  ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 

 

P R O J E K T L I GJ

 

 

PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 113, pika 1, shkronja “ç”, 155 dhe 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, të bëhen ndryshimet e mëposhtme: Neni 1

Në pikën 5, të nenit 11, “Kategoritë e bazës dhe nivelet e taksës vendore mbi biznesin e vogël”, fjalët “... në kufijtë plus/minus 30 për qind...” zëvendësohen me “... në kufijtë plus 10/minus 30 për qind...”.

Neni 2

 Në fund të pikës 3, të nenit 21, “Rregulla të përbashkëta të taksës mbi pasurinë e paluajtshme”, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje: “Ndërsa për tatimpaguesit e biznesit të vogël kufijtë janë plus 10/ minus 30 për qind.”.

Neni 3

Në nenin 32, “Taksa të tjera”, bëhen këto ndryshime:

1.      Shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b)  bazën dhe nivelin për taksën e tabelës, e cila, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të jetë më shumë se 10 për qind e nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas kategorisë së rrethit dhe qarkullimit vjetor.”.

2.     Në shkronjën “ç”, të pikës 2, fjalët “... në kufijtë  +/- 30 për qind...” zëvendësohen me “... në kufijtë plus 10/ minus 30 për qind, sipas nivelit të zhvillimit të veprimtarisë së biznesit, në zona të ndryshme të qendrës së banuar.”.

Neni 4

 

Neni 33, “Taksat e përkohshme vendore”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 33

Këshilli bashkiak ose komunal, kur e gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të saj. Masa e taksave me karakter të përkohshëm, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojnë kufirin  plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të këtij biznesi.”.

Neni 5

 

Pika 2, e nenit 35, “Tarifat vendore dhe administrimi i tyre”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.  Tarifat vendosen dhe administrohen në përputhje me ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Me përjashtim të rasteve të përcaktuara ndryshe në këtë ligj ose në ligje të tjera, që rregullojnë funksionet e tarifat e lidhura me to, këshilli bashkiak dhe ai komunal vendosin për llojet e tarifave, nivelin, rregullat bazë për administrimin dhe mbledhjen e tyre, si dhe përcaktojnë nëse tarifat do të mblidhen nga vetë strukturat bashkiake ose komunale apo nga një agjent, por në asnjë rast shuma e tarifave vendore, të aplikueshme për tatimpaguesit e biznesit të vogël, nuk duhet të kalojë 10 për qind të nivelit tregues të taksës, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të biznesit të vogël.

Në rastin e agjentit, këshilli vendos rregullat bazë kufizuese në raport me agjentin, ndërsa kryetari i bashkisë ose i komunës bën përzgjedhjen e agjentit, si dhe lidh kontratë me të.”.

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

 

JOZEFINA TOPALLI

***

V E N D I M

 

 

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR HEQJEN NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR TË SIPËRFAQEVE TË DISA NGASTRAVE TË EKONOMIVE PYJORE, “MALI I RENCIT”, LEZHË, DHE “BUSHAT-BËRDICË”, SHKODËR, QË DO TË PËRDOREN NGA “OTTO-AL”, SHPK, PËR KARIERA GURI GËLQEROR E ARGJILE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për heqjen nga fondi pyjor kombëtar të sipërfaqeve të disa ngastrave të ekonomive pyjore, “Mali i Rencit”, Lezhë, dhe “Bushat-Bërdicë”, Shkodër, që do të përdoren nga “OTTO-AL”, shpk, për karriera guri gëlqeror e argjile”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

 

P R O J E K T L I GJ

 

 

PËR

 

HEQJEN NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR TË SIPËRFAQEVE TË DISA NGASTRAVE TË EKONOMIVE PYJORE, “MALI I RENCIT”, LEZHË, DHE “BUSHAT-BËRDICË”, SHKODËR, QË DO TË PËRDOREN NGA “OTTO-AL”, SHPK, PËR KARIERA GURI GËLQEROR E ARGJILE

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Neni 1

Të hiqet nga fondi pyjor kombëtar dhe nga kadastra kombëtare e pyjeve sipërfaqja 249,0 (dyqind e dyzet e nëntë) ha, që ndodhet në ekonominë “Mali i Rencit”, Lezhë, dhe sipërfaqja 14,0 (katërmbëdhjetë) ha, që ndodhet në ekonominë pyjore “Bushat-Bërdicë”, Shkodër, gjithsej 263 (dyqind e gjashtëdhjetë e tre) ha, të cilat t’i jepen në përdorim, me kontratë, me afat 99 vjet, shoqërisë “OTTO-AL”, shpk, për kariera guri gëlqeror e argjile, sipas tabelave 1, 2 e 3 dhe hartave, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Neni 2

 

Të përcaktohen në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të ngastrave, sipas pikës 1, të këtij ligji. Zyrat rajonale të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të bëjnë çregjistrimin e tyre nga kategoria “Tokë e zënë, pyll” dhe t’i regjistrojnë si sipërfaqe joproduktive (karierë), sipas akteve nënligjore në fuqi.

Neni 3

 

Llogaritja e tarifave për heqjen nga fondi pyjor të bëhet në përputhje me vendimin nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”.

Neni 4

“OTTO-AL”, shpk-ja, brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të pyllëzojë, me fondet e veta, 210 (dyqind e dhjetë) ha ngastra, të përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor. Lloji i drurëve, që do të mbillen, dhe grafiku i mbjelljeve të caktohen nga drejtoria e shërbimit pyjor përkatës, në bashkërendim me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat ndjekin realizimin e mbjelljeve deri në marrjen në dorëzim, me procesverbal, të sipërfaqes së pyllëzuar, sipas marrëveshjes me kërkuesin.

Neni 5

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

***

V E N D I M

 

PËR

 

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË KOMUNËS KUMAN, TË QARKUT TË FIERIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të komunës Kuman, të qarkut të Fierit, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të komunës Kuman, të qarkut të Fierit, miratuar me vendimin nr.481, datë 16.4.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në Kuman, të qarkut të Fierit”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Kuman për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R ²

 

SALI  BERISHA

 

 


15/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›