E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takim me diplomatin zviceran Artur Mattli

Projekti për gazsjellësin TAP është projekti më realist dhe  jashtëzakonisht i rëndësishëm për furnizimin me energji të vazhdueshme dhe për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendeve të rajonit të cilët ai i përshkon, por edhe me një impakt realisht shumë pozitiv për vet hapësirën evropiane. Ky ishte konstatimi i Kryeministrit Berisha dhe Drejtorit politik në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, Artur Mattli. Kështu, gjatë ditës së sotme kreu i qeverisë shqiptare priti në një takim zotin Mattli dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Në këtë bisedë, Kryeministri Berisha  shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. 
Gjithashtu, në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe qeverive, të bazuara mbi ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe vendeve tona. Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëve për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për vijuar projektet e suksesshme të realizuara gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, në sektorë të rëndësishëm, por edhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha  fushat me interes të ndërsjellët.  Fusha e  trajnimit profesional, sektori energjetik,   turizmi, përpunimi i ujërave, i ndotjeve urbane, sektori bankar, etj., u evidentuan si fusha me potenciale të rëndësishme ku pritet intensifikimi i bashkëpunimit në të ardhmen.
Kryeministri Berisha e informoi z. Mattli mbi arritjet e rëndësishme të reformave të ndërmarra në vend gjatë kësaj periudhe, në veçanti, për sa i përket krijimit të një klime të favorshme për biznesin dhe investimet, zhvillimin ekonomik me ritme të shpejta, thithjen e investimeve të huaja, etj.
Delegacioni zviceran rikonfirmoi se gjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të theksuar të interesit të investitorëve zviceranë për të investuar në Shqipëri dhe e siguruan Kryeministrin Berisha se qeveria e vendit të tyre do të vazhdojë t’i inkurajojë ata për të ardhur në Shqipëri dhe për të ndërtuar një histori suksesi me bizneset e tyre, por edhe për të krijuar ura të reja miqësie midis dy vendeve dhe popujve.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›