E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Mesazhi i Sekretares së Departamentit të Shtetit, Hilary Klinton për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese për tu bashkuar për interesat kombëtare

-          Dua ta garantoj se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën, me të gjithë faktorët, në mënyrë që të konsolidojmë më tej vlerat të cilave iu besojmë

 -      Shfrytëzoj këtë rast ti përgjigjemi thirrjes së KE-së për të votuar ligjet në parlament, si një dëshmi e vullnetit të hekurt pet të mos dëmtuar procesin e integrimit, proces ky me një mbështetje masive nga qytetarët shqiptarë, por edhe një hap i domosdoshëm i shprehjes së respektit të mirënjohjes ndaj mikeshës së madhe, mesazheve që solli nga kombi, qeveria dhe vendi i saj i madh mik

Kryeministri Berisha shprehu sot në emër të qeverisë shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë, mirënjohjen më të thellë për vizitën e djeshme të Sekretares së Departamentit të Shtetit, zonjës Hilary Klinton, në Shqipëri, si dhe për mesazhet që ajo përcolli për forcat politike të vendit dhe për qytetarët shqiptarë.

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se Sekretarja Klinton hapi dje, siparin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me mesazhin më të fuqishëm të miqësisë midis dy vendeve dhe dy kombeve tona. “Ajo solli mesazhin e miqësisë së kombit të madh amerikan, qeverisë së SHBA-ve, miqësi, e cila është e konkretizuar gjatë një shekulli me akte dhe vendime madhore të këtij vendi mik për Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi.”

Kryeministri vlerësoi se mesazhi i Sekretares së Departamentit të Shtetit, Hilary Klinton për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese për tu bashkuar së bashku për interesat kombëtare. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën dhe me të gjithë faktorët, për të konsoliduar më tej vlerat e përbashkëta të cilave iu besojnë.

Kryeministri Berisha ftoi zotin Rama dhe opozitën që nisur nga ky mesazh i përcjellë nga Sekretarja Klinton, të bashkëpunojnë për procesin e integrimit, si interesi më i mirë i të gjithë qytetarëve shqiptarë.  “Ndaj dhe e shfrytëzoj këtë rast ti përgjigjemi thirrjes së KE-së për të votuar ligjet në parlament, si një dëshmi e vullnetit të hekurt pet të mos dëmtuar procesin e integrimit, proces ky me një mbështetje masive nga qytetarët shqiptarë, por edhe një hap i domosdoshëm i shprehjes së respektit të mirënjohjes ndaj mikeshës së madhe, mesazheve që solli nga kombi, qeveria dhe vendi i saj i madh mik. Do të ishte një veprim i qytetëruar, i përgjegjshëm që e presin të gjithë qytetarët shqiptarë.” u shpreh kryeministri Berisha

Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:

Natyrisht kryefjale e kësaj mbledhje nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një mirënjohje shumë e thellë në emër të qeverisë, në emër të qytetarëve shqiptarë për vizitën e djeshme të Sekretares se Shtetit Klinton, në Tiranë, vizitë që përbën ngjarjen kulmore në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Ndaj dhe dua ta falënderoj shumë përzemërsisht Sekretaren Klinton, Qeverinë  e SHBA-ve, presidentin Obama për këtë vizitë historike te realizuar në një vit kurorë, të një shekulli pavarësi.

Sekretarja Klinton hapi dje, siparin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me mesazhin më të fuqishëm të miqësisë midis dy vendeve dhe dy kombeve tona. Ajo solli mesazhin e miqësisë së kombit të madh amerikan, qeverisë së SHBA-ve, miqësi, e cila është e konkretizuar gjatë një shekulli me akte dhe vendime madhore të këtij vendi mik për Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi.

Në një ndër kohërat më të vështira të kombit shqiptar kur konferencat ndërkombëtare, nga të cilat me shumë të drejtë Ati i Shenjtë do të thoshte se e kanë përzënë Zotin nga ato salla dhe po bënin ndarje dhe copëtimet më të tmerrshme të trojeve shqiptare të një kombi ndër më të lashtit në kontinent. Do të ishte presidenti Willson që do të shpallte të drejtën dhe parimin e vetëvendosjes për popujt  e vegjel, si një e drejtë të cilën ai dhe fuqia e shtetit të tij e mbështesnin plotësisht. Do të ishte presidenti Willson ai që do të hidhte poshtë projektin e copëtimit të mëtejshëm të trojeve shqiptare dhe të asgjësimit “de fakto” dhe “de juro” të shqiptarëve të Shqipërisë si nocione politike në kontinent dhe do të jepnin më pas një ndihmë të madhe në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe zhvillimin e degëve të ndryshme të arsimit, të bujqësisë dhe një seri degësh të ekonomisë shqiptare.

Gjatë Luftës së Dytë botërore shqiptaret me luftën e tyre qëndruan në anën e historisë dhe aleatët anglo-amerikanë mbështeten fuqishëm rezistencën e armatosur të shqiptarëve, e mbështeten atë me ndihma të mëdha materiale, e mbështeten me armatime, me ekspertë dhe specialistë të shquar, elitë të trupave britanike, mbështetën parimin që të armatoset çdo grua dhe burrë që kërkon të dalë në fushëbetejë dhe të luftojë me pushtuesin. Pas Lufte, presidenti Truman do të përcaktonte Shqipërinë si vendin në të cilin duhet të ndërmerreshin të gjitha veprimet për përmbysjen e diktaturës mizore të Enver Hoxhës. Do të ndërmirrte një operacion të gjerë. Në vitin ‘90 dihet se mesazhet  e lirisë për shqiptarët, e vërteta është se erdhën nga Washingtoni dhe kjo është e paharruar.

Presidenti George Bush që do të vendoste linjën e kuqe, të cilën do ta ndërmerrte dhe presidenti Klinton për ushtritë e kasapit të Ballkanit në Kosovë. Presidenti Bill Klinton në një betejë historike për shqiptarët, por dhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut do të udhëhiqte këtë Aleancë në këtë luftë me Sadamin e Ballkanit për çlirimin e Kosovës dhe do të firmosej në qershor të vitit 1999 “Marrëveshja e Kumanovës”, marrëveshje që asgjësoi në mënyrë përfundimtare Kumanovën e fillimit të shekullit, Kumanovën e cila shënoi fillimin e barbarive më të mëdha ndaj kombit shqiptar në përputhje me copëtimet që i ishin bërë trojeve shqiptare. Presidenti George Bush përcaktoi mbështetjen e madhe ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Obama finalizoi aktin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ai dhe administrata  e tij mbështesin fuqishëm përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin paqes, stabilitet dhe të demokracisë aty ku jetojnë.

Pra ky 100 vjeçar, ka si arritje më madhore për kombin shqiptar, faktin që shqiptarët sot, janë të lirë kudo që ndodhen në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo dhe shqiptarët në Shqipëri janë anëtarë të NATO-s. Arritja e dytë më madhe e kombit shqiptar është se ata e festojnë 100 vjetorin e pavarësisë, si aleatë besnik të SHBA-ve. Mesazhi i Sekretares së Shtetit për kombin shqiptar ishte për një mbështetje të fuqishme në qindra e qindra vite që vijnë, për  një miqësi të qëndrueshme dhe kjo bën krenar çdo shqiptar dhe njëherë theksoj se në këto 100 vite kjo miqësisë është një nga arritjet më të mëdha dhe më kryesore në historinë  e lirisë së shqiptarëve.

Sekretarja e Shtetit në fjalimin e saj historik dhe duhet të themi fjalimi më i veçantë, më miqësor, por dhe më i bukur që shqiptarët kanë dëgjuar ndonjëherë në këto 100 vjet, shprehu vlerësimin më të madh për përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor, vlerësimin më të madh për arritjet në këtë përpjekje, natyrisht në të cilat ata kanë patur ndihmën dhe solidaritetin e SHBA-ve dhe të vendeve mike në Evropë dhe në botë, por njohja dhe vlerësimi nga sekretarja Klinton, nga demokracia e madhe amerikane dhe kombi i madh amerikan i këtyre arritjeve përbën një inkurajim, një frymëzim për të gjithë shqiptarët në mënyrë që të ecin në konsolidimin e mëtejshëm të tyre. Kam patur dhe kam bindjen më të thellë se mënyra, më dinjitoze, më e shkëlqyer e vlerësimit të kësaj mbështetje të SHBA-ve , të miqve të tjerë tanët, është konsolidimi i vlerave të përbashkëta që ndajmë me kombin e madh amerikan dhe vende të tjera mike.   

Mesazhi i Sekretares së Departamentit të Shtetit, Hilary Klinton për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese që të bashkohen për interesat e tyre kombëtare. Ajo ilustroi këtë thirrje frymëzuese me aspekte personale të karrierës së saj të shkëlqyer. Dhe unë dua ta garantoj se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën, me të gjithë faktorët, në mënyrë që të konsolidojmë më tej vlerat të cilave iu besojmë.

Sekretarja e Shtetit theksoi edhe këtu në bisedime, por edhe më Parlament, rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme. Unë e garantova Sekretaren Klinton se zgjedhjet  ardhshme do të jenë zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda të gjitha standardeve më të mira ndërkombëtare. E garantova sepse qeveria ka një vullnet të hekur të punojë në këtë drejtim por shpreha bindjen se opozita është thellësisht e angazhuar që të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithashtu kërkova që të ketë sa më shumë vëzhgues nga SHBA-të në zgjedhjet e ardhshme.

Sekretarja e Shtetit Klinton, solli mesazhin e një pune të përbashkët që duhet të bëjmë në projektin më madhor që ka kombi sot, në projektin e integrimit në BE. Unë e garantova se qeveria do të bëjë gjithçka dhe se këtë proces e konsideron kryekëput të bazuar në meritë, e konsideron një proces jetik, i cili i bën qytetarët shqiptarë, më të lirë, më të begatë, më të sigurtë, ndaj e informova gjerësisht për tërësinë  e reformave të ndërmarrë në këtë drejtim dhe rezultatin e këtyre reformave në të gjitha fushat. Uroj dhe dëshiroj që ky mesazh të lexohet bashkërisht nga të gjithë shqiptarët, nga forcat politike  të punojmë së bashku për të përmbushur detyrimet tona në procesin e integrimit.

Dua të theksoj se janë tre ligje që presin në parlament. Asnjëri prej tyre nuk mbush një vakum, ligjet ekzistuese janë ligje thellësisht demokratike, pra në këtë sens çdokush mund të mendojë që këto nuk mund të jenë pengesë, por ky është arsyetim i gabuar sepse vetë fakti që nuk i voton ligjet që kërkohen me qëllimin më të mirë nga KE është i mjaftueshëm për mendimin tim, për të venë në dyshin seriozitetin e shqiptarëve në procesin e integrimit, sepse ne rëndom tentojmë të kërkojmë shkaqet tek të tjerët. Çfarë po kërkojmë? Votoni tre ligje, ligje demokratike që konsolidojnë më tej pushtetin gjyqësor administratën publike dhe rregullat në parlament. Atëherë përse nuk votohen? Unë e ftoj zotin Rama në frymën e këtij mesazhi. Le të punojmë bashkërisht për gjërat që na bashkojnë dhe integrimi na bashkon ne. Sigurisht që kemi dallime, por pikërisht qershori është muaji që do të votohen dallimet. Në të përbashkëta fitojnë të gjithë, nuk fiton kapital më të madh qeveria, as opozita, fitojnë qytetarët, fiton qeveria, fiton opozita. Kemi dallime, ndaj shkojmë në zgjedhje, ti paraqesim dallimet tona qytetarëve dhe ata do të vlerësojnë se për cilat platforma të votojnë.

Ndaj dhe e shfrytëzoj këtë rast ti përgjigjemi thirrjes së KE-së për të votuar ligjet në parlament, si një dëshmi e vullnetit të hekurt pet të mos dëmtuar procesin e integrimit, proces ky me një mbështetje masive nga qytetarët shqiptarë, por edhe një hap i domosdoshëm i shprehjes së respektit të mirënjohjes ndaj mikeshës së madhe, mesazheve që solli nga kombi, qeveria dhe vendi i saj i madh mik. Do të ishte një veprim i qytetëruar, i përgjegjshëm që e presin të gjithë qytetarët shqiptarë.

Dua ta mbyll duke shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thelle dhe dua të theksoj se kjo vizitë dhe këto mesazhe i adresoheshin të gjithë shqiptarëve. Këto vlerësime ishin vlerësime për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe si të tilla duhet të frymëzojnë forcat politike të këtij vendi dhe qytetarët të përmbushin. Sekretarja Klinton e mbylli fjalën e saj me një thirrje, do ta quaja, ndër më të veçantat ose më e veçantë. Kush të dëshirojë të shohë një demokraci në zhvillim, të vizitojë Shqipërinë. Nuk kishte vlerësim më të madh për përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e shoqërisë së tyre të lirë, sistemin demokratik dhe ekonomisë së tregut sesa ky vlerësim.


02/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›