E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, Kryeministri Berisha përshëndeti, gjatë një konference për shtyp, marrëveshjen e arritur mes partive parlamentare për zgjedhjet. Fillimisht, Kryeministri bëri këtë deklaratë: "Pë

Sot, Kryeministri Berisha përshëndeti, gjatë një konference për shtyp, marrëveshjen e arritur mes partive parlamentare për zgjedhjet. Fillimisht, Kryeministri bëri këtë deklaratë:

"Për dyzet ditë me radhë, në Shqipëri u përballën arsyeja me absurdin, besimi me dyshimin. Marrëveshja që arritëm mbrëmë, ishte triumfi i arsyes mbi absurdin, i tolerancës, maturisë demokratike, konsensusit mbi bllokimin dhe bojkotin. Në këtë kontekst, ajo është një fitore për çdo qytetar normal dhe të arsyeshëm shqiptar, për interesat dhe aspiratat europiane të tij dhe familjes së tij, interesat e shoqërisë shqiptare dhe vendit në tërësi. Pra, me këtë marrëveshje fituan qytetarët, fitoi Shqipëria.

Unë jam sot këtu, për të shprehur vlerësimin tim për të gjithë ato personalitete vendore dhe të huaja që ndihmuan në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja është një fitore e vërtetë për çdo qytetar shqiptar, sepse ajo u nënshkrua për të zhdukur obsesionin e pamerituar ndaj identitetit, dokumentave të identitetit të qytetarëve dhe në thelb, frikës ndaj votës së tyre të lirë.

Por kjo fitore, të dashur zgjedhës, do të bëhet e plotë dhe do të materializohet vetëm nga përkushtimi, përgjegjësia qytetare, atdhetarizmi, vokacioni juaj perëndimor, vota juaj e lire. Eshtë e vërtetë se kjo marrëveshje përbën një rëndesë dokumentacioni për ju, por shumë më e madhe do të ishte barra për secilin prej jush dhe vendin në tërësi, në rast se procesi zgjedhor do të mbulohej me tisin e dyshimit dhe ky i fundit do mund të përdorej si preteks për bojkot, sikundër ju siguroj se qeveria do të marrë të gjitha masat për të lehtësuar rëndesën që krijon marrëveshja, në lidhje me dokumentat, ndaj jush.

Ndaj, ju bëj thirrje të gjithë zgjedhësve shqiptarë, me një akt përgjegjësie të veçantë qytetare, të jepni çdo kontribut tuajin, me të gjitha dokumentacionet e rregullta që dispononi, në mënyrë të tillë që askush të mos trembet, të mos ketë frikë prej tyre dhe askush të mos mund t'ju pengojë në ushtrimin e të drejtës suaj kushtetuese, të drejtës së parë politike të qytetarëve të një shoqërie të lirë.

Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për zbatimin me ndershmëri dhe korrektësi të marrëveshjes, do bashkëpunojë me opozitën dhe të gjitha institucionet për realizimin në Shqipëri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Faleminderit"

Më pas, Kryeministri, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, bëri këto komente:

Pyetje: Në të tre raundet e tryezës politike, ku ishin të ftuar të gjithë kryetarët e partive parlamentare, Partia Demokratike që ju kryesoni është përfaqësuar nga nënkryetari i saj, Zoti Bamir Topi. Cila ka qenë arsyeja që Kryeministri i vendit ka munguar në tryezën e thirrur nga Presidenti?

Kryeministri: Në traditën e kësaj partie, kryetari i saj ka respektuar çdo marrëveshje të nënshkruar nga secili prej përfaqësuesve të tij dhe Partisë Demokratike. Kryetari i Partisë Demokratike është i çliruar nga obsesionet. Unë kam besim tek ata me të cilët punoj. Natyrisht nuk mund të mohoj se kam ndarë me ta të gjithë problemin në mënyrë konstante e të vazhdueshme, në të gjitha orët e ditës dhe të natës.

Pyetje: Zoti Berisha, ju falënderuat të gjithë autoritetet vendore që kontribuan në arritjen e marrëveshjes. Një nga ata ishte dhe Fatos Nano?

Kryeministri: Unë i falënderova të gjithë pa përjashtim, por, meqenëse zgjodhe specifikisht Zotin Nano, ata të cilët proklamuan dhe shpallën se takimi Nano-Berisha bëri të pamundur apo përkeqësoi shanset e nënshkrimit të marrëveshjes, mbetën të zhgënjyer. Marrëveshja u nënshkrua. Deklarata e takimit ishte një ftesë.

Pyetje: Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes mbetet në pikëpyetje çështja e kartave të identitetit. Si do të zgjidhet ky problem nga ana e qeverisë, në mënyrë që të mos gjendemi sërish në të njëjtat situata në të cilat u gjendëm?

Kryeministri: Ju siguroj se ky do të jetë një nga projektet e para të këtij viti. Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet dhe do të mobilizojë të gjitha burimet për pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Uroj që të mos perceptohen si ‘UFO' elektorale. Por ai është dokumenti më i sigurt dhe ne do të bëjmë kartën më të mirë që ekziston.

Pyetje: Zoti Kryeministër, a mund të evitohej tejzgjatja e krizës dhe a keni frikë se qytetarët shqiptarë, jo të mërzitur nga rëndesa e dokumenteve, por të lodhur nga zgjatja e kësaj krize mund të bojkotojnë procesin zgjedhor?

Kryeministri: Aspak. Kjo periudhë u ka shërbyer qytetarëve shqiptarë si periudhë refleksioni të thellë për votën dhe rëndësinë e saj. Ata panë qartazi përpjekjet për pengëzimin e saj. Ju siguroj se jo tani, jo dje, jo mbrëmë, por shumë e shumë ditë më parë oferta për dy dokumente ka qenë ofertë e pranuar plotësisht nga ne. Por problemi është se dyshimi duhej zhdukur aty ku ishte dhe e konsideroj normale këtë. E theksova 40 ditë u ndeshën besimi me dyshimin, arsyeja me absurdin. Fitoja arsyeja, fitoi besimi, fitoi konsensusi. Fituan vlerat e vërteta të çdo qytetari. Në këtë sallë para jush, në parlament kam deklaruar se, pavarësisht nga absurditeti dhe graviteti, kam qenë dhe jam shumë i bindur në maturinë demokratike të shoqërisë shqiptare, kam qenë dhe jam shumë i bindur se kemi ligje të mira demokratike, se kemi Kushtetutë demokratikë dhe se duhet të përpiqemi për zgjidhje. Ju siguroj se në 40 ditë, nëse i mblidhni janë bërë jo më pak se 400 propozime. Së fundi, u arrit marrëveshja dhe këtë e quaj një fitore për çdo qytetar shqiptar, për vendin në tërësi.

Pyetje: Zoti Berisha mendoni se tejzgjatja e krizës dhe mundimi për të arritur një zgjidhje ndikoi në imazhin e vendit në komunitetin ndërkombëtar dhe procesin saj të integrimit?

Kryeministri: Kriza e ngritur mbi absurdin, në mënyrë të padiskutueshme, ishte tërësisht e pamerituar. Ishte e mundshme të shihet se vërtet mund të krijohet, nuk ka ndodhur kurrë në 15 vjet që të bllokohen listat dhe komisionet, por, nga ana tjetër, u faktua se ekzistoi i gjithë potenciali për ta zgjidhur në mënyrë demokratike. Unë ju kisha garantuar ju, qytetarët dhe komunitetin ndërkombëtar se zgjidhja do të jetë ligjore, demokratike dhe kushtetuese dhe mendoj se kjo zgjidhje është bërë. Tani të shohim përpara për të bërë çdo përpjekje për të arritur standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si qëndrimi më i merituar për qytetarët shqiptarë dhe Shqipërinë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›