E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shtron një darkë për nder të pjesëmarrësve e Konferencës ndërqeveritare të nivelit të lartë ndërkombëtar për reformën “Një OKB”

Kryeministri Berisha mirëpriti sonte në një mbrëmje gala pjesëmarrësit e Konferencës ndërqeveritare të nivelit të lartë ndërkombëtar për reformën “Një OKB”, e cila nisi sot punimet për herë të parë në Shqipëri.

Të ftuar ishin Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së dhe mbi 300 përfaqësues nga 40 vende të botës, përfaqësues, donatore, krerë e përfaqësues të lartë të sistemit të OKB-së, etj.  Merrnin pjesë gjithashtu edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.

Fillimisht të ftuarit morën pjesë në një pritje kokteil, të organizuar në formën e një  shfaqjeje, ku grupe artistike performuan me kostume popullore, valle nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Pjesë e shfaqjes ishin dhe instrumentistët virtuozë shqiptarë, që luajtën pjesë të zgjedhura muzikore . Me pas mbrëmja vijoi me darkën e shtruar në mjediset e Pallatit të Brigadave, në kryeqytet.

Në përshëndetjen e mirëseardhjes, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që mirëpriste në  një darkë përfaqësuesit e nderuar të  Konferencës ndërqeveritare të nivelit të lartë ndërkombëtar për reformën “Një OKB”. Gjithashtu ai falënderoi zonjën Helen Clark, për prezencën e saj dhe për rolin e kontributin e saj si drejtuese, si dhe të të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e nën organizatave të OKB-së në Shqipëri për frymën e bashkëpunimit që ato kanë njëra me tjetrën dhe kontributin, që ato japin në suksesin e nismës “Një OKB”,

Duke vlerësuar historinë e bashkëpunimit me OKB, si një histori të vërtetë suksesi në të gjitha fazat e saj, kryeministri Berisha rishprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për suksesin e  nismës “Një OKB”. “Ne po punojmë prej vitesh së bashku në një inisiativë shumë të rëndësishme. “Një OKB”, një iniciativë që po rritet çdo ditë  e më shumë, që po konsolidohet çdo ditë  e më shumë, në interesin më të mirë të vendit tonë, por edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjithashtu.” u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, darkën e përshëndeti edhe zonja Helen Clark, e cila falënderoi për organizmin e shkëlqyer dhe ecurinë e ditës së parë të Konferences, duke shprehur besimin e plotë tek qeveria shqiptare për vazhdimësinë e suksesshme të bashkëpunimit, në dobi të realizimit me sukses të nismës “Një OKB”.


27/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›