Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta, të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu
Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Bekim Fehmiu. Në mesazhin e tij Kryeministri shprehet:
16/06/2010
“Familjes së të ndjerit Bekim Fehmiu,
Të nderuar familjarë dhe të afërm të të ndjerit Bekim Fehmiu,
Lajmi për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, korifeut botëror të filmit dhe të skenës, Moisiut të dytë të kombit shqiptar, ka sjellë dhimbje dhe zi në botën e artit dhe të mendimit intelektual të kombit shqiptar.
Bekim Fehmiu me talentin e madh ia doli të ngrihet si asnjë shqiptar tjetër, në majat më të larta të kinematografisë botërore. Ai u nda nga jeta pasi i la artit botëror një trashëgimi të pavdekshme, kombit shqiptar krenarinë e ligjshme për kollosin e tij të madh.
Në emrin tim dhe te qeverisë shqiptare iu përcjell ngushëllimet më të sinqerta.
Me respekt
Sali Berisha”
16/06/2010