E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton para investitorëve të huaj potencialet natyrore të Shqipërisë

Vitin që vjen, pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim.

Gazsjellësi Trans-Adriatik është padyshim gazsjellësi më fizibël dhe unë ju garantoj se do të jetë më i shpejti që do të ndërtohet.

Në çdo moment, në këtë vend keni një mik të vendosur dhe ky mik është qeveria shqiptare.

Kryeministri Berisha përshëndeti sot konferencën e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA), e cila iu kushtua potencialeve natyrore që ka Shqipëria. Kryeministri vizitoi gjithashtu panairin që shoqëronte këtë konferencë, në stendat e të cilit ekspozoheshin potencialet e vendit në pasuri natyrore.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të gjerë potencialeve që ofron Shqipëria, duke u përqendruar veçanërisht në sektorin energjetik dhe atë të nxjerrjes e shfrytëzimit të mineraleve.

“Shqipëria, - tha Kryeministri - nuk është një vend i madh në gjeografinë e Europës, por është një vend me potenciale të mëdha europiane, për biznesin europian dhe atë botëror”.

Kryeministri theksoi synimet e Shqipërisë për t’u shndërruar në një superfuqi energjetike në rajon, duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë për diversifikimin e prodhimit të energjisë, projektet e mëdha në fushën hidrike, të energjisë eolike, nga biomasa, fosilet, si nafta dhe gazi etj.. “Nafta shqiptare e zonave të njohura arrin deri në 6 miliard fuçi. Vetëm Patos-Marinza ka mbi 2 miliard fuçi. Vitin që vjen, pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim”, u shpreh Kryeministri.

Një fushë tjetër me mundësi të mëdha për investitorët është ajo minerare, ku Shqipëria është e pasur me krom, bakër, nikel, bazalte, qymyr. Malet e Shqipërisë, tha Kryeministri, fshehin thesare të pafundme mineralesh, tregu i të cilëve po vjen e po rritet gjithnjë e më shumë, sikundër edhe interesi i kompanive të mëdha është gjithnjë e në rritje.

Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal konkretisht në potencialet dhe projektet e mëdha të Shqipërisë në këto fusha.

“është një kënaqësi e madhe t’ju përshëndes përzemërsisht në këtë konferencë dhe të shpreh mirënjohjen time më të thellë për investimet dhe projektet e shkëlqyera që ju keni realizuar dhe po realizoni në Shqipëri, të shpreh gjithashtu, edhe një herë në mënyrë të përsëritur, angazhimin e qeverisë sime se do të bëjmë çdo përpjekje për një mjedis sa më miqësor, sa më të sigurt për ju, projektet dhe sipërmarrjet tuaja.

Ju keni përzgjedhur sot, në konferencën tuaj të dytë, trajtimin e një problemi jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe me perspektivë shumë të madhe për Shqipërinë, potencialet e saj të mëdha natyrore. Shqipëria nuk është një vend i madh në gjeografinë e Europës, por është një vend me potenciale të mëdha europiane, për biznesin europian dhe atë botëror.

Potencialet e Shqipërisë në fushën e energjisë janë aktualisht ndër më të mëdhatë. Në këtë kontekst, kam kënaqësi t’ju informoj se qeveria ime ka firmosur mbi 200 kontrata për rreth 200 hidrocentrale, një prej të cilëve përbën aktualisht projektin më të madh në Europë, kaskada e Devollit e EVN dhe Statkraft. Nga këto hidrocentrale, 36 janë në ndërtim, të tjerët presin investitorët për të filluar nga puna. Do të ndalem një moment në këtë problem. Dua t’ju rikujtoj se në fillimin e vitit 2007, kjo histori ishte zero. Në Shqipëri kishte zero aktivitet, kishte zero projekte. Gjithçka filloi me një vullnet të hekurt dhe me një ligj të shkëlqyer të koncesioneve dhe partneritetit publik privat. Ligji i ri që ne miratuam u dha garanci të madhe investitorëve, ndërtuesve, projektuesve. Ligji dha një garanci të madhe në garë. Ky ligj nuk i lejon qeverisë negociata direkte me asnjë kompani, por i garanton investitorëve garë të ndershme dhe jo dështim. Interes i madh po tregohet edhe për kaskada të tjera, për Vjosën, Semanin, Osumin dhe për të gjithë degët e Drinit e lumenjtë e tjerë të vendit.

Krahas kësaj gare të paprecedentë në shfrytëzimin e potencialeve të mëdha ujore të vendit, të këtij përqendrimi në fushën e hidroenergjisë, interes të madh kanë dëshmuar kompanitë e kësaj fushe në prodhimin e energjisë eolike dhe të energjisë me origjinë tjetër, përveç asaj hidrike, si biomasë apo forma të tjera. Qeveria ka licencuar mbi 1600 megavat energji eolike dhe biomasë, si dhe është në proces e sipër një potencial tjetër përreth 3200 megavat.

Perspektiva e Shqipërisë në fushën e energjisë është reale edhe në drejtim të fosileve, naftës, gazit. Nafta shqiptare ka një perspektivë reale. Nafta shqiptare e zonave të njohura arrin deri në 6 miliard fuçi. Vetëm Patos-Marinza ka mbi 2 miliard fuçi. Vitin që vjen, pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim. Por Shqipëria ka fusha të tëra të pa eksploruara siç është Dumreja, Shqipëria veriore dhe zona të tjera të tëra. Shqipëria në këtë fushë, falë pozicionit të saj gjeografik, përbën vendin më të përshtatshëm për kalimin në territorin e saj të gazsjellësve. Të gjithë ata që by pass-ojnë Shqipërinë janë të ‘dënuar’ të bëjnë investime shumë më të kushtueshme, sesa po të kalojnë në territorin shqiptar. Gazsjellësi Trans-Adriatik është padyshim gazsjellësi më fizibël dhe unë ju garantoj se do të jetë më i shpejti që do të ndërtohet. Nuk do të kenë përfunduar akoma debatet dhe diskutimet për të tjerët, kur ky gazsjellës do të bëhet një realitet. Kompani të mëdha të Zvicrës, Norvegjisë, Gjermanisë janë të angazhuara në ndërtimin e tij. Qeveritë përkatëse nga territoret e tjera ku kalon gazsjellësi, Turqia është e angazhuar t’i japë me sipërmarrjen e saj Botash të gjitha lehtësirat, qeveria greke dhe qeveria shqiptare do t’i japin çdo lehtësi këtij gazsjellësi për ta bërë realitet, i cili ka një trajektore më të shkurtër, sesa South Strem, me të paktën 200 kilometra. Sasia e gazit në Kaspik po vjen gjithnjë në rritje, janë trilion e trilion metër kub gaz që presin eksportin. Qeveria e këtij vendi ka një vullnet të hekurt të eksportojë gazin e vet drejt Europës. Ajo ka përzgjedhur me përparësi këtë gazsjellës, si rrugën kryesore të transportit të gazit në Perëndim. Qeveria shqiptare është në kontakte të vazhdueshme me qeverinë e Katarit. Në Seman është parashikuar të ndërtohet një nga nyjet më të fuqishme të rigazifikimit, por edhe të prodhimit të energjisë, bazuar në gazin e lëngshëm.

Qeveria ime po përgatit në vazhdimësi të gjithë kuadrin ligjor, në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga energjia më e pastër dhe më konstante, energjia bërthamore. Presidenti juaj ka bërë një studim të shkëlqyer në universitetet gjermane dhe ka konstatuar se rërat bituminoze të Shqipërisë janë industrialisht të përshtatshme për prodhimin e energjisë. Pra, Shqipëria po ecën drejt shndërrimit në një superfuqi të vogël energjetike në rajon. Unë vlerësoj dhe ju përshëndes shumë për të gjithë interesin tuaj e të partnerëve tuaj në Shqipëri dhe në botë.

Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë në krom. Prej dekadash, ajo ka qenë faktor botëror në prodhimin e kromit, prodhim që po njeh rritje të pandërprerë. Vendi është edhe më i pasur në nikel. Pasuritë e Shqipërisë në ferronikel dhe nikel silikat janë 2-3 herë më të mëdha, se ato të kromit. Shqipëria është e pasur në bakër dhe një nga vendet më të pasura në bazalte, në qymur. Faktikisht, malet e saj fshehin thesare të pafundme mineralesh, tregu i të cilëve po vjen e po rritet gjithnjë e më shumë. Interesi i kompanive të mëdha është gjithnjë e në rritje. Sot, në minierat e Shqipërisë dhe në blloqet gjeologjike të saj janë të angazhuara kompani ndër më seriozet, nga Kanadaja, Australia, Norvegjia, Zvicra e shumë e shumë vende të tjera. Jam shumë i kënaqur që sot, këtu, është e pranishme edhe shkolla e minierave të Francës dhe unë dua ta garantoj se ne kemi shumë interes që ta vendosim këtë sektor në standardet më të mira. Duhet t’u njoftoj se Shqipëria është bërë anëtar i asociiuar i nismës së transparencës së industrive nxjerrëse, e cila grupon vendet më të pasura në pasuri nëntokësore dhe që i ndihmon këto vende në transparencë financiare, i ndihmon në kritere të ruajtjes së mjedisit dhe në bashkëpunim me komunitetin. Ne kemi një studim të gjerë, të bërë me ekspertët më të mirë të Bankës Botërore, të cilët kanë ekspertizën e shkallës më të lartë. Një ditë, prita drejtorin e Shërbimit Gjeologjik të Bashkimit Europian, i cili më tha se në Bankën Botërore ndodhet Think Tank-u më i mirë i planetit, përsa i përket minierave. Ne po punojmë me ta, në mënyrë që të kemi me të vërtetë kriteret më të mira të shfrytëzimit dhe eksplorimit të tyre.

Pasuritë natyrore të Shqipërisë, natyrisht, janë të mëdha, por pasuritë më të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve qëndrojnë tek individi, tek punëtori shqiptar, i fortë, i qëndrueshëm , i ri, i shkolluar, i vendosur të ndërtojë një jetë më të mirë. Nuk gjeni kund, në Europë, një treg të tillë. Ky është tregu më i shkëlqyer i punës, në mbarë kontinentin europian.

Qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje të lehtësojë veprimtarinë tuaj. Ju gjeni këtu vendin me barrën fiskal më të ulët në Europë dhe unë ju garantoj se jemi të vendosur që të ecim më tej në lehtësimin e saj. Transformime të thella janë bërë në këtë vend. Siç dhe jeni dëshmitarë, ne po ndërtojmë një infrastrukturë, e cila, në tre vitet e ardhshme, do të jetë infrastruktura më e re dhe më moderne e rajonit.

Ne po bëjmë çdo përpjekje që shërbimet ndaj jush të jenë më modernet. Sot, biznesi regjistrohet në 30 minuta dhe së shpejti do të regjistrohet on line. Sot, Shqipëria është vendi i Qendrës Unike të Licencave dhe lejeve, pasi kemi hequr 2/3 e tyre. Në veprimtarinë e saj një vjeçare, kjo Qendër faktohet tërësisht, histori suksesi.

Edhe një herë dua të përshëndes përzemërsisht këtë konferencë dhe t’ju ftoj të mos harroni asnjëherë se në çdo moment, në këtë vend keni një mik të vendosur dhe ky mik është qeveria shqiptare. Faleminderit.”


11/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›