Kryeministri Berisha i bashkohet aktivitetit ndërgjegjesues mbi autizmin
Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin, Kryeministri Berisha u bë pjesë e aktivitetit sensibilizues të organizuar në Qendrën Rajonale të Autizmit nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, me qëllimi tërheqjen e vëmendjes së shoqërisë ndaj shqetësimit në rritje të shëndetit publik në lidhje me autizmin.
Përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, prindër e terapistë,etj., ju bashkuan "Autism Speaks", në aktivitetin global "Ndriçoje krejt blu", për të rritur ndërgjegjësimin mbi autizmin dhe pasojat e tij tek individët, familjet dhe e gjithë shoqëria.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha tha se autizmi po merr karakter epidemik, ndaj përbën edhe një sfidë të madhe, me të cilën përballet realisht njerëzimi. Duke iu referuar të dhënave se nga viti 2002 deri në vitin 2012, ky çrregullim është rritur me 78 për qind, Kryeministri tha se këto të dhëna dëshmojnë se “lipset e duhet të krijohet një vetëdije shumë herë më madhe ndaj këtij fenomeni.”
“Në bindjen time më të thellë dhe këtu po flas si mjek - u shpreh Kryeministri - është plotësisht i shërueshëm dhe i trajtueshëm. Është një fenomen, i cili mjekun me të shkëlqyer dhe ilaçet më të shkëlqyera, ka prindërit e fëmijës. Kjo kërkon nga çdo çift, nga çdo prind, që të jetë i vëmendshëm ndaj fëmijës së tij, ndaj zhvillimit të tij më të hershëm psikologjik, ta ndihmojë atë në përkushtimin e prindit për të kapërcyer vështirësitë. Çdo vonesë ka çmim shumë të lartë”.
Përkushtimi i jashtëzakonshëm i prindërve, që kujdesen për fëmijët e tyre me autizëm, vlerësoi Kryeministri, të jetë frymëzues për një vetëdije të re, familjare dhe shoqërore, ndaj këtij çrregullimi, plotësisht të trajtueshëm me sukses.
Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të vendosë së shpejti të gjithë kuadrin e nevojshme ligjor dhe institucional, për përgjigjen më të mirë ndaj këtij fenomeni.
02/04/2012