Kryeministri Berisha priti sot në takim Zotin Jose Pons, i dërguar i posaçëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, Zotit Miguel Angel Moratino, në cilësinë e kryetarit të radhës t
Kryeministri Berisha priti sot në takim Zotin Jose Pons, i dërguar i posaçëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, Zotit Miguel Angel Moratino, në cilësinë e kryetarit të radhës të OSBE-së, në përfundim të vizitës së tij në vendin tonë.
Kryeministri e falënderoi Zotin Pons për ndihmën që ai ka dhënë gjatë këtyre ditëve për zhbllokimin e situatës në lidhje me zgjedhjet vendore. Kryeministri u shpreh se qeveria dhe ai personalisht mbeten plotësisht të vendosur për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.
Kryeministri theksoi se përfaqësuesit e partive politike të maxhorancës vendosën të nënshkruajnë draftin e parë, që u paraqit në tryezën e rrumbullakët të bisedimeve të drejtuara nga Presidenti i Republikës, por atë draft opozita e hodhi poshtë duke kërkuar noterizimin e dokumenteve zyrtare dhe të vlefshme, përfshirë dhe ato të tre muajve më parë, çka është e palogjikshme, e papranueshme dhe penalizon në mënyrë kolektive qytetarët shqiptare dhe të drejtën e tyre themelore kushtetuese për të zgjedhur.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha i përcolli Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës përshëndetjet dhe falënderimet më të ngrohta.
Zoti Pons e falënderoi Kryeministrin për përkrahjen që ai i dha misionit të tij. Ai u shpreh se Ministri Moratino, si kryetar i radhës së OSBE-së, e ka ndjekur nga afër situatën dhe se për Shqipërinë është e rëndësishme zhbllokimi i situatës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat do të vlerësohen edhe nga vëzhguesit e OSBE-së.
Në këtë kontekst, Zoti Pons vlerësoi se konsensusi është zgjidhja më e mirë për zhbllokimin e situatës, zhvillimin e zgjedhjeve dhe për të ecur përpara me reformat për të cilat vendi ka nevojë.