Kryeministri Berisha priti një grup parlamentar të Arabisë Saudite, të kryesuar nga Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem
- Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem duke shprehur falënderimin për pritjen si dhe duke përcjellë përshëndetjet e mbretit Abdullah bin Aziz Al Saud, uroi kryeministrin për sukseset që ka arritur Shqipëria në këto vite
Kryeministri Berisha priti sot në një takim një grup parlamentar të Arabisë Saudite, të kryesuar nga Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem. Duke shprehur falënderimin për pritjen e rezervuar Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem përshëndeti kryeministrin Berisha për sukseset që ka arritur Shqipëria në këto vite. Gjithashtu, dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem i përcolli kryeministri Berisha përshëndetjet e mbretit saudit Abdullah bin Aziz Al Saud, si dhe theksoi edhe një herë angazhimin për bashkëpunim e mëtejshëm mes të dy vendeve si dhe lobimin e vazhdueshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera. “Eshtë e drejta e një populli të kërkojë liri” - theksoi Dr. Mohamad Bin Sa'ad Alsalem
Pasi i uroi mirëseardhjen, kryeministri Berisha i falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e tij për vendimin e qeverisë saudite për njohjen e Kosovës. “Njohja e pavarësisë së Kosovës është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon” – tha kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha duke vazhduar më tej me një ekspoze të arritjeve të Shqipërisë gjatë viteve të fundit, theksoi se: “Kemi bërë përpjekje për të ndryshuar Shqipërinë dhe ia kemi arritur me anë të reformave shumë të thella. Në këtë kontekst mendoj se është shumë e çmuar dhe inkurajuese për Shqipërinë vizita juaj” - u shpreh kryeministri Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha shpalosi përpara parlamentarëve sauditë dhe mundësitë dhe potencialet që ofron Shqipëria për investitorët e huaj. “Shqipëria është një vend i vogël, - theksoi kryeministri Berisha, - por mundësitë dhe potencialet e saj janë të mëdha”. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha renditi si fusha prioritare për investitorët huaj, energjetikën, turizmin si dhe pasuritë e mëdha minerare të nëntokës shqiptare, fusha këto të cilat deri tani kanë shënuar vetëm histori suksesi.
Në funksion të lehtësirave të të bërit biznes në Shqipëri, kryeministri Berisha njohu miqtë sauditë edhe me barrën e ulët fiskale, regjistrimin e bizneseve dhe pagesën e taksave on-line, renditjen e Shqipërisë si e dyta në botë në listën për prokurimet elektronike, apo renditjen e Shqipërisë si e 14-ta në listën e vendeve në mbrojtjen e investimeve të huaja.
Në përfundim të këtij takimi, kryeministri Berisha u shpreh se të tjera takime frytdhënëse në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve priten të zhvillohen edhe në të ardhmen.
11/05/2010