E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjizorit të shquar Sheri Mita

3 prill 2012

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot paradite, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjizorit të shquar, Sheri Mita.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Sheri Mita!

Ndiej një keqardhje të thellë dhe trishtim të veçantë në këto momente, kur po ju drejtohem me ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm. Më lejoni të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të thellë dhe për t’ju shprehur konsideratën më të lartë personale dhe institucionale për profilin njerëzor dhe profesional të Sheri Mitës!

Në kujtesën e të gjithë artdashësve shqiptarë, të atyre që për dekada të tëra ndoqën, vlerësuan dhe duartrokitën aktrimin e talentuar dhe regjinë mjeshtërore të Sheri Mitës si një nga protagonistët e spikatur të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Sheri Mita do të mbetet përherë i skalitur me talentin e tij të lindur, teknikën e admirueshme artistike, profilin e tij të veçantë dhe elegancën e një artisti të niveleve nga më të lartat. Nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin nga afër, Sheri Mita do të kujtohet gjithnjë edhe për virtytet e të rralla njerëzore, për personalitetin e tij të spikatur dhe për përkushtimin dhe pasionin, të cilin ai ia dhuroi artit shqiptar dhe frymëzimit të brezave të artistëve të rinj.” – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›