E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, zotin Abdullah S. Alhamadan

Kryeministri Berisha priti sot ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, zotin Abdullah S. Alhamadan, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri e falënderoi për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve dhe u shpreh se ambasadori largohet në një moment që marrëdhëniet e bashkëpunimit si ne kuadrin dypalësh, ashtu dhe në atë shumëpalësh janë në një nivel shumë të mirë. Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Abdullah S. Alhamadan dhe për mbështetjen që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve.

Nga ana e tij, ambasadori Abdullah S. Alhamadan e falënderoi Kryeministrin për pritjen, dhe u shpreh se largohet me përshtypjet më të shkëlqyera për mikpritjen që ka pasur gjatë gjithë kësaj periudhe në Shqipëri, si dhe e falënderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjatë këtyre viteve.
Zoti Abdullah S. Alhamadan u shpreh se vendi i tij ka ndjekur me interes dhe gëzohet për zhvillimet shumë të rëndësishme për rajonin, si për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit në NATO, ashtu edhe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Duke folur për zhvillimet në rajon, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria shpreson që Arabia Saudite t’u bashkohet së shpejti vendeve që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, si dhe ka besim se Arabia Saudite do të përdorë ndikimin e saj në vendet e tjera të rajonit të lindjes së Mesme për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Berisha e vlerësoi si një moment kulmor për kombin shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e falënderoi ambasadorin për përkrahjen që qeveria e Arabisë Saudite dhe vendi i tij i kanë dhënë në mënyrë të vazhdueshme çështjes së Kosovës.

Pavarësia e Kosovës, u shpreh Kryeministri, është dhe mbetet zhvillimi më i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.
Në fund të takimit të dy palët shprehën gatishmërinë për intensifikimin e kontakteve politike të të gjitha niveleve, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në veçanti në fushën energjetike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›