E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shpërndan karta anëtarësimi për 430 të rinj të Sukthit që iu bashkuan Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti dje takimin e të rinjve të degës së PD-së në bashkinë e Sukthit. Gjatë këtij takimi, 430 të rinj e të reja u bënë anëtarë të Partisë Demokratike. Duke u dorëzuar kartat e anëtarësimit, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësoi vendimin e marrë prej tyre për t’u bërë veprimtarë politik të Partisë Demokratike. "Ju anëtarësoheni sot në partinë politike të fjalës së mbajtur. Gjatë 20 viteve Partia Demokratike ka shndërruar në realitet të prekshëm për çdo qytetar të gjitha premtimet e saj të mëdha. Gjatë këtyre viteve Partia Demokratike me programin e saj ka bërë që Shqipëria të jetë sot vite dritë larg asaj që ishte 20 vjet më parë", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha u ndal tek vëmendja që qeveria i ka kushtuar këto vite rinisë dhe veçanërisht shkollimit të tyre. “Në vitin 2005 ëndrra universitare, ëndrra intelektuale e shumicës dërrmuese të gjimnazistëve shqiptarë rrënohej, sepse ata nuk mund të ndiqnin studimet. Ne premtuam se kësaj do t’i japim fund, se do të bëjmë gjithçka që çdo gjimnazist dhe gjimnaziste e këtij vendi të mund të bëjë të vërtetë ëndrrën e bukur universitare, ëndrrën e diplomës, ëndrrën e tij intelektuale. Nga 12 studentë për 1 mijë banorë që kishim, ne sot kemi 51 studentë për 1 mijë banorë dhe qëndrojmë mbi mesataren Evropiane. Për ne shkollimi i të rinjve, i fëmijëve tanë, është  përparësia e të gjitha përparësive. Po kështu, në rast se në vitin 2005 rreth 63 për qind e fëmijëve që mbaroni arsimin e detyruar regjistroheshin në gjimnaze, sot 92 për qind  e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin 9-vjeçar regjistrohen në gjimnaz”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se gjatë qeverisjes nga Partia Demokratike u bë realitet edhe shtrirja e internetit në çdo shkollë.

Më tej, Kryeministri Berisha ftoi që edhe të rinjtë nga qytete të tjera të vendit t’i bashkohen Partisë Demokratike, të bashkohen në projektin e madh Shqipëria vend i zhvilluar. “Ftoj të rinjtë shqiptarë të bashkohen në projektin tonë të madh, projektin e Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i ëndrrës tuaj më të bukur, projekti i Shqipërisë Evropiane”, tha Kryeministri.

Kryeministri u ndal në afrimin e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ecjen drejt një mandati të tretë qeverisës, duke u shprehur se “në katër vitet e tjera është në detyrën tonë të bëjmë katër herë më shumë. Katër vitet që vijnë Shqipërinë ta shndërrojmë tërësisht. Ky është projekti juaj dhe i mbarë shqiptarëve”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë, gëzimin e vlerësimin tim më të madh për vendimin e mençur dhe të rëndësishëm që ju, vajza dhe djem të kësaj bashkie, keni marrë për t’u anëtarësuar dhe për t’u bërë veprimtarë politik të Partisë Demokratike, e cila u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore, si parti e vlerave më të arrira njerëzore dhe hyjnore të njeriut. Vendimi juaj është një vendim i mençur, i guximshëm, një vendim i cili ju jep juve mundësinë që nëpërmjet përgjegjësive të reja që merrni të shumëfishoni ndihmën dhe rolin në jetën tuaj, të familjes, të shoqërisë së Sukthit dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.

Ju anëtarësoheni sot në Partinë Demokratike, që u themelua në nëntorin e vitit ‘90 si parti e të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, të cilat i kishin të ndaluara me kushtetutë, u themelua si parti e lirisë së fjalës, e lirisë së lëvizjes, e lirisë së sipërmarrjes, e lirisë së besimit. Mbi këto liri është e ndërtuar çdo shoqëri e lirë, është i ndërtuar dinjiteti i çdo individi, është e ndërtuar mirëqenia e zhvillimi i çdo individi, familje, vendi dhe shoqërie. Unë shoh këtu se të gjithë ju jeni të rinj, jeni gjeneratë e lirisë. Në këtë kontekst, ju po hyni në shtëpinë tuaj, në shtëpinë e lirisë, ju po bashkoheni me forcën politike, e cila është promotor i lirive dhe të drejtave njerëzore në Shqipëri, promotor i dinjitetit njerëzor.

Të dashur anëtare dhe anëtarë më të rinj të Partisë Demokratike,

Ju anëtarësoheni sot dhe nisni jetën tuaj politike si anëtarë të një force, e cila pas themelimit të saj ia doli duke fituar besimin e madh popullor të mbarë shqiptarëve; ia doli të hedhë mënjanë zgjedhën komuniste, sistemin totalitar të barbarizmave më të mëdha që shqiptarët kishin njohur; ia doli që me besim të madh tek liritë dhe vlerat të ndërtojë në Shqipëri ekonominë e tregut, ekonominë e bazuar në sipërmarrjen e lirë, në iniciativën e lirë të qytetarëve shqiptarë; ia doli që me programin e saj të hapë Shqipërinë drejt botës, ta anëtarësojë atë në Këshillin e Evropës dhe, më pas, ta anëtarësoje atë në Aleancën e Atlantikut të Veriut edhe t’i japë Shqipërisë aleatët më të fuqishëm të të gjitha kohërave; ia doli të firmosë me Bashkimin Evropian Marrëveshjen e Stabilizim – Associmit; ia doli që 2-3 javë më parë Komisioni Evropian të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat.  Ju anëtarësoheni në një forcë politike, e cila i përket Partisë Popullore Evropiane (PPE) , forcës politike më të fuqishme që Evropa ka njohur në tërë historinë e saj, partive politike që ndërtuan Evropën e lirë të pas lufte dhe që janë aleatë të Partisë Demokratike.

Të dashur anëtarë dhe anëtare, më të rinj të Partisë Demokratike,

Me vendimin tuaj fisnik ju bashkoheni me një forcë politike, me të cilën do të ndiheni krenarë për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e saj. Ju anëtarësoheni sot në partinë politike të fjalës së mbajtur. Gjatë 20 viteve Partia Demokratike ka shndërruar në realitet të prekshëm për çdo qytetar të gjitha premtimet e saj të mëdha. Gjatë këtyre viteve Partia Demokratike me programin e saj ka bërë që Shqipëria të jetë sot vite dritë larg asaj që ishte 20 vjet më parë. Unë nuk dua të ndalem e të flas këtu për 20 vite më parë, por do të ndalem vetëm në disa momente të 6 apo 7 viteve më parë. Në vitin 2005, Viola (një studente) dhe studentët duhet ta dinë se në Shqipëri më pak se ¼  e maturantëve kishin mundësi të uleshin në bankat e universiteteve, duhet ta dinë se në vitin 2005 në Shqipëri për 1 mijë banorë kishte katër herë më pak studente dhe studentë sesa në mesataren e vendeve Evropiane, duhet ta dinë se në Shqipëri në vitin 2005 ëndrra universitare, ëndrra intelektuale e shumicës dërrmuese të gjimnazistëve shqiptarë rrënohej, sepse ata nuk mund të ndiqnin studimet. Ne premtuam se kësaj do t’i japim fund, se do të bëjmë gjithçka që çdo gjimnazist dhe gjimnaziste e këtij vendi të mund të bëjë të vërtetë ëndrrën e bukur universitare, ëndrrën e diplomës, ëndrrën e tij intelektuale. Nga 12 studentë për 1 mijë banorë që kishim, ne sot kemi 51 studentë për 1 mijë banorë dhe qëndrojmë mbi mesataren Evropiane. Për ne shkollimi i të rinjve, i fëmijëve tanë është përparësia e të gjitha përparësive. Po kështu, në rast se në vitin 2005 rreth 63 për qind e fëmijëve që mbaronin arsimin e detyruar regjistroheshin në gjimnaze, sot 92 për qind  e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin 9-vjeçar regjistrohen në gjimnaz. Ne premtuam vetëm pak vite më parë se do të shtrinim internetin në çdo shkollë, se interneti dhe kompjuteri nuk do të jenë kurrë më “mollë e ndaluar” për fëmijët shqiptarë. Ne e mbajtëm fjalën tonë dhe do të bëjmë gjithçka që në duart tuaja, në mendjen dhe në dispozicionin tuaj të jenë teknologjitë më të avancuara. Ne premtuam  në vitin 2005 se me punë serioze do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të jetë anëtare e NATO-s dhe, përpara parashikimeve, Shqipëria u anëtarësua në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ne kishim një premtim të hershëm, të dhjetorit të vitit ’90, “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa” dhe ky ishte premtimi ynë solemn. Ndaj dhe në vitin 2005 ne përcaktuam si objektiv madhor përpjekjet për heqjen e vizave për shqiptarët dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën.

Të dashur anëtarë dhe anëtare më të rinj të Partisë Demokratike,

Po të pyesni prindërit apo gjyshërit tuaj, ata mund t’ju tregojnë ju shumë aspekte të regjimit totalitar në vendin tonë, të cilat ju i keni shumë të vështira edhe t’i imagjinoni, e keni shumë të vështirë të pranoni se mund të kenë ndodhur. E vërteta është se trashëgimia e këtij vendi ka qenë varfëria dhe mjerimi më i tejskajshëm. Dhe ky mjerim nuk ka qenë vetëm në Ishëm, në zonat kodrinore - malore, në Tropojë, në Mokër apo zona të tjera, por edhe këtu në Sukth dhe në çdo skaj të vendit. Të ardhurat ishin aq sa njerëzit mezi mbanin frymën me to. Sot këto të ardhura nuk janë aty ku duam ne, por nga 204 dollarë që ishin në vitin ’92 sot janë rreth 9 mijë dollarë, në mesataren e përgjithshme, dhe janë me tendencë për tu rritur.  Ju dëgjoni çdo ditë sesa e egër është kriza në disa vende përreth dhe dëgjoni çdo ditë se politikat e drejta që ndoqi qeveria parandaluan krizën në Shqipëri. Ndaj dhe ju bashkoheni me Partinë Demokratike, sepse programi i saj ekonomik është programi më i shkëlqyer për familjet shqiptare. Ju bashkoheni sot me forcën politike, e cila po ndryshon Shqipërinë me shpejtësinë më të madhe.

Të dashur anëtarë dhe anëtare të Partisë Demokratike,

Në vitin 2004 këtë vend të bekuar, me bukuritë mahnitëse, me plazhe ndër më të bukurat në Mesdhe, me male dhe me peizazhe magjepsëse, e vizitonin gjithsej 300 mijë turistë. 4 milion e 1 mijë turistë e vizitorë ishin në vitin e kaluar dhe rreth 4 milion e gjysmë do të jenë këtë vit. Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të pëlqyera e më të preferuara turistike të rajonit dhe më gjerë. Ju bashkoheni me forcën politike, e cila në një hark kohor 6 vjeçar po ndërton në Shqipëri infrastrukturën më moderne në rajon dhe më gjerë. Nga 2430 kilometra rrugë të asfaltuara që kishte në fillim të vitit 2006, gjatë këtyre viteve janë asfaltuar mbi 10 mijë kilometra të tjera. Jam sot këtu për t’ju premtuar ju se rruga  Autostradë - Hamallaj do të jetë një nga projektet tona dhe se në këtë bashki dhe në këto komuna do të asfaltojmë çdo metër rrugë. Ne do të bëjmë që ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë të udhëtojnë në rrugë shumë të mira, njësoj si qytetarët e vendeve të zhvilluara. Jam këtu, gjithashtu, për t’ju premtuar se investimet tona në shkolla do të vazhdojnë. Do të rindërtohet plotësisht gjimnazi i Sukthit, shkolla në Hamallaj dhe kudo që të ketë nevojë. Në një hark të shkurtër kohor, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 71 për qind të të gjitha shkollave të vendit. Brenda mandatit që vjen ne do të bëjmë gjithçka që fëmijët shqiptarë të ulen në shkolla të reja, të ndërtuara apo të rindërtuara.

Të dashur anëtarë dhe anëtare të Partisë Demokratike,

Të gjithë ju jeni në moshën e internetit. Imagjinata juaj është pasuri e jashtëzakonshme për ju, për familjet tuaja, por edhe për shoqërinë shqiptare. Ne vendosëm hapin e parë ‘internet në shkollë’, por brenda datës 15 nëntor do të shpërndajmë internet falas në 1250 pika në mbarë vendin. Dhe këtu në bashkinë tuaj do të jenë disa pika. Ne do të bëjmë gjithçka që edhe pjesa tjetër ta ketë internetin me çmimet më të ulëta. Interneti ka magjinë e tij, ka fuqinë e tij. Njeriu mund të komunikojë me miqtë e tij dhe të shkëmbejë mendime, të ndajë gëzime e dije të ndryshme. Po ashtu, edhe ju në Facebook mund të komunikoni me një numër të madh miqsh, të ndani me njëri - tjetrin ndjenjat, respektin, dashurinë, dijet, dëshirat dhe e shndërroni Facebook-un apo internetin në tërësi në një shkollë të dytë, në një kurs të dytë, në një mrekulli të vërtetë. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria dixhitale të jetë gjithnjë e më shumë në lartësinë e imagjinatës suaj të mrekullueshme.

Ne po ecim drejt zgjedhjeve, drejt mandatit të tretë. Ju, të gjithë anëtaret dhe anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë anëtarët e tjerë të PD-së, mbështetësit tanë, paraqituni në çdo derë, trokisni në çdo zemër me ballin lart, sepse ne, pavarësisht nga vështirësitë, të metat apo gabimet që kemi bërë dhe që nuk përjashtohen të bëhen, kemi mbajtur fjalën dhe premtimet tona. Një Shqipëri, e cila vizitohej pak vite më parë vetëm nga 300 mijë turistë vizitohet sot nga mbi 4 milionë. Një Shqipëri, e cila kishte një arsim në rrënim, ka sot një sistem arsimor me integritet të lartë, një sistem që shndërron dhe bën të vërteta ëndrrat më të bukura rinore të edukimit në universitet dhe shkolla të tjera. Një Shqipëri, qytetarët e së cilës sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Një Shqipëri, e cila ende nuk ka arritur të jetë një vend plotësisht i zhvilluar, por ka arritur të ketë treguesit themelorë  të njeriut të barabartë me vendet e zhvilluara. Një Shqipëri që ka vdekshmërinë foshnjore, vdekshmërinë e nënave, vdekshmërinë në përgjithësi të popullatës, në nivelin e vendeve më të zhvilluara. Një Shqipëri që ka treguesit e ndjekjes së arsimit të lartë dhe arsimit të mesëm në nivelin e vendeve më të zhvilluara . Një Shqipëri, e cila ndërton një infrastrukturë dhe ka investuar këto vite më shumë se gjithë rajoni përreth, të marra së bashku, në rrugë, ujësjellës, kanalizime. Një Shqipëri, e cila ka një ekonomi, e vetmja në rajon dhe nga më të paktat në Evropë, që nuk ra në krizë, por ruajti rritjen ekonomike dhe me zhvillimin e saj bëri të mundur mbi dyfishimin e rrogave, bëri të mundur mbi dyfishimin e pensioneve të ulëta, bëri të mundur asfaltimin e mbi 10 mijë kilometra rrugë, bëri të mundur ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 1300 shkollave në mbarë vendin, bëri të mundur rritjen e madhe të ndihmës ekonomike për ata që janë në nevojë, bëri të mundur financimin e mbi 40 mijë hektarë tokë, ullishte, vreshta, sera dhe dru të tjerë frutorë, bëri të mundur dyfishimin e eksporteve nga viti 2009 në vitin 2011, bëri të mundur që të shndërrohemi në një nga vendet me tërheqëse për investimet e huaja. Për të gjitha këto ne trokasim me ballë hapur në zemrën e çdo shqiptari. Natyrisht, ne nuk kërkojmë votat për ato që kemi bërë. Jo! Ne i kërkojmë votat për ato që do të bëjmë në katër vitet që vijnë, por këto që kemi bërë janë pasaporta e besimit ndaj nesh, janë pasaporta e ndershmërisë dhe sinqeritetit, e fjalëve të mbajtura që ne u kemi dhënë shqiptarëve. Në katër vitet e tjera është në detyrën tonë të bëjmë katër herë më shumë. Katër vitet që vijnë Shqipërinë ta shndërrojmë tërësisht. Ky është projekti juaj dhe i mbarë shqiptarëve. Unë, në emrin tuaj, ftoj të rinjtë shqiptarë  të bashkohen në projektin tonë të madh, projektin e Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i ëndrrës tuaj më të bukur, projekti i Shqipërisë Evropiane. Ftoj degët e Partisë Demokratike në mbarë vendin që të frymëzohen e të marrin shembull nga ju. Le të jetë ky një akt frymëzues për të gjithë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri, qytetarët dhe qytetaret e vendit, për t’u bashkuar së bashku në projektin e madh të Shqipërisë vend i zhvilluar, të Shqipërisë Evropiane.

Në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit ju bashkoheni me partinë e lirisë, partinë e të drejtave njerëzore, parti e cila në 20 vite ka bërë më shumë se në të gjitha kohërat në ndërtimin zhvillimin e këtij vendi, ndërtimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. 

Në këtë 100 vjetor, ne duhet të përulemi me nderimin më të madh para qindra e mijërave martirëve të këtij vendi, të cilët ranë e luftuan, bënë çdo sakrificë në mënyrë që ne të mblidhemi së bashku të lirë dhe me dinjitet në këtë shesh.

Sot, ne qytetarët e atij vendi që 100 vjet më parë përpiqeshin ta shuanin nga harta politike e Evropës, jemi anëtarë të NATO-s, jemi vend i lirë dhe kemi ndërtuar miqësinë, aleancën më të shkëlqyer me vendin më të madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndaj dhe njëherë ju uroj shumë suksese, ju përqafoj të gjithëve dhe ju falënderoj shumë për vendimin e shkëlqyer që keni marrë.

Faleminderit!”


03/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›