E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pritet nga ish Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld

Në vazhdën e takimeve me figura të nderuara të administratës dhe politikës amerikane, Kryeministri Sali Berisha u takua me ish Sekretarin e Mbrojtjes, z. Donald Rumsfeld, një mik dhe mbështetës i integrimit të Shqipërisë në NATO.

Në fillim të fjalës së tij z. Berisha përshëndeti ish sekretarin e Mbrojtjes Rumsfeld për kontributin e tij të çmuar në dobi të integrimit të Shqipërisë në NATO.

Kryeministri Berisha e njohu z. Rumsfeld me procesin e integrimit të vendit në NATO, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përshpejtimin e këtij procesi, si dhe ritmin e lartë për të merituar plotësisht anëtarësimin në Aleancë. Anëtarësimi në NATO, - theksoi Kryeministri Berisha - do të thotë për Shqipërinë rikthim në gjirin e kombeve të lira, në dinjitetin dhe bashkësinë demokratike, por, gjithashtu, edhe një stad më të lartë të rritjes ekonomike, për të cilën qeveria që unë drejtoj po punon pa u ndalur. Reformat ekonomike e kanë dhënë efektin e tyre, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja.

Rezultati i luftës kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit bëri të mundur mes të tjerash një buxhet më të lartë për Forcat e Armatosura, duke synuar në të ardhmen rritjen e mëtejshme të tij, theksoi Kryeministri Berisha.

Nga ana e tij, z. Rumsfeld vlerësoi punën e Kryeministrit Berisha dhe suksesin e reformave, duke e evidentuar Shqipërinë si një vend me tregues pozitivë në rajon.

Ish Sekretari Mbrojtjes, z. Rumsfeld u shpreh i sigurt për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe rrugën e proceseve integruese të vendit. Ai u shpreh se ndjehej i gëzuar që e takonte Kryeministrin Berisha në Washington dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të thellohet më shumë në të ardhmen.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe çështje të politikës globale, procesin e zgjerimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut etj..


05/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›