E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përgëzon kompaninë Vodafon për fillimin e shërbimit 3G

Sot, në ditën e parë të nisjes së shërbimeve 3G në Tiranë nga kompania celulare Vodafone Albania, Kryeministri Berisha zhvilloi një telefonatë - video (video call) me Drejtorin e Përgjithshëm të kësaj kompanie z. Haris Broumidis.

Gjatë kësaj bisede, Kryeministri Berisha i shprehu z. Haris Broumidis urimet e tij dhe vlerësoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e telekomunikacionit të Shqipërisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se ky është një hap shumë i rëndësishëm në prioritetet dhe përpjekjet tona për “Shqipërinë dixhitale”. Kryeministri Berisha vlerësoi faktin që Vodafone brenda një kohe shumë të shkurtër arriti të vërë në punë një nga sistemet më moderne të kohërave tona.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Përgjithshëm i Vodafone Albania z.Haris Broumidis e falënderoi Kryeministrin Berisha për vlerësimin e bërë dhe cilësoi privilegj të madh realizimin e kësaj telefonate - video të parë me të. Sot, u shpreh z. Broumidis, ne po lançojmë zyrtarisht shërbimin 3G në Tiranë dhe tani jemi më të integruar me pjesën tjetër të botës, jemi më afër konceptit të globalizimit.

Sipas tij, shërbimi 3G ka nisur të implementohet para dy muajsh, ndërsa sot ky shërbim i ofrohet zyrtarisht konsumatorëve në Tiranë. Kompania Vodafone, - u shpreh z. Broumidis, - do të bëjë të mundur që për 18 muaj ky shërbim të ofrohet në çdo cep të vendit. “Teknologjia 3G do të ndryshojë mënyrën sesi shqiptarët përdorin telefonin. Ata do ta përdorin për të qenë më të lidhur dhe më afër informacionit, më afër miqëve dhe familjarëve. Ky është një hap i madh drejt epokës së dixhitalizimit që, gjithashtu, është një prej prioriteteve të qeverisë suaj. Shumë faleminderit për këtë mundësi për realizimin e telefonatës së parë video personalisht me ju”, u shpreh z. Broumidis gjatë bisedës me Kryeministrin Berisha.

Duke vlerësuar edhe një herë se ofrimi i këtij shërbimi është një arritje shumë e madhe, Kryeministri Berisha, drejtuar z. Broumidis, theksoi se “ju e dini se sa përzemër e kanë shqiptarët komunikimin dhe padyshim, në këtë aspekt, është një treg i madh, një potencial i vërtetë dhe i madh”

Në përfundim të telefonatës – video  Kryeministri Berisha i shprehu z. Broumidis dhe stafit të tij urimet për Vitin e Ri, si dhe i uroi fat të mbarë për të ardhmen.


10/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›