E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha rifton kryetarin e PS-së Edi Rama për të votuar në 6 gusht, projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit

Kryeministri Berisha i ka ripërsëritur sot, nga mbledhja e qeverisë, kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, ftesën për të votuar në datën 6 gusht projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. 

“I bëj thirrje zotit Rama të mendojë interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, interesin e socialistëve, interesin e vendit dhe të votojmë sëbashku draftin që ka marrë parasysh çdo sugjerim të Partisë Socialiste.”

Kryeministri qartësoi se data 6 gusht, e përcaktuar në kalendarin e Kuvendit për votimin e draftit për kufizimin e imunitetit, nuk është përcaktim arbitrar i mazhorancës, por një detyrim që rrjedh nga rregullorja e parlamentit.

Në vijim, fjala e plotë e Kryeministrit Berisha për kufizimin e imunitetit.

“Dua ta mbyll këtë ekspoze, me një ftesë të re për zotin Rama, për të votuar në datën 6 gusht, projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit.

Dua të informoj shqiptarët se data 6 gusht nuk është një datë arbitrare, por është një datë e miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshti, nga asnjë forcë politike. Ajo është një datë që detyrohet nga një nen i rregullores së parlamentit, i vendosur në rregullore në vitin 2008, pikërisht nga deputetët e Partisë Socialiste. Pas kritikave se u veprua me shpejtësi në ndryshimet në Kushtetutë në vitin 2008, deputetët socialistë, si reflektim të këtyre kritikave, sollën këtë nen që përcakton të gjithë kohën e procesit kushtetues, për të cilin absolutisht kishin të drejtë dhe ne e votuam bashkërisht.

Procesi kushtetues është procesi më serioz që ka një parlament dhe neni i propozuar nga Partia Socialiste përcakton se pas përfundimit të raportit, ai duhet të votohet brenda dy apo tre javëve dhe kjo ka korresponduar me datën 6 gusht. Pra, nuk jemi ne që përcaktojmë datën 6 gusht, por është neni i rregullores që e përcakton në mënyrë të prerë këtë datë. Një proces i nisur nuk mund të ndalohet. Nuk ka gjë më jo serioze, se të imagjinosh një gjë të tillë. Përkundrazi, je i detyruar ta respektosh atë në mënyrën më të vendosur.

Pas seancës së dëgjimit, historik për parlamentin shqiptar, përfaqësuesit e të dy grupeve të mëdha u ulën bashkë, punuan ditë me radhë dhe shumica bëri një pas një, të gjitha lëshimet, duke përfillur të gjitha kërkesat e Partisë Socialiste. Natyrisht, ne ishim për projektin e parë si më i miri, më i thelli, më i ploti. Por nuk mund të themi se ishte vetëm ai që i përgjigjej problemit dhe nuk kishte rrugë të tjera. Gjykuam të përfillim të gjitha sugjerimet e PS-së, që, për hir të së vërtetës, shumë prej tyre dolën edhe nga faktorë të tjerë, gjatë seancës së dëgjimit. Të dy palët bënë një punë të përgjegjshme.

Për të faktuar në mënyrë absolute se janë 3-4 vetë që mbajnë peng imunitetin, njerëzve, të cilët autorizoi zoti Rama dhe u kërkoi të mbrojnë 1,2, 3, 4, a 5 kërkesa, me besimin se ne nuk do t’i pranonim sugjerimet dhe sipas tij, do t’i bllokonim ato, pasi ne i pranuam të gjitha dhe pasi ata i votuan në parim, i votuan nen për nen, u dërgoi sms me ultimatumin se nuk i qëndronin më. Ju them të vërtetën nuk u çudita. I dërgova një mesazher zotit Xhafaj se e kishte kot, se nuk do ta lejonte. E mori apo jo mesazhin nuk e di, por e vërteta është se zoti Rama nuk i lejoi, njësoj sikur të thoshte ju jeni aty, por nuk jeni. Ata votuan nen për nen, nuk kishin asnjë vërejtje se i kishin shkruar vetë, votuan edhe në parim dhe më pas nuk ishin, sepse nuk ishte Sadriu, nuk ishte Toma, nuk ishte Fideli dhe nënkryetari në hije i asaj partie, që de facto është më shumë se nënkryetar. Pra, një situatë jashtëzakonisht e pakuptimtë.

Argumentet që përdor janë Kushtetuta e pakicës, për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës. Nuk ka koncept më fatal në demokraci! Dhe kur nuk e mbron dot këtë koncept, sepse është i pambrojtshëm, thotë se korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti. Atëherë si luftohet, duke mbajtur murin e imunitetit?!

Unë e ftoj zotin Rama të votojmë kufizimin e imunitetit, përndryshe do të hyjë në librin Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do kryeministrin e tij me imunitet. Do t’u thotë socialisteve se Sali Berisha do ketë imunitet?! Zoti Rama nuk e ka hallin tek Sali Berisha, as tek ministrat, por tek klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste. Në qoftë se zoti Rama mendon se nuk lehtësohet lufta kundër korrupsioni duke hequr imunitetin, harron se me Kushtetutën e pakicës e çon vendin në greminë. Nuk ka diskutim që një gjykatës, para se të marrë një vendim të padrejtë kundrejt pasurimit të tij të paligjshëm, në rast se është pa imunitet mendohet tre herë. Nuk ka dyshim se një ministër a zyrtar, kushdo qoftë ai, para se të përdorë pushtetin për pasurim të paligjshëm, mendohet tre herë. Nuk ka diskutim që organi i akuzës, me gjithë të metat që ka, në rast se nuk do të ketë murin e korrupsionit, do të ketë kurajë disa herë më të madhe për ndjekur e për të bërë ligjin. Nuk ka njeri mbi tokë, përveç zotit Rama, që thotë se heqja e imunitetit nuk ndihmon luftën kundër korrupsionit. Tani, në vend të heqjes së imunitetit, ofron votimin me 3/5-at. Në takimin që kisha me zotin Rama në parlament, nuk dua të nxjerr konfidencialitetet, por më tha se nuk ishte i penduar - e kuptoni para meje ulet si haxhi pishmani. Për një nga reformat më të mëdha të jetës së tij dhe të jetës sime, ai kishte deklaruar disa herë se ishte ngutur dhe ndjehej pak i turpëruar për deklaratën që kishte bërë dhe më tha se nuk ishte i penduar. Një ditë je i penduar dhe një ditë jo, si ta kuptoj këtë!

I bëj thirrje të mos përdorë preudoargumente, të mos keqpërdoret nga tre - katër vetë në partinë e tij, sepse jam i bindur se shumica e deputetëve të Partisë Socialiste - jam i bindur, jo se unë kam fakte - nuk mund t’i imagjinoj se janë kundër heqjes së imunitetit për qeverinë dhe qeveritarët. Nuk ka qytetar me parti apo pa parti, që nuk do të donte që qeveritarët, gjykatësit, zyrtarët e tij të lartë të mos ishin të barabartë me të, para ligjit. Unë nuk po i dal në mbrojtje as zotit Majko, as zotit Xhafaj, por t’i mandatosh e më pas t’i asgjësosh politikisht në mes të punës, një drejtues nuk mund ta bëjë këtë. Një drejtues përballet me pasojat e aktit. Votuan herën e parë, votuan herën e dytë dhe u kërkoi të tërhiqeshin në votimin e tretë.

Ndaj i bëj thirrje zotit Rama të mendojë interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, interesin e socialistëve, interesin e vendit dhe të votojmë sëbashku draftin që ka marrë parasysh çdo sugjerim të Partisë Socialiste.”


25/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›