Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike
- Zonja e zotërinj, sot vij tek ju me një lajm shumë të veçantë e jashtëzakonisht të rëndësishëm për këtë vend. Organizata e Kombeve të Bashkuara me agjencitë e saj, e rendit të dytin në botë, sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri.
- I bëj thirrje zotit Rama në mënyrë të menjëhershme të lejojë autoritet shëndetësore zyrtare, të kujdesen për shëndetin e grevistëve. Në historinë e njerëzimit nuk ka ekzistuar kurrë një situatë e tillë, ku një parti politike mbyll dyert, privon nga kujdesi shëndetësor njerëzit që ka ngujuar në grevë urie
Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij para deputetëve të pranishëm ai u shpreh:
Zonja e zotërinj, sot vij tek ju me një lajm shumë të veçantë e jashtëzakonisht të rëndësishëm për këtë vend. Organizata e Kombeve të Bashkuara me agjencitë e saj, e rendit të dytin në botë, sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri. Janë dy vende, të cilat janë 100 për qind me prokurim elektronik, Singapori dhe Shqipëria. Vendet e tjera e kanë në përqindje të ndryshme që varion nga 20 deri në 80 përqind. Shqipëria vlerësohet e dyta për transparencën e prokurimeve në vend. Kjo përbën një arritje historike, përbën një arritje madhore, në përpjekjen tonë të ndershme për të luftuar korrupsionin. Vendi, që 5 vite më parë vidhisej ndër vendet më të korruptuara të planetit për prokurimet, sot vlerësohet si vendi i dytë në botë, përsa i përket transparencës së këtij procesi. Kjo, pasi, në vjeshtën e viti 2008, ne vendosëm të trajnojmë të gjitha autoritet kontraktuese të vendit për të proceduar me prokurimin elektronik dhe nga 1 janari i viti 2009, ndaluam prokurimet manuale. Në vitin 2009, po drekoja në një konferencë në Bruksel, me një grup personalitetesh pjesëmarrës në atë konferencë, të cilën unë e kisha njohur me këtë vendim të qeverisë shqiptare. Një profesor i shquar, që sot drejton një institucion shumë të rëndësishëm dhe ka themeluar Transparencën Internacionale, por sot nuk punon më aty, punon dhe drejton një institucion tjetër, u thotë të pranishmëve se qeveria shqiptare ka bërë një gjë shumë të madhe. Ata pritën hapën sytë. Cila ishte kjo Ai u shpjegoi se qeveria shqiptare ka ndaluar prokurimet manuale dhe ka vendosur prokurimet dixhitale. Në vazhdim të bisedës, theksoi këtë: kryetari i bashkisë së kryeqytetit të tij, ku banonte ky, do të mund ta kishte bërë 30 herë para Shqipërisë, por nuk e bën se kërkon që ato para t’i shpërndajë në klientelën e tij. Kapja e një standardi të tillë është një inkurajim i madh në betejën tonë kundër korrupsionit.
Këtu gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen më të thellë Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe Agjencisë Amerikane të Ndihmës Ndërkombëtare për mbështetjen e madhe që i dhanë Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Prokurimi elektronik ka qenë një projekt i financuar nga Pragu i Korporatës së Mijëvjeçarit dhe i zbatuar nga Agjencia Amerikane e Ndihmës Ndërkombëtare. Natyrisht, qeveria ime, duke pasur leverdinë e madhe të kësaj procedure, e shtriu atë me shpejtësi nga 15 deri në 20 për qind të prokurimeve, në të gjitha prokurimet. Por bazat e prokurimit elektronik në Shqipëri u vendosën në kuadrin e projektit dhe të fondeve që Korporata e Mijëvjeçarit i dha Shqipërisë, pasi ajo fitoi Pragun. Në këtë kontekst, jam bindur se edhe për Korporatën e Mijëvjeçarit, që e vlerësoi Shqipërinë si një vend me përmirësim të qartë në luftën kundër korrupsionit, për USAID-in, ky lajm vjen si një lajm realisht i gëzueshëm, rezultat i një fryti të pjekur, të një pune të zhvilluar në kuadrin e ndihmës së këtyre dy agjencive, nga fillimi i vitit 2007, viti 2008 e në vazhdim. Ne kemi bërë përballjen më të mirë në njërën nga fushat, ku korrupsioni është më i përhapur. Me këtë unë nuk them se ato kanë dalë tërësisht jashtë korrupsionit, por mund të them se ata sot kanë në sistem, një nga transparencat më të larta të botës; mund të them se lufta për konsolidimin e kësaj transparencë, tani është detyrë kryesore, por edhe më lehtë. Sikundër zonja dhe zotërinj deputetë dua t’ju siguroj se duke qenë në këtë fushë, shumë shpejt të gjitha blerjet e vogla dhe ankandet do të jenë elektronike, si forma më transparente e punës, sepse në korrupsion gjenden jo vetëm elefantët, por edhe minj. Edhe ai më i vogli është i lemerishëm. Prandaj edhe blerjet e vogla duhet t’i bëjmë elektronike. Pra siç bëjmë tenderët e mëdhenj, duhet të kalojmë edhe te blerjet e vogla.
Meqenëse jemi te kjo çështje, ne po bëjmë një përpjekje të madhe, në luftën kundër korrupsionit, sipas fushave. Tani po vij në këtë takim me ju, nga një mbledhje rreth dy orë me Task-Forcën e Reformës së Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë më njohu mua me një seri vendimesh të cilat i kanë dhënë një goditje shumë të madhe korrupsionit në sistemin e Shëndetësisë. Këto vendime kanë të bëjnë me vizitat dhe shmangien tërësore të parapagimit, duke përcaktuar çmimin e referencës për ata që janë të pasiguruar; këto vendime kanë të bëjnë me disiplinimin e përdorimit të barnave dhe shmangien e bypass-it mjek-farmaci nga klinikat tona; këto vendime kanë të bëjnë me radhën e ekzaminimeve; këto vendime kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj operacioneve dhe unë dua t’i garantoj qytetarët shqiptarë se ky sistem do të dalë jashtë korrupsionit. Unë nuk zotohem se do të mund të ndaloj qytetarët shqiptarë të bëjnë dhuratë pas operacionit apo pas shërbimeve, çka nuk do të doja ta bënin, por nuk do të isha realist në qoftë se do të garantoja se nuk do të ndodhte. Por ajo që garantoj çdo qytetar është se do të marrë shërbimin e tij jashtë çdo sistemi parapagese, qoftë për ekzaminime, qoftë për vizita, qoftë për operacione. Ministri dhe të gjithë anëtarët e kësaj Task-Force, që mblidhet periodikisht dhe ecën në fushën më të vështirë të reformave, që është Shëndetësia, kanë përcaktuar si shtyllën më kryesore të kësaj reforme, nxjerrjen e saj nga korrupsioni. Dhe kjo po ndodh dhe do të ndodhi.
Zonja dhe zotërinj deputetë!
Siç konstatoni prej disa ditësh vazhdon greva e 22 deputetëve të Partisë Socialiste dhe një numri të konsiderueshëm të militantëve dhe aktivistëve të saj. Mbetem edhe një herë i vendosur të respektoj çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, të garantoj atë me të gjithë forcën e ligjit dhe të Kushtetutës. Në këtë vend të lirë do të respektohet çdo protestë paqësore, të cilitdo lloj të jetë ajo dhe e cilitdo. Duke theksuar këtë nuk mund të mos them se ndjesitë e mia, janë të pranishme në çdo rast ku ka dhimbje, ku ka vuajtje, ku ka lëndime, pranë çdo qytetari, cilido qoftë ai, i ri apo i moshuar, burrë apo grua, me parti apo pa parti. Ndaj dhe duke ruajtur ndjeshmërinë ose duke respektuar vendimin e tyre, unë mbetem gjithnjë i ndjeshëm ndaj pasojave të këtij vendimi në shëndetin e tyre. Nuk do të kisha këshilluar ndonjëherë një gjë të tillë, por ky vendim është vendim i marrë nga drejtuesit e tyre, nga vetë ata dhe natyrisht jashtë çdo lloj kompetence të kryeministrit të vendit. Ajo çfarë dua të theksoj është se i bëj thirrje zotit Rama, për tri çështje kryesore.
E para të vlerësojë propozimin e Këshillit të Evropës, e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si një propozim tërësisht mbi palët, si një propozim tërësisht në të mirën e vendit por edhe të Partisë Socialiste dhe të palëve, ku i kërkohet zotit Rama t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në rast se kjo e fundit e gjykon, t’i drejtohet Strasburgut.
I bëj thirrje gjithashtu, në rast se nuk i pëlqen ky variant, të vijnë në komisionin parlamentar. Të fillojë menjëherë punë komisioni, do të ketë kryetarin e komisionit, do të ketë shumicën në çdo votim të komisionit. U çudita shumë kur mora vesh se në Bruksel, një miku im atje më tha se këtu na thuhet se nuk i është dhënë as kryetari dhe as shumica. Jo, - i thashë, i nderuar mik, - i është dhënë edhe kryetari dhe shumica. Me këtë mekanizëm, të hetojmë çdo gjë, të bëjmë transparencën për çdo gjë, në përputhje me ligjet e vendit, të cilët mundësojnë deklasfikimin e çdo dokumenti. Mjafton që ne t’i ndjekim ato. Një pjesë të çështjeve që dalin direkt ta ndjekin anëtarët e komisionit, pjesën tjetër që dalin me fakte, prokuroria e vendit. Sepse një gjë është e sigurt, mund të kërkosh çdo gjë nga unë, por unë gjykatës, prokuror, nuk mund të bëhem. Dhe ka deputetë në këtë sallë dhe bashkëpunëtorë të mi, që do ta kishin dëgjuar këtë qëndrim të përsëritet nga unë, jo vetëm, që unë përballem me kundërshtarin tim, por në mënyrë absolute, në mënyrën më të përsëritur nga 1992 e gjer më sot, sa herë jam përballur dhe me bashkëpunëtorët e mi, kam patur një fjalë: Unë nuk jam as prokuror, as gjykatës, as nuk mund të jem.
Së fundmi i bëj thirrje zotit Rama në mënyrë të menjëhershme të lejojë autoritet shëndetësore zyrtare, të kujdesen për shëndetin e grevistëve. Në historinë e njerëzimit nuk ka ekzistuar kurrë një situatë e tillë, ku një parti politike mbyll dyert, privon nga kujdesi shëndetësor njerëzit që ka ngujuar në grevë urie. Kjo përbën një shkelje të të gjitha akteve kombëtare dhe ndërkombëtare të qëndrimit ndaj të ngujuarve, të qëndrimit ndaj grevistëve, të qëndrimit ndaj cilitdo që ka nevojë për kujdes shëndetësor. U them atyre tre-katër mjekëve militantë, apo infermierëve, se po bëjnë një shkelje shumë të rëndë, duke shërbyer si një perde e zezë midis sistemit shëndetësor, që është i detyruar me kushtetutë të garantojë të gjitha shërbimet ndaj grevistëve.
I them zotit Rama se detyra e mjekut është detyrë e vështirë, e cila kërkon para së gjithash dhe mbi të gjitha gjakftohtësi, objektivitet, kërkon që ai të trajtojë një lloj, si shtetarin më të lartë ashtu dhe të burgosurin më të rëndë. Mjeku ka një kod, ka një betim, nuk e zgjidh dot me militantë, nuk bind dot se ata militantë që ke vendosur aty mund ta bëjnë me korrektesë detyrën e tyre, në një kohë kur janë fanatikë partiakë. Edhe mbi kujdesi në mjekësi është e papranueshme dhe ka pasoja, madje edhe serioze. Ka disa parime në mjekësi. Nuk ka mjekë që s’mund të trajtojë familjarët e tij, por si rregull nuk i trajton. Merr kolegët e tij, pasi i di që ndjenjat dhe emocionet mund t’ia turbullojnë mendjen, sepse e di që mbi kujdesi mund t’i kushtojë sa nën kujdesi.
Zoti Rama këto janë disa rregulla sa fondamentale aq dhe të lashta që nga koha e Hipokratit gjer më sot. Ndaj edhe kërkesa ime është që të lejojë kontrollin e përditshëm.
Nuk janë personalë ato, janë deputetë të kuvendit popullor. Ata janë qytetarë të këtij vendi, kushtetua e të cilit u garanton çdo shërbim. Unë uroj dhe dëshiroj që zoti Rama të lexojë dhe të studiojë të gjitha konventat kombëtare, si ato që kanë të bëjnë me të burgosurin, të tjera që kanë të bëjnë me të ngujuarin, të tjera që kanë të bëjnë me robërit. Nuk pranohet shërbimi militant, shërbimi militant është i përjashtuar nga shërbimi shëndetësor. Shpresoj që thirrja ime t’i japë fund kësaj situate të paprecedentë në historinë e një grevë urie.
Faleminderit!
10/05/2010