Ministri Pollo takon Ministrin Beqaj. Shqipëri-Kosovë bashkëpunime për zhvillimin e teknologjisë së informacionit
Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo priti sot në një takim Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z. Besim Beqaj. Ministri Beqaj është përgjegjës edhe për zhvillimin e telekomunikacionit dhe teknologjinë e informacionit në Kosovë.
Gjatë takimit, dy ministrat, ndër të tjera, vendosën të nënshkruajnë javët e ardhshme një Memorandum Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Në këtë kuadër do të ngrihen fillimisht tre grupe pune të përbashkëta të të dy ministrive:
Grup i parë i punës për çështjet e telekomunikacionit, që pritet të trajtojë edhe çështjen e prefiksit kombëtar të Kosovës dhe kontributin që Shqipëria mund të japë, duke kërkuar rrugëzgjidhjen e përshtatshme bazuar në legjislacionin kombëtar me rregullat ndërkombëtare në këtë fushë.
Grupi i dytë i punës do të përqendrohet në tarifat roaming, që me rregullat e ndërmarra nga BE-ja rëndojnë xhepat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës sa herë që ata udhëtojnë në shtete të tjera.
Ndërsa grupi i tretë i punës do të ketë në fokus kalimin e transmetimeve televizive në formatin digjital.
Të dy ministrat u shprehën të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit të deritanishëm të Shqipërisë e Kosovës në këtë sektor dhe kjo vizitë u pa si një shtytje për të çuar përpara dhe zgjeruar edhe me tepër këtë bashkëpunim.
01/11/2012