E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti në një takim Drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore Ngosi Okonjo-Iweala

 Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtoreshën e Lartë të Bankës Botërore Ngosi Okonjo-Iweala, e cila ndodhet për një vizitë dy ditoren në vendin tonë.

Kryeministri Berisha dhe zonja Ngosi Okonjo-Iweala, zhvilluan një takim, në përfundim të të cilit dhanë një konference të përbashkët për shtyp gjatë, së cilës informuan mbi pikat e diskutimin ne ketë takim dhe ju përgjigjën interesit të medias.


Pas takimit Kryeministri Berisha u shpreh:  

Zonja dhe zotërinj

Ne, sapo përfunduam një takim me drejtoren e lartë të menaxhimit në Bankën Botërore zonjën Ngozi Okonjo-Iweala, e cila viziton për herë të parë Shqipërinë. Për mua ishte një rast i shkëlqyer, për ti shprehur mirënjohjen më të thellë Bankës Botërore, e cila në këto 20 vite bashkëpunimi të frytshëm ka ndihmuar në qindra e qindra projekte, transformimin e këtij vendi, projekte të cilat arrijnë në rreth 1.5 miliard dollarë.

Ne diskutuam gjerësisht, mbi përparësitë e bashkëpunimit tonë në të ardhmen, kam kënaqësinë dhe dua të falënderoj, drejtoren e lartë të menaxhimit në Bankën Botërore zonjën Ngozi Okonjo-Iweala, për mirëkuptimin e saj dhe të Bankës Botërore, për këto përparësi jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e këtij vendi.

Ne, ramë dakord të bashkëpunojmë ngushtë me Bankën Botërore, për të gjithë problematikën e përmbytjeve. Unë u ndala këtu, sepse emergjenca gjithmonë është përparësia më madhore, por përveç emergjencës, ne kemi trajtuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Bashkëpunimin në ndërtimin e infrastrukturës, ku Banka Botërore ka një rol dhe një kontribut shumë të madh në të katër anët e vendit.

Bashkëpunimin në fushën e bujqësisë. Unë e njoha përfaqësuesen e lartë të Bankës Botërore, me vizionin e qeverisë sime, për zhvillimin e këtij sektori si një kusht përcaktues, për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar. Në këtë kontekst, drejtimet tona më themelore janë dhe do të mbeten, një sistem modern vaditje në mbarë Shqipërinë, implementim me efiçencë të plotë i projektit kombëtar të ullirit, implementim me efiçencë të plotë të projektit kombëtarë të arrorëve, të arrave, gështenjave, lajthive, bajameve, shegëve. Pra si një përpjekje e madhe për të shndërruar Shqipërinë në një vend prodhues të këtyre frutave, por dhe për të luftuar me efiçencë varfërinë.

Ne, diskutuam për bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit, shpreha falënderimet e mia për të gjithë ndihmën efiçente të bankës, që përbën një prioritet madhor, për qeverinë dhe mora garancinë, e Drejtoreshës së Lartë të Menaxhimit, se është e gatshme të vazhdohet kjo ndihmë, veçanërisht në reformën e mëtejshme të arsimit të lartë dhe ne do të dërgojmë ekipe edhe në Korenë e Jugut, për të parë modele më të mira dhe për ti adaptuar.

U diskutua gjerësisht, për minierat. Ekspertët e Bankës Botërore, i kanë dhënë Shqipërisë një ndihmë shumë të çmuar, një lloj master plani për minierat dhe ne po e zbatojmë me seriozitet atë.

Diskutime patëm lidhur me situatën makro-ekonomike. Unë e garantova bashkëbiseduesen time,se për qeverinë shqiptare, rëndësi shumë të madhe ka ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik, dhe se qëllimi ynë është që borxhi të mbahet nën 60%. Difiçiti buxhetor të jetë për vitin e ardhshëm rreth 3.5%. Natyrisht është e kuptueshme që Drejtoresha e Lartë e Bankës Botërore për Menaxhim zonja Ngozi Okonjo-Iweala, do të dëshironte disa vlera me të ulta për borxhin dhe kjo është normale, por e rëndësishme është që ne mbetëm të vendosur, që të mos lejojmë që borxhi të kaloje mbi 59%.

Unë e njoha me zhvillimet ekonomike, veçanërisht me rritjen e eksporteve që këtë vit janë mbi 60%, me investimet e huaja dhe zhvillime të tjera.
Natyrisht në këto diskutime Shqipëria dixhitale, ishte një temë e veçantë diskutimi, sikundër shpreha vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur fuqishëm biznesin dhe zhvillimin e tij në të gjitha fushat, për të ndërmarrë hapa të tjera shumë të rëndësishme në rritjen e kompetivitetit dhe zgjerimin e lirisë së tregut.

Ne diskutuam për reformat strukturore në fushën e shëndetësisë, pensioneve, ndihmës ekonomike. Reforma, të cilat do ecin gjatë këtij viti me hapat të sigurta. Në mënyrë miqësore shpreha një shqetësim serioz të qeverisë sime, ndaj dy-tre sektorëve, të cilët u ngarkojnë për shërbimet e tyre qytetarëve shqiptarë tarifa tejet të larta dhe të pajustifikuara. Natyrisht nuk është një lajm i këndshëm, por unë dua të informoj opinionin se qeveria do të lëvize sistemin fiskal ndaj këtyre sektorëve, në mënyrë proporcionale dhe të fuqishme.

Ne kemi ulur tatim fitimin nga 20 në 10%, ne kemi ulur taksën e të ardhurave personale nga 23 në 10%, ne kemi ulur kontributet e sigurimeve shoqërore nga 32 në 15%, ne nuk mund dhe nuk do të pranojmë që shqiptarët, me këto taksa kaq të ulta të paguajnë, tarifa të cilat janë shumë disproporcionale me realitetin dhe tregun.

Unë mbetem i vendosur që të mos ndërhyj asnjëherë ne çmime, ato do ti përcaktojë tregu. Detyra e qeverisë është të lëvizë me atë sistem që i bën të mundur një shpërndarje me të ndershme, më të drejtë të të ardhurave.

Dhe njëherë dua të falënderoj Drejtoren e Lartë Menaxhere të Bankës Botërore dhe ta siguroj për bashkëpunimin e plotë dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar. Uroj dhe dëshiroj se Banka Botërore të marrë një rol shumë më të madh në projekte rajonale.

Banka Botërore është një lojtar botëror i rëndësishëm, kryesor dhe unë mendoj se me projektet e mëdha rajonale ka një shans historik për të kontribuar në paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e popujve të këtij rajoni.


-Drejtoresha e Lartë e Menaxhimit të Bankës Botërore Ngozi Okonjo-Iweala:


Faleminderit shumë zoti kryeministër që pranuat të më takoni. Jam shumë e kënaqur që jam këtu në Shqipëri, një vend i bukur ballkanik, me një histori të mrekullueshme dhe një trashëgimi kulturore të pasur,këtë e pashë edhe dje nga vizita që bëra në një muze arti.

Ritmi i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit, ka qenë i jashtëzakonshëm. Zhvillimi i Shqipërisë ka qenë mesatarisht 6% në vit nga, viti 1998 në vitin 2008, që është një nga efektivitetet më të mira në Europë.

Si rrjedhojë e së cilës Shqipëria tashmë i takon grupit të vendeve me të ardhme të mesme, të nivelit më lartë. Dhe unë për këtë arritje mbresëlënëse të popullit shqiptare e urova kryeministrin Berisha. Përpjekjet e qeverive të një pas njëshme, kanë çuar në një ulje të madhe të varfërisë dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme në Bankën Botërore. Përqindja e popullsisë në varfëri absolute ra nga 25% në vitin 2002, në 12 % në vitin 2008,dhe pas këtyre shifrave qëndrojnë 200 mijë njerëz, të cilët tashmë kanë një rast më të mirë për të realizuar shpresat dhe mundësitë e tyre.

Shqipëria është përballur më së miri me ndikimin e krizës financiare ekonomike globale, duke arritur një shkallë zhvillimi pozitiv prej rreth 3% në vitin 2010, ndërsa shumë prej fqinjëve të saj kanë vazhduar të jenë në një rënie ekonomike.

Banka Botërore së bashku me agjenci të tjera të zhvillimit, ka qenë një partner zhvillimi i Shqipërisë për rreth dy dekada dhe ne ndihemi krenar që lidhemi me këto arritje të jashtëzakonshme.

Me kryeministrin diskutuam edhe për vërshimet në pjesën veriore të Shqipërisë dhe me këtë rast dëshiroj të shpreh simpatinë dhe solidaritetin tim, për banorët e zonës veriore të Shqipërisë, të cilët kanë vuajtur nga përmbytjet e mëdha gjatë muajve të fundit.

Ne diskutuam me kryeministrin sesi Banka Botërore mund të vazhdojë të shprehe ndihmën e saj, që deri tani është e madhe për këto zona të përmbytura dhe sesi ne mund ta sjellim këtë ndihmë më shpejt,kam kënaqësinë të informoj që ne kemi caktuar një fond prej 1 milion dollarësh, për të ndihmuar për planifikimin pas fatkeqësisë. Gjithashtu po shohim sesi mund të japin dhe një shumë prej 22 milion dollarësh si financim shtesë, për sigurinë e digave në rast se e kërkon qeveria.

Duke parë nga e ardhmja, diskutuam sfidën me të cilën përballet Shqipëria për të rikthyen shkallën e lartë të zhvillimit në një botë pas krizës. Gjatë viteve të ardhshme zhvillimi global ka shumë të ngjarë të jetë i ngadalshëm, veçanërisht në vendet Evropiane, të cilat përfaqësojnë partnerët kryesore tregtarë të Shqipërisë. Për me tepër gjetja dhe termat e dhënies së ndihmës të kapitalit ndërkombëtar do të jenë dhe më të vështira. Ato vende që kanë një besueshmëri më të madhe makro-ekonomike janë ato që kanë më shumë të ngjarë që të kenë mundësi të marrin një pjesë të kapitalit të pakët që gjendet në treg.

Prandaj siç diskutuam edhe me zotin kryeministër, ka shumë mundësi që Shqipëria të vazhdojë ndjekjen e politikave të kujdesshme fiskale të së kaluarës dhe të sigurojë qëndrueshmërinë fiskale. Kjo do të thotë që Shqipëria duhet ti përmbahet kuadrit afatmesëm buxhetor, që i mban difiçitet dhe borxhin e sektorit publik me një tendencë rënie.

Siç diskutuam me zotin kryeministër, mbase Shqipëria do të përpiqet që jo vetëm ta mbajë borxhin në nivelin 59%, por ndoshta dhe ta ulë atë më tepër. Përveç kësaj duke qenë një vend me të ardhura të mesme, Shqipëria përballet me një konkurrencë gjithnjë e në rritje, qoftë nga vendet poshtë, qoftë nga vendet lart saj. Pra nën të janë ato vende, të cilat prodhojnë produkte të njëjta me Shqipërinë, por që konkurrojnë në bazë të krahut të punës më të lirë. Sipër saj janë ato vende, të cilat prodhojnë produkte më komplekse por që përdorin procese prodhimi më të avancuara dhe që konkurrojnë në bazë të novacioneve, përshtatjeve dhe aftësive.

Ka shumë rëndësi, që Shqipëria të gjejë mënyrat e duhura që të jetë në krye në mënyrë konkurruese. Kam kënaqësinë të them se, në diskutimet tona, zoti kryeministër na vuri në dukje mënyrat sesi Shqipëria mendon të sigurojë rritjen e mëtejshme përmes reformave në arsim, për krijimin e aftësive në teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit dhe në sektorin energjetik.

Pra në këtë kuadër ka rëndësi që ti kushtohet rëndësi cilësisë, sepse Shqipëria ka bërë shumë për sa i përket sasisë, për sa i përket fushës së arsimit, por tani ka rëndësi të shikohet cilësia dhe për këtë diskutuam me zotin kryeministër për shkëmbimin e përvojës dhe në këtë rast të mësimit nga përvoja e Koresë së Jugut.

Zoti kryeministër vuri në dukje përparësitë në fushën e bujqësisë, në fushën e infrastrukturës rajonale, në infrastrukturën e vendit dhe Banka Botërore, me kënaqësi do ti mbështesë këto përparësi. Në këtë kuadër ka po aq rëndësi të përmirësohet mjedisi për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit, duke përfshirë të drejtat e sigurta të pronësisë së tokës dhe zbatimin efektiv dhe transparent të ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese.

Ne diskutuam gjithashtu, sesi do të vazhdojmë të ndihmojmë familjet e varfra dhe nevojën për vazhdimin e reformave të ndryshme strukturore në këtë drejtim, siç është për shembull mbështetja shoqërore e tyre etj. Gjithashtu e kuptoj më së miri shqetësimin e shprehur nga kryeministri në lidhje me pagesat e larta në fushat e ndryshme siç janë në fushën bankare dhe telekomit, por mendoj se duhet parë dhe arsyeja pse janë këto tarifa kaq të larta dhe mbase mund të bëhen ndërhyrje në këto drejtime.

Gjithashtu i ri konfirmova kryeministrit Berisha, angazhimin e bankës për të mbështetur përpjekjet dhe zhvillimin e integrimin e të Shqipërisë nëpërmjet strategjisë së re të partneritetit me vendin.

Pyetje: 1- Z. Kryeministër a  mund të na thoni diçka më shumë, cilat do të jenë përparësitë e bashkëpunimit për sa i përket problematikës së përmbytjes në Shkodër?
2-A mund të na zbardhni pak më shumë, se cilave tarifave iu referuat pak më parë dhe si do të bëhet ndërhyrja e tyre?

Kryeministri Berisha: Lidhur me përmbytjen unë e falënderova shumë zonjën Drejtoreshë të Lartë të Menaxhimit në Bankën Botërore, për solidaritetin e madh, që banka ka dëshmuar ndaj nesh, gatishmërinë e saj me procedura të shpejta, që të ndërhyjë në këtë zonë, si dhe projektet tona siç është by Pass-i i Shkodrës, thellimi i Bunës në 1/3 e zonës së sipërme, lehtësimi i drenimeve në 1/3 e poshtme, por projekti i studimit që financohet nga banka prej 1 milion dollarësh, do të japë përgjigjen më të plotë, më të detajuar, më të rëndësishme për të gjithë zonën.

Duhet të dini një gjë dhe një basen, e cila dy muaj më parë merrte rreth 7 mijë apo 8 mijë metër kub në sekondë, me një fuqi drenuese të punës jo më shumë se 230-250 metër kub në sekondë, dhe ju e dini që shtrati i Drinit ka ndryshuar rreth 150 vjet më parë, pra rrisqet e përmbytjes këtu janë të mëdha. Ndërhyrja është komplekse, por do të behët gjithçka me by pass-in dhe digat e Kirit, për mbrojtjen më maksimale të qytetit, do të behët çdo gjë me sistemin e argjinaturave , për të mbrojtur komunat dhe me drenimin. Por një mendim përfundimtare ne  presim dhe nga studimi shumë i rëndësishme, i cili do të përfshijë çdo lloj aspekti në këtë zonë.

Lidhur me pyetjen e dytë/ Ata që shfrytëzojnë lirinë ekonomike për tu shtruar në oligarkë, ata duhet ta kenë shumë të qartë se nuk është ky qëllimi i lirisë ekonomike. Kjo qeveri do të përdorë zero tolerancë ndaj oligarkëve dhe oligarkisë. Liria ekonomike nuk nënkupton këtë. Kodi moral i fitimit është një nga kodet më themelore të individit, por dhe të kompanive. Është fyerje e rëndë e këtij kodi moral, që çoi botën në një prag katastrofe, para së gjithash dhe mbi të gjitha ne nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm një kod moral fitimi. Nëse vjen këtu dhe tarifon shqiptarët 2 apo 3 herë me lart, sesa të tjerë me rroga 5 herë më të larta se shqiptarët kjo nuk do të mund të tolerohet.

Çmimet dhe tarifat nuk i përcaktojmë ne dhe ju e keni konstatuar mirë, sa here kanë lëvizur ato unë i kam respektuar, por nga ana tjetër ka një mënyrë indirekte për të mbrojtur qytetarët shqiptarë, për të bërë që në të gjitha këto fitime të pa përmbajtura të paguhet taksa përkatëse në mënyrë, që edhe ata të kenë më shumë shkolla më shumë rroga, kanalizime e ujësjellës. Pra këto janë raste sporadike kjo nuk është e përgjithshmja, tregu shqiptarë është një treg tërësish i lirë, por ka shkelje dhe ne ju garantoj ju që në mënyrën më të butë, por të vendosur jemi përpjekur, kemi kërkuar që disa norma morale të fitimit të respektohen.

Aty ku nuk janë respektuar qeveria do të ndërhyjë. Nuk mund të pranojmë ne që transaksionet elektronike të jenë falas në të gjithë Europën dhe këtu të paguhen sa “Frangu pulën”. Në një kohë që ne në emër të zhvillimit të këtij tregu pothuajse detyrojmë qytetarët të ecin drejt transaksionit elektronik. Janë bërë përpjekje serioze për të arritur në një mirëkuptim në mënyrë që kodi moral i fitimit, që duhet të karakterizojë çdo individ duhet të karakterizojë çdo kompani. Kriza e madhe botëror e krijuar para së gjithash nga mos respektimi i këtij kodi. Në këtë rast nuk mund të bindem unë që shqiptarët në një përdorim të celularëve 17% mbi mesataren evropiane duhet tu inponohen tarifa, të cilat janë 2-3 herë më të larta se rajoni apo të Austrisë që është një vend me paga minimumi 5 herë më të larta se Shqipëria.

Ndaj dhe këtë vit ne nuk kemi ndërmend që të pajtohemi me oligarkitë. Këtu kush të dojë të bëj biznes është i mirë pritur i vlerësuar i nderuar i respektuar dhe ju garantoj se të gjitha ligjet janë bërë siç ka qenë interesi më i mirë, por askush lirinë ekonomike, nuk ka të drejtë të shfrytëzojë për të krijuar dhe për të bërë oligarkun. Historia e oligarkive është një histori, e cila duhet të lihet prapa, është një histori nga e cila shoqëritë e lira duhet të ndahen dhe unë me keqardhje konstatoj se tendenca të tilla ekzistojnë dhe dua të them këtu se toleranca do të jetë zero.

Pyetje: U bënë gati dy vjet që nuk po dëgjojmë për ndonjë projekt të ri të bankës kur marrëdhëniet mes bankës dhe Shqipërisë janë cilësuar gjithmonë si të suksesshme. A ka lidhje kjo me ecurinë e këtyre qëndrimeve?

Ngozi Okonjo-Iweala: Në fakt shpejt keni për të parë se do të ketë disa projekte të reja të Bankës Botërore, që do të vijnë në Shqipëri. Po punojmë për një operacion për mbështetjen e buxhetit që lidhte me sektorin social, ku do të punojmë me qeverinë për përmirësimin e politikave në sektorin social, që mund të sigurojnë një bazë të qëndrueshme për të ndihmuar njerëzit e pa mbrojtur dhe kjo do të fillojë së shpejti dhe besoj se, në mars të këtij viti keni për ta parë një projekt të tillë.

Gjithashtu kryeministri na kërkoi që të shikojmë edhe aspektin e bujqësisë dhe të vaditjes dhe këtë do ta shikojmë për të parë sesi mund të ndihmojmë, sigurisht që po punojmë për zonat e përmbytura. Pra siç e shikoni këto janë disa operacione të rëndësishme që presin të realizohen. Ne jemi shumë të interesuar të mbështesim zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, duke i vënë theksin rritjes dhe aftësisë së saj konkurruese dhe gjatë viteve të ardhshme, keni për të parë që një gjë e tillë do të realizohet. Dua të them diçka për disbursimin meqë ju e përmendet.  Pra ne kemi një portofol me 15 projekte dhe do të punojmë shumë ngushtë me qeverinë, këtë e diskutuam edhe me Ministrin e Financave, për të realizuar disbursimet e këtyre 15 projekteve sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse nuk ka kuptim që të futen projekte te reja pa realizuar këto projekte ekzistuese.

Kryeministri Berisha: Ai topi ju pengon ju të shikoni jashtë mureve të asaj sfere. I nderuar zoti gazetarë, ju duhet të dini se nëse merrni mundimin me kamerën tuaj dhe shkoni jo më larg se 50 kilometra nga qendra e Tiranës, do të filmosh aty një autostradë ndër më të rëndësishmen e këtij vendi dhe rajoni, segmentin e saj Milot-Rrëshen, tërësisht të financuar nga Banka Botërore. Në rast se ju me kameran tuaj do të merrni mundimin të shëtisni nëpër Shqipëri, ju do të gjeni qindra kilometra rrugë në ndërtim, të financuara kryesisht dhe në partneritet nga Banka Botërore.

Ju do të mësoni po të dilni jashtë sferës, se projekti i rrugëve rurale është udhëhequr kryekëput nga Banka Botërore dhe ky projekt po ndryshon Shqipërinë, se Shqipëria nuk është qendra e Tiranës dhe nëse ka një projekt që po ndryshon Shqipërinë aty ku është, është ky projekt. Por meqenëse këto projekte janë të largëta nga qendra, unë ju ftoj ju të shkoni në Kamzë, dhe të vizitoni shkollën “Ibrahim Rugova”, shkollën më të bukur më të madhe, që ekziston në vend, të cilën unë pak muaj më parë e inaugurova me përfaqësuesit e Bankës Botërore, por kjo është vetëm njëra shkollë, janë me dhjetëra shkolla të tjera, që ndërtohen në të katër anët e vendit nga ky projekt.

Pra ka një disbursim të vazhdueshëm, natyrisht që mund të jetë më i shpejte, natyrisht ka vështirësitë e veta, vështirësi të lidhura me një seri rregullash burokratike, por të domosdoshme për të ruajtur mjedisin, për të respektuar pronësisë, për të ndjekur dinamizmin, pra këshilla ime miqësore është me atë kamer si një xhest qytetarie për pyetjen që bëre, ti paraqesësh këto projekte ne ekranin e televizionit Top Channel.

Pyetje: Para disa kohësh qeveria shqiptare i ka kërkuar Bankës Botërore të marrë rolin për të super vizuar politikat makro ekonomike, ka një marroheni zyrtare, keni biseduar për këtë gjë?

Kryeministri Berisha: Zotëri FMN është në artikullin katër, dhe Shqipëria bashkëpunon në kuadrin e  artikullit katër me FMN dhe ka bashkëpunim shumë të mirë. Këto dy institucione janë motra siameze dhe ndjekin dy linjat e veta, por banka gjithashtu është thellësisht e interesuar për stabilitetin makro-ekonomik, si një kusht vendimtarë për zhvillim të qëndrueshëm.

Ngozi Okonjo-Iweala: Neve siç tha dhe zoti kryeministër, punojmë ngushtësisht me qeverinë, sikurse punon dhe me FMN, por ne nuk e zëvendësojmë rolin e njëri-tjetrit. Në fjalën që thash më parë përmenda dhe punën që bëjmë ne, në stabilitetin makro-ekonomik dhe kjo është një nga arsyet pse e përmenda.


10/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›