Kryeministri Berisha flet për ekonominë e vendit: Shitjet janë rritur 25.6 përqind, eksportet me 22 përqind
Kryeministri Berisha informoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke analizuar veçanërisht dy elementë, nivelin e shitjeve dhe të eksporteve. Shitjet e përgjithshme, bazuar në deklaratat e vetë tregtarëve, - tha Kryeministri- janë rritur me 25.6 përqind, krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa eksportet shqiptare kanë një rritje prej 22 përqind në vlerë, ndonëse në një vit jo shumë të favorshëm, për shkak të situatës së vështirë ekonomike në vendet fqinj, me të cilat Shqipëria ka kryesisht shkëmbimet tregtare.
Kryeministri Berisha tha se ende ka qytetarë në vështirësi, por qeveria po bën gjithçka për punësimin e tyre, ndërsa siguroi gjithashtu se lehtësimi i biznesit mbetet përparësi.
“Duke evidentuar këto nuk them se ekonomia nuk ka probleme. Kur monedha themelore e Europës është e sëmurë, ajo nuk rrezaton pozitivitet në zona të tjera, por e vërteta është se modeli ekonomik i Shqipërisë po mbahet në mënyrën më të qëndrueshme e të vendosur ndaj ndikimit negativ të shumë faktorëve, siç është Euro, rënia e fuqisë blerëse në vendet fqinj etj.,” – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri ftoi gjithashtu, opozitën që për të qenë realë e të vërtetë t’u referohen në deklaratat e tyre të dhënave zyrtare ose të institucioneve ndërkombëtare, që faktojnë rritje të ekonomisë shqiptare 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit dhe ulje progresive të papunësisë.
“Sa bëjnë betejë me statistikat, më mirë t’i studiojnë ato! Ato vërtet janë numra, por mbartin me vetë edhe aktivitete. T’i hedhësh poshtë ato vetëm e vetëm se janë statistika shqiptare, edhe mund ta bësh, por çdo të thuash për të dhënat ndërkombëtare që pohojnë këtë,” – u shpreh Kryeministri.
Ne, tha Kryeministri, nuk bëjmë premtime boshe. Ato që premtojmë ne i bëjmë.
Kryeministri përgëzoi biznesin, administratën tatimore, doganore dhe administratën në tërësi për performancën pozitive të ekonomisë.
Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë, për ekonominë:
“Kryefjala e kësaj mbledhjeje do të jetë performanca ekonomike e vendit, e cila ka njohur një zhvillim qartësisht pozitiv. Unë kam kënaqësi të informoj qytetarët shqiptarë se shitjet e përgjithshme në këtë vend, sipas deklaratave të atyre që shesin, njohin një rritje prej 25.6 përqind, krahasuar me vitin e kaluar. Nëse kemi parasysh se tregtia është edhe gjaku i ekonomisë dhe, natyrisht, si për njeriun, nuk ka asgjë më jetike për shëndetin, sesa qarkullimi i gjakut dhe shpejtësia e këtij qarkullimi, nga i cili varet funksionimi i të gjitha pjesëve të tjera. Pra, tregtia njeh një rritje, për të cilën mund të them, edhe mbi parashikimin. Kjo rritje dëshmon para së gjithash e mbi të gjitha, një rritje të qartë të fuqisë blerëse në këtë vend. Unë mund t’u them shqiptarëve se nuk ka asgjë më të sigurt, sesa ajo që deklarojnë vetë shitësit e tregtarët dhe në asnjë rrethanë, ata nuk janë të interesuar t’i rrisin këto shifra, përkundrazi, e vërteta është se sipas rasteve, edhe mund t’i zvogëlojnë, por kurrë t’i rrisin.
Qarkullimi i gjakut të ekonomisë shqiptare është në formën më të mirë. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka qytetarë në vështirësi. Dua t’i them kryetarit të opozitës se më është dukur i ngratë, teksa shkonte tek dyqanet e deputetëve të tij në Durrës, për të bërë deklarata. Të paktën të zgjidhte biznese të tjera dhe jo të deputetëve të tij, gjë të cilën e pa i gjithë Durrësi, pasi nuk kishte asgjë më të pabesueshme se kjo. Jo se nuk ka njerëz që marrin mallra e ushqime me listë, sigurisht që ka, por mos shko tek dyqani i deputetit, mos e politizo. Ai është një biznes si gjithë të tjerat. Me këtë nuk them se nuk ka njerëz që nuk ka para për të blerë, nuk them se nuk ekziston lista, por u them se ne po bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve dhe kjo është bërë e qartë si drita e diellit. Në Shqipëri nuk ka rritje të papunësisë në këtë kohë, por ka rënie progresive të papunësisë, pra, ka krijim të vendeve të punës. Të kesh një rritje të shitjeve në këtë nivel do të thotë një vëllim qartësisht më i lartë. Dhe kjo, kur të tjerët në rajon i kanë shitjet e rritjet me minuse, me ulje progresive.
Në gjykimin tim nuk është mirë të bësh deklarata, pa iu referuar të dhënave zyrtare, të cilat janë të hapura për çdo qytetar. Opozita bëri një vit luftë dhe shpërndau me qindra email-e kundër Institutit të Statistikave, por ç’do t’u thonë institucioneve ndërkombëtare, ç’do t’i thotë Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike në Komisionin Europian që thotë se Shqipëria pati rritje 4 herë më të madhe se mesatarja e rajonit, ç’do t’u thonë atyre që pohojnë se në Shqipëri, si i vetmi vend, nuk u rrit papunësia, po u ul, ç’do t’i thonë Organizatës Botërore të Tregtisë që fakton se në Shqipëri investimet e huaja arritën 1 miliardë e 30 milionë dollarë. Sa bëjnë betejë me statistikat, më mirë t’i studiojnë ato! Ato vërtet janë numra, por mbartin me vetë edhe aktivitete. T’i hedhësh poshtë ato vetëm e vetëm se janë statistika shqiptare, edhe mund ta bësh, por çdo të thuash për të dhënat ndërkombëtare që pohojnë këtë.
Më duhet të informoj qytetarët shqiptare se, ndonëse ky nuk është një vit i mirë, pasi dy fqinjët tanë, me të cilët kemi kryesisht shkëmbimet, janë në vështirësi, eksportet shqiptare kanë një rritje prej 22 përqind në vlerë. Ato kanë qenë 62 miliardë lekë për periudhën janar-gusht dhe janë rritur në 78 miliardë lekë në vitin 2012. Natyrisht ka rënie të rieksportove, por kjo për dy arsye. Së pari, një pjesë e tyre janë kthyer në eksporte Made in Albania. Së dyti, natyrisht një pjesë e tyre janë prekur, pasi punonin për tregje të caktuara të vendeve fqinje dhe u duhet një kohë të riorientohen e të gjejnë tregje të reja në Europë e Azi. Por fakt është se në tërësi rritja e eksporteve është dyshifrore dhe në këtë kohë, ky është një lajm shumë pozitiv.
Duke evidentuar këto nuk them se ekonomia nuk ka probleme. Kur monedha themelore e Europës është e sëmurë, ajo nuk rrezaton pozitivitet në zona të tjera, por e vërteta është se modeli ekonomik i Shqipërisë po mbahet në mënyrën më të qëndrueshme e të vendosur ndaj ndikimit negativ të shumë faktorëve, siç është Euro, rënia e fuqisë blerëse në vendet fqinj etj..
Ndaj me këtë rast, dua të përgëzoj në radhë të parë, biznesin shqiptar, i cili në këtë periudhe krize për Europën ka dëshmuar performancë të admirueshme. Dua gjithashtu të përgëzoj edhe administratën tatimore, doganore, të gjithë administratën shqiptare, e cila përpiqet të lehtësojë veprimtarinë e këtij biznesi.
Dje mora një mesazh nga një biznesmen vlonjat, i cili falenderonte më shume mirënjohje për vendimin e fundit të qeverisë që uli me 60 përqind tarifën që biznesi paguante për kontrollin e kasave fiskale, nga 9600 lekë në 4000 dhe nga dy herë në vit, në një herë në vit. Por kjo është vetëm një masë. Ne nuk bëjmë premtime boshe. Ato që premtojmë ne i bëjmë. Të dalësh para biznesmenit të partisë dhe t’i thuash se unë do të të heq taksën dhe pas një minutë t’i thuash se nuk do të paguajë kaq shumë, por më pak, pra, heqja e taksës dhe pagesa më pak janë dy gjëra të ndryshme. E rëndësishme është që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet, për të lehtësuar biznesin. Në këtë drejtim janë marrë e do të merren një seri masash.”
12/09/2012