Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e hidrocentralit në komunën Bushtricë, në Kukës, një investim me vlerë 15 milionë euro

Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe ambasadori i Italisë në Tiranë z. Massimo Gaiani, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikes z. Edmond Haxhinasto, ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, deputetë të qarkut të Kukësit, përfaqësues ETEA grup dhe partnerë të tyre shqiptarë, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Hidrocentrali Lapaj shfrytëzon ujërat e lumit të Bushtricës dhe ka një kapacitet të instaluar prej 13,62 MW, me një prodhim mesatar vjetor të energjisë të vlerësuar prej 49.865 MWh. Hidrocentrali ka nisur punën dhe në të prodhohet energji e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e më shumë se 22.000 familjeve. Për ndërtimin e tij u punësuan 2500 punëtorë, inxhinierë e specialistë. Në këtë kaskad do të ndërtohen edhe gjashtë hidrocentrale të tjerë, fuqia totale e të cilëve parashikohet të jetë më shumë se 50 MW dhe, gjithashtu, do të realizohen nga investitorë vendas dhe ata italianë.
Kryeministri Berisha, gjatë përshëndetjes së tij, vlerësoi se ndërtimin i kësaj vepre hidrike është një sukses i madh i politikës së kësaj mazhorance për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. “Kjo nismë, - theksoi Kryeministri, - është jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë”.
Më tej, Kryeministri u ndal në masat lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria për investitorët, duke hequr TVSH-në për makineritë që importojnë, si dhe për çimenton e hekurin që përdoret në ndërtimin e veprave hidroenergjetike. “Ju e ndërtuat këtë hidrocentral në një kuadër të caktuar ligjor, por të gjitha veprat e tjera ju do t’i ndërtoni me një kosto rreth 20 përqind më të ulët”, tha Kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në krizën që ka përfshirë Evropën dhe vende të tjera të zhvilluara, Kryeministri u shpreh se rruga më e sigurt për tu mbrojtur nga pasojat e saj është inkurajimi dhe mbështetja e investitorëve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Para së gjithash unë dua të përgëzoj shumë përzemërsisht shoqërinë italiane ETEA, ortakët e saj shqiptarë, Gjokaj, Biberaj, etj., për këtë investim shumë të rëndësishëm që kanë bërë këtu në Lapaj, në një vepër hidroenergjetike që mbulon plotësisht furnizimin me energji të 22 mijë familjeve, për të cilën janë investuar rreth 15 milionë euro. Për realizimin e saj kanë punuar 2500 punëtore, teknikë, inxhinierë, në të gjitha fazat.
Ndërtimi i kësaj vepre është, së pari, një sukses i madh i politikës së kësaj mazhorance për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Kur u shpall kjo nismë, pak vite më parë, në tërësi u prit më skepticizëm, por e vërteta është se kjo nismë po lëshon shtat dhe rritet çdo ditë e më shumë, nga jugu në veriun e Shqipërisë, nga lindja në perëndimin e saj, me të gjithë lumenjtë dhe burimet ujore të këtij vendi. Kjo nismë ka bërë që sot në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit dhe Evropës, të jenë në zbatim e sipër me dhjetëra e dhjetëra projekte hidroenergjetike. Kjo nismë ka bërë që në një hark të shkurtër kohor, katër vjeçar, në Shqipëri të ndërtohen dhe rindërtohen mbi 70 hidrocentrale. Kjo nismë ka bërë që sektori privat dhe shoqëritë private të fushës së energjisë, nga Evropa dhe mbarë bota, të firmosin me autoritetet shqiptare kontrata koncensionare për ndërtimin deri më sot të 330 hidrocentraleve, ndër të cilat edhe projekte gjigande, siç është kaskada e Devollit. Kjo është një nismë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Me këtë nismë ne synojmë që ujërat e burimeve tona natyrore, të cilat derdhen në det të fjetura, pa vlerë, të marrin vlerat energjetike dhe të shndërrohen në vlera të mëdha për qytetarët shqiptarë. Në këtë nismë qëndron një nga shtyllat më kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, çka do të thotë që investimi i sotëm jo vetëm të mos dëmtojë interesat e brezave që vijnë pas nesh, të fëmijëve tanë, fëmijëve të fëmijëve tanë, por të jetë një trashëgimi e shkëlqyer për ta.
Zonja dhe zotërinj,
Kjo nismë është rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer të biznesit italian me biznesin shqiptar. Ndaj dhe unë dua t’ju shpreh një mirënjohje shumë të thellë të gjithë përfaqësuesve të kompanive italiane, kompanisë ETEA dhe kompanive të tjera që së bashku me investitorët shqiptarë një ëndërr dhe një projekt në letër e bënë të vërtetë këtu me një vepër të madhe e të rëndësishme në komunën Bushtricë, bën realitet një hidrocentral të teknologjisë më moderne dhe më bashkëkohorë. Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht bankën Sanpaolo IMI, drejtorin aktual të saj, për besimin që kanë treguar në këtë projekt dhe investimin e tij.
Zoti ambasador,
Dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht, sepse në të gjitha takimet me ju kam ndjerë angazhimin tuaj më miqësor, në mënyrë që marrëdhëniet miqësore e të shkëlqyera midis dy vendeve tona të konsolidohen çdo ditë e më shumë, që këto marrëdhënie në fushën ekonomike të fuqizohen çdo ditë e më shumë, si një garanci e zhvillimit më të shkëlqyer, më të sigurt të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve e kombeve tona. Ne kemi një dialog të pandërprerë së bashku dhe kam kënaqësinë t’ju informoj ju sot se përpjekjet e qeverisë shqiptare për përmirësimin gjithnjë e më të madh të klimës së biznesit nuk kanë të ndërprerë. Ju e ndërtuat këtë hidrocentral në një kuadër të caktuar ligjor, por të gjitha veprat e tjera ju do t’i ndërtoni me një kosto rreth 20 përqind më të ulët, pasi qeveria ka vendosur heqjen tërësisht të TVSH-së për të gjitha makineritë që ju importoni për veprat energjetike dhe çdo vepër tjetër. Qeveria parashikon këtu një prag prej 500 mijë euro. Ky prag do zbritet në nivele shumë më të ulëta, në mënyrë që investitorët e çdo fushe për makineritë që sjellin të mos paguajnë asgjë, përveç transportit të tyre. Së dyti, për veprat hidroenergjetike, në mënyrë specifike, kemi vendosur heqjen e TVSH-së për të gjithë çimenton dhe hekurin që përdoret në ndërtimin e tyre.
Të dashur qytetarë,
Ju dëgjuat se janë hedhur rreth 20 mijë metër kub beton në ndërtimin e kësaj vepre, janë përdorur mijëra ton çelik për ndërtimin e saj. Sot e tutje këto materiale ndërtimi për hidrocentralet do t’u kushtojnë 20 përqind më lirë investitorëve vendas dhe të huaj. Ju garantoj se këto janë hapa që nuk do të ndalen me kaq.
Të dashur miq,
Evropa është në një krizë të vërtetë dhe po kështu pjesa më e zhvilluar e botës. Kjo është një krizë afatgjatë. Besimi ynë i palëkundur është se rruga më e sigurt për tu mbrojtur nga pasojat e saj është inkurajimi juaj, mbështetja dhe suksesi juaj. Në këtë sukses qëndron garancia më e madhe e përballimit të pasojave të krizës nga ekonomia shqiptare. Në këtë sukses qëndron garancia më e madhe që në katër vitet e ardhshme të bëjmë realitet ëndrrën më të bukur të qytetarëve shqiptarë, ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar.
Të dashur qytetare dhe qytetarë,
Hidrocentralin këtu në Lapaj e inaugurojmë në një vit historik për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, e inaugurojmë në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Rrugës drejt jush më erdhën në mendje historitë e tetorit dhe nëntorit të vitit 1912. Në Lumë, në Kosovë, në Tropojë, në Has e në Dibër ato janë historitë njerëzore më të dhimbshme. Në tetor të 1912 popullata e kësaj krahine njohu masakrat dhe barbaritë më mizore. Në nëntor të vitit 1912 burrat dhe gratë e Lumës do t’u jepnin këtu barbarëve Vaterlonë e vërtetë, do të shndërronin në kocka hordhitë e pushtuesve të rinj, të cilët menduan se erdhi koha të eksterminonin kombin më të vjetër të rajonit. Ato beteja mbetën themel i pavarësisë së shqiptarëve. Në ato beteja ushtritë armike lanë mbi 12 mijë forca në përrenjtë, lumenjtë, gërxhet e shkrepat e kësaj zone. Sot, mënyra më e mirë për të nderuar veprën dhe sakrificën e tyre është të ndërtojmë Shqipërinë e zhvilluar. Sot, nderimi më i madh që ne u bëjmë atyre është Shqipëria anëtare e NATO-s. Sot, nderimi më i madh që ne i bëjmë sakrificës së tyre është Shqipëria e sigurt në rrugën e saj të integrimit evropian. Sot, nderimi më i madh që ne u bëjmë atyre janë autostradat, rrugët, hidrocentralet, uzinat, vendet e punës, fermat dhe të gjitha projektet, të cilat bëjnë që Shqipëria të renditet në familjen e vendeve të zhvilluara.
Edhe një herë ju uroj shumë përzemërsisht me rastin e inaugurimit të hidrocentralit, por shpreh nderimin tim më të madh para atyre burrave e grave të kësaj zone, të cilët 100 vjet më parë shndërruan në Vaterlo tokat e tyre ndaj një fuqie që erdhi t’i shfaroste ata.”
04/11/2012