Qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë
Zëdhënësja e Qeverisë së Shqipërisë, njëkohësisht Ministre e Integrimit, Znj. Majlinda Bregu përshëndeti vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Znj. Bregu deklaroi se Qeveria Shqiptare do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit për të finalizuar aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve për lëvizjen e lirë në Evropë.
“Qeveria shqiptare përshëndet vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, marrë dje në Luksenburg, ku u rikonfirmua vullneti për mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë.
Në unanimitet të plotë Ministrat e Jashtëm të BE-së deklaruan dje se Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian do të marrin menjëherë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo Komisioni të sigurojë se të gjitha kriteret e vendosura janë plotësuar.
Qeveria shqiptare siguron forumet e larta vendimarrëse në BE se do të përmbushë me seriozitet maksimal edhe detyrimet e fundit, për të finalizuar me sukses dhe sa më parë, aspiratën e madhe të të gjithë shqiptarëve: levizjen e lirë në Evropë.
Në deklaratën përfundimtare të miratuar dje në Luksenburg nga Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vlerësohet dhe nxitet procesi i reformave në vendet e Ballkanit. Shprehet edhe një herë vullneti i Unionit për integrimin e këtij rajoni në BE.
Qeveria shqiptare vlerëson gjithashtu qëndrimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së për zgjidhje të ngërçit politik në Shqipëri në bazë të parimeve kushtetuese, duke garantuar se kuadri ligjor dhe institucional i vendit mundëson transparencë të plotë të çdo dokumenti apo çështjeje në diskutim.”
15/06/2010